Kosnett përkrahë VV-në: Zgjohuni, protestoni ndaj veprimeve të padrejta të politikanëve

Aktuale

Kosnett përkrahë VV-në: Zgjohuni, protestoni ndaj veprimeve të padrejta të politikanëve

Më: 25 prill 2019 Në ora: 13:05
Ambasadori amerikan

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S.Kosnett duke folur për avancimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë theksoi se çdo qytetar si individ luan rol në mbrojtjen dhe promovimin e sundimit të ligjit dhe shtoi se për t’i sfiduar vendimet e padrejta të institucioneve të Kosovës, duhet të votojnë, të shkruajnë, të ngritin zërin dhe të protestojnë në mënyrë paqësore.

Ambasadori Kosnett deklaroi se çdo qytetar duhet të kërkojë përgjegjësi ndaj cilido politikani, polici, prokurori dhe gjykatësi për të siguruar drejtësi në mënyrë të barabartë , të drejtë dhe me nder.

Kosnett: Folni, organizohuni, demonstroni

“Ka shumë mjete që qytetarët e Kosovës kanë në dispozicion për t’i sfiduar vendimet e Qeverisë, që ata i konsiderojnë të padrejta. Folni, organizohuni, demonstroni. Demokracia nuk nënkupton që është një sport që e luan vetëm në ditën e zgjedhjeve. Është sport ku qytetarët duhet ta luajnë për çdo ditë. Flas si mik i Kosovës, si përfaqësues i vendit, i cili ka çështjet e veta ligjore dhe politike. Mendoj se në demokraci një oligarki mund të marr kontrollin vetëm nëse njerëzit e lejojnë atë. Dy prej rreziqeve më të mëdha janë: nëse dikush heqë dorë dhe pajtoheni. Dhe kur njerëzit heqin dorë kjo është e tmerrshme. Njerëzit në Kosovë kanë luftuar për të ndërtuar një demokraci, një vend ku besohet në sundimin e ligjit dhe për të drejtat e të të gjithëve”, theksoi Kosnett.

Ambasadori Kosnett këto komente i bëri në Forumin FOL, i cili foli edhe për punësimin në baza partiake

Ai theksoi se në Kosovë ka emërime të politikës të udhëheqësve të pa kualifikuar sikur që ishte rasti në Agjencinë Kosovare për Verifikimin e Pronës. Sipas tij, kjo mënyrë e punësimit nuk i sjell përparime vendit.

Kosnett: Njerëzit marrin vende pune vetëm pse janë të lidhur me njerëzit me ndikim

“Ka shumë raporte në Kosovë, ku njerëzit marrin vende pune apo pozita qeveritare jo pse janë kandidatët më të kualifikuar por pse janë të lidhur me njerëzit me ndikim. E di se ka disa kultura që besojnë që t’iu japin mundësi familjarëve e miqve është më e rëndësishme se sa të përmbushin synimin abstrakt të mundësive të barabarta. Një anketë e kohëve të fundit vuri në pah se vetëm 20 përqind e të anketuarve në Kosovë besonin se meritat janë çelës për hapjen e mundësive në vend. Kjo nuk është rruga për përparim”, theksoi ai.

Ndërsa, ambasadori Kosnett duke folur për të mbijetuarit e dhunës seksuale në luftën e fundit, shprehu dyshimet se mund të ketë statuse të rrejshme për të mbijetuarit sikurse me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kosnett: A do të përfitojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale njësoj si veteranët e rremë?

“Të kalojmë te një ligj i cili është shkruar me një qëllim të mirë, por ka pasur pengesa nga politika. Ndryshimi i Ligjit, të vitit 2014 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së dhe viktimave civile u ka dhënë status zyrtarë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Përmes dëshmive të guximshme të mbijetuarve si Vasfije Krasniqi Goodman dhe të tjerëve, të mbijetuarit kanë filluar të lajmërohen 20 vjet pas luftimeve dhe ato kanë merita të jashtëzakonshme që e kanë kthyer një ide të rëndësishme në ligj, por ky amendament i është ngjitur një statusi i cili mohon dhënien e statusit personave që janë prekur pas qershorit të vitit 1999. Organizatat që punojnë me të mbijetuar e kanë qartësuar këtë gjatë kohës kur është miratuar ky Ligj… A mundet Kuvendi të bindet për ta ndryshuar këtë ligj, që t’ju shërbej të gjitha viktimave dhe ngjash ëm a do të jap kuvendi të mbijetuarve të dhunës seksuale të njëjtat përfitime sociale dhe financiare si veteranëve të vërtetë e të rremë të UÇK-së, numrat e të cilëve janë shtuar jashtëzakonisht shumë në mënyrë të dyshimtë”, thotë ai.

Kosnett në këtë Forum veçoi edhe çështjen e mos zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit nga autoritetet komunale, i cili tha se mos zbatimi i tij po mbështetët edhe nga drejtues të Qeverisë së Kosovës. Sipas ambasadorit çdo vendim nga organet e drejtësisë duhet zbatuar.

Kosnett: Mos zbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit po mbështetet edhe nga Qeveria

“Gjykata kushtetuese e cila i merr vendimet në përputhje me Kushtetutën Kosovës ka konfirmuar se Kisha ortodokse ka pronësinë mbi disa parcela të tokës, por zyrtarë kadastral në nivel komunal dhe qendror kanë refuzuar ta zbatojnë atë vendim me një mbështetje të nënkuptuar të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës”, deklaroi ambasadori Kosnett.

Mirëpo, Kosnett përveç këtyre, pati një lëvdatë për një të arritur në Kosovë. Ai tha se përderisa Kosova po hynë në dhjetë vjeçarin e dytë të pavarësisë, ka institucione të afta dhe ligje të shëndosha që burojnë nga Kushtetuta e saj dhe po e mahnitë botën si prijëse në rajon sa i përket transparencës në prokurimin publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat