Gjykata Speciale fton edhe një ushtar të Azem Sylës

Aktuale

Gjykata Speciale fton edhe një ushtar të Azem Sylës

Më: 25 prill 2019 Në ora: 17:09
Gjykata Speciale

Një nga udhëheqësit e Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, Mendim Daka, i njohur me nofkën “Sharri” është ftuar nga Gjykata Speciale. Thotë se atje u ftua si i dyshimtë dhe do të shkojë pa mbrojtje, pasi nuk mund të paguaj avokat.

Dukej se  Zyra e Prokurorit të Specializuara kishte rënë në qetësi para stuhisë. Derisa në fund të vitit të kaluar temë kryesore ishin ftesat që po niste çdo ditë e ashtuquajtura Gjykata Speciale, tash intervistimet e saj nuk po sjellin ekskluzivitet.

Megjithatë, u raportua nga burimet brenda Gjykatës Speciale se ky institucion është duke përgatitur “bombat” e saj, të cilat do të prekin kokën e UÇK’së, përfshirë edhe tash Presidentin e vendit, Hashim Thaçin dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Zyra e Prokurorit të Specializuar po vazhdon punën e saj në intervistimin e niveleve të tjerë të UÇK ‘së. Ajo i ka dërguar ftesë Mendim Dakës për intervistim në Hagë më 13 maj.

Në një bisedë për Express, Daka tregon se ka marrë ftesë që të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit në Hagë, si i dyshuar.

“Ma kanë pru një ftesë zyrtarisht. Me të 13’in më duhet me qenë në Hagë, deri me 17’in, në cilësi të të dyshimtit”, ka thënë Daka.

Mendim  Daka, fillimisht ka qenë ushtar në Kleçkë, e më vonë ka udhëhequr njësinë speciale në Shtabin e Përgjithshëm nën urdhrat e Azem Sylës

“Në fillim kam qenë ushtar në Kleçkë, në maj të ’98-ës. Më vonë dikur në shtator një ndër udhëheqësit e njësisë speciale në Shtab të Përgjithshëm. Në pjesën ku është Llapshtuniku, Kleçka”, ka treguar Daka.

Ndërkaq ai do të nisët për në Hagë pa mbrojtje. Daka thotë se nuk ka mundësi të paguaj me mijëra euro  një avokat.

“Nuk kam marrë avokat. Askush nuk e merr përgjegjësinë me pagu. Unë nuk kam 8 mijë euro me pagu. Avokatit duhet me ia pagu edhe harxhimet atje”, thotë ish-ushtari i UCK’së.

Media ka raportuar se Gjykatës Speciale deri tash ka intervistuar rreth 100 persona, si të dyshuar dhe dëshmitarë, ndërsa aktakuzat nuk do të ngrihen pa u kryer intervistimet e 300 të tjerëve.

Gjatë një bisede të zhvilluar në një nga vendet e BE’së, një burim brenda Gjykatës Speciale, që nuk ka dashur të identifikohet, ka thënë se aktakuzat e para ngrihen për vrasjet e pasluftës ndaj shqiptarëve.

 “Aktakuzat e para do të jenë për vrasjet e pasluftës, për krime ndaj shqiptareve”.

Ai thotë se krerët shtetërorë do të jenë të akuzuarit e Speciales dhe për këtë, Gjykata ka mbledhur dëshmitarë, videoincizime e prova të tjera.

“Nga ajo çfarë sot posedon prokuroria do te ketë aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit, Rexhep Selimit, Daut Haradinajt, Sami Lushtakut, Azem Syles, e shumë figurave të tjera të luftës”, ka thënë tutje burimi.

Deri më tash janë intervistuar disa prej profilëve të larta të UÇK’ së, përfshirë komandantët Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa – Remi, Sylejman Selimi, drejtuesi i Gjykatës së UÇK ‘së, Sokol Dobruna.

Media ka provuar të marrë përgjigje disa herë nga Daut Haradinaj, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, nëse përgjatë kësaj periudhe kanë marrë ftesa nga Gjykata Speciale, megjithatë ata asnjëherë nuk kanë pohuar diçka të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat