Dëshmia e Hashim Thaçit në Gjykatë: I kam dëgju Albinin e Glaukun t’u thënë këta duhet me i vra

Aktuale

Dëshmia e Hashim Thaçit në Gjykatë: I kam dëgju Albinin e Glaukun t’u thënë këta duhet me i vra

Më: 25 prill 2019 Në ora: 21:01
Hashim Thaçi ka akuzuar kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe deputetin Glauk Konjufca

Presidenti Hashim Thaçi gjatë dëshmisë lidhur me rastin e “Syrit të Populli”, ka akuzuar kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe deputetin Glauk Konjufca se janë themelues të organizatës “Syri i Popullit” bashkë me të akuzuarin në këtë rast Sadri Ramabajën. Ai thoshte se i ka dëgjuar me veshët e tij, Kurtin e Konjufcën duke thënë “se do t`i vrasim këta njerëz sepse e meritojnë me i vra”. Lidhur me këto akuza, sot është dorëzuar padi për shpifje ndaj presidentit Thaçi.

Në dhjetor të vitit të kaluar Presidenti Hashim Thaci kishte dëshmuar, në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Thaçi, ishte ftuar si dëshmitarë pasi ishte njëri nga emrat që figuronte në listën e kësaj organizate për likuidim.

Organizata “Syri i Popullit dhe kjo listë u bënë publike pas atentatit që përfundoi me plagosjen e avokatit Azem Vllasi në mars të vitit 2017.

Presidenti dëshminë e nisi me akuzat se themelues të organizatës “Syri i Popullit”, janë kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Sadri Ramabaja, shkruan Insajderi.

“Organet shtetërore të sigurisë disa javë para se të ndodhte atentati ndaj Azem Vllasit më kanë informuar se tani me kjo ndërmarrje vrastare kishte filluar veprimtarinë në territorin e Kosovë”.

“Nga organet shtetërore të sigurisë jam informuar se pas kësaj ndërmarrje vrasësë qëndron Sadri Ramabaja, pjesëtari i familjes së tij, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti”, thoshte Thaçi në dëshminë e tij.

Kur Thaçi ishte pyetur nga Prokuori i Shtetit se ku e bazon dëshminë e tij, ai kishte thënë se burim i informacionit, ishin fjalët e vetë organizatorëve.

“Ishim në ndërtesën e kuvendit në pritje të hapjes së një seance ku me veshët e mi i kam dëgjuar fjalët e Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës që kanë thënë “se do t`i vrasim këta njerëz sepse e meritojnë me i vra”, thoshte Thaçi në dëshminë e 28 dhjetorit 2018.

Ndërsa kur ishte pyetur lidhur me shkrimet Murat Jashari i kishte shkruar kundër tij, Thaçi ka deklaruar se nuk e ka parë të udhës t`u përgjigjet asnjëherë pasi që thoshte se “prej miqëve të afërm të vetë Murat Jasharit e kam kuptuar se ai nuk din me shkruar dhe se këto shkrime i ka shkruar në emër të tij, vet Sadri Ramabaja”.

Kurse për librin “Luftë e Pambaruar”në të cilin Murati flet edhe për hakmarrje ndaj Thaçit dhe pjetarëve tjerë të institucioneve, ai ka deklaruar se “Shkrimet e Murat Jasharit kanë qënë të orkestruara nga Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Sadri Ramabaja”.

Lidhur me këto deklarat Albin Kurti e Glauk Konjufca e kanë paditur për shpifje Presidentin Hashim Thaçi.

Kujtojmë se në dosjen e përpiluar nga hetuesit policor dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, të cilën e ka siguruar Insajderi, zbulohen lista për ekzekutimin e njerëzve të përpiluara nga organizata “Syri i Popullit”. Ato përfshijnë njerëz të padëshiruar për këtë organizatë nga të gjitha vendbanimet me shqiptarë.

Përveç presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e kryeparlamentarit Kadri Veseli, edhe ish-ministra e klerikë fetar shqiptarë ishin pjesë e listave për ekzekutim të organizatës së dyshuar kriminale “Syri i Popullit”.

Në listat e “Syrit të Popullit” për ekzekutim ishin vendosur edhe ish-kryeministri Isa Mustafa në Kosovë, dy liderët e partive shqiptare në Maqedoninë Veriore: Ali Ahmeti e Menduh Thaçi, dhe politikanët shqiptarë në Preshevë: Riza Halimi e Shqiprim Arifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat