Haradinaj: Besoj që nuk do të kemi shpërputhje të qëndrimeve me presidentin në Berlin - Bota Sot
Haradinaj: Besoj që nuk do të kemi shpërputhje të qëndrimeve me presidentin në Berlin

Aktuale

Haradinaj: Besoj që nuk do të kemi shpërputhje të qëndrimeve me presidentin në Berlin

Më: 26 prill 2019 Në ora: 10:59
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk ka ndryshim të qëndrimeve të Qeverisë që e udhëheqë në temat siç është taksa dhe kufijtë e Kosovës.

I pyetur se a kanë  qëndrime të njëjta me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi që do t’i paraqesin në Samitin e Berlinit, ai tha se vazhdon t’i ketë qëndrimet e njëjta.

Kreu i Qeverisë ka thënë se shpreson që nuk do të ketë shpërputhje të qëndrimeve me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Haradinaj: Nuk kam qëndrime tjera, ne i kemi ato të vazhdueshme që i kemi paraqitur

“Është një takim multilateral, pra nuk është vetëm bilateral ta zëmë ku ne ishim ulë para një pale, por është multilateral, pra edhe pjesa e parë edhe pjesa e dytë. Mendoj që qëndrimet që i ka mbajtur Qeveria e vendit në vazhdimësi janë qëndrime të Kosovës, nuk janë vetëm të kryetarit të Qeverisë, janë të Kosovës. Kam pasur shpresë që nuk do të kemi shpërputhje me presidentin, pra shpresoj që nuk do të kemi shpërputhje. Por, nuk ka ndonjë ndryshim në ato qëndrime që Qeveria e vendit i ka mbajtur në vazhdimësi. Kuptohet ne do ta kemi kohën për të biseduar bashkë me presidentin para ngjarjeve dhe me siguri që do të harmonizojmë, por unë nuk kam qëndrime tjera, ne i kemi ato të vazhdueshme që i kemi paraqitur dhe vlejnë”, tha Haradinaj.

Haradinaj, ka komentuar edhe deklaratën e ambasadorit Philip Kosnett, i cili porositi qytetarët që të ngrisin zërin ndaj zyrtarëve që pasurohen në kurriz të buxhetit të shtetit, duke thënë se janë pozitive këshillat e ambasadorit.

Megjithatë, ai thotë se protesta në rrugë nuk është zgjidhje, ndërsa e quan presion protestën e thirrur nga Vetëvendosje para Prokurorisë së Shtetit.

Haradinaj: Protesta para prokurorisë mund të kalojë në dimensione të tjera gati ndërhyrje apo presion

“Qëndrimet e ambasadorit Kosnett dhe të ambasadorëve të tjerë që Kosova të ballafaqohet me vetveten, pra me të metat, me vështirësitë e veta, edhe Qeveria po edhe qytetarët të kemi vetëdije të ngritur, të reagojnë, të protestojnë janë ndihmesë për Kosovën. pra, shkojnë në drejtim të një vetëdijesimi të një shoqërie më aktive dhe besoj që është në rregull. Është një dallim kur këto reagimet janë të partive politike në këtë rast, i flet shoqërisë civile, qytetarëve, protesta nuk është vetëm dalja në rrugë, ka plot mënyra se si proteston kundër një procesi të caktuar, dukurie negative në vend. Ekziston një rrezik kur një parti politike proteston kundër një prokurori, kjo mundet të kalojë në dimensione të tjera gati ndërhyrje ose presion mbi gjyqësorin. Cdo herë mund të ekzistojë një parti politike që nuk pajton me një zyrtar ligjor, ose me një prokuror, gjyqtarë, ky është një dallim substancial. Unë i kam bërë thirrje edhe me një postim dje Vetëvendosjes që janë parti parlamentare dhe t’i shterojnë krejt instrumentet tjera për paraqitjen e shqetësimet e tyre”, tha ai.

Ai tha se para se të kalohet në protestë ka edhe mënyra të tjera, siç është debati në Kuvend, tryezat, diskutimet.

Kreu i Qeverisë tha se vetëm para 10 muajve Kosova është sovrane në gjyqësor, sipas tij sovraniteti i Kosovës ka filluar vetëm pasi ka përfunduar mandati i EULEX-it. Ai tha se janë 10 muaj punë të gjyqësorit kosovar.

Ndërkaq, i pyetur për masat që do të ndërmarrë shteti i Kosovës ndaj ndalimit të zyrtarëve të Qeverisë nga komuniteti serb të cilët po ndalohen nga Policia serbe, Haradinaj tha se nëse vazhdojnë në këtë mënyrë atëherë edhe Kosova do t’i ndalë zyrtarët serb që vijnë në Kosovë.

Haradinaj: Nuk mundemi me e heshtë faktin që zyrtarët tanë të keqtrajtohen në kufij

“Nuk po paragjykoj çfarë masash, por edhe ne nuk mundemi me e heshtë faktin që zyrtarët të Qeverisë sonë, në këtë rast serb të Kosovës, të keqtrajtohen në kufij nga organet e Serbisë. Nëse ata vazhdojnë me këtë praktikë edhe ne dimë të bëjmë të njëjtën gjë për cdo zyrtarë të Serbisë që vjen në Kosovë. Pra, edhe ne dimë t’i ndalim, me i mbajt me orë, dimë ta dërgojmë AKI-në, Policinë, hetuesinë, nëse dëshirojnë një praktikë të tillë, por nuk mendoj që është në interes të ndërsjellët”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për zgjedhjet që do të mbahen në veri të vendit , ku shpreson që do të ketë zgjedhje të lira dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë sipas bindjes së tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...