20 vjet pas masakrës, familjarët nuk kanë ku të vendosin lule - Bota Sot
20 vjet pas masakrës, familjarët nuk kanë ku të vendosin lule

Aktuale

20 vjet pas masakrës, familjarët nuk kanë ku të vendosin lule

Më: 26 prill 2019 Në ora: 14:13
Në 20 vjetorin e masakrës së Mejës

Në 20 vjetorin e masakrës së Mejës, varrezat në kompleksin memorial nuk janë të rregulluara tërësisht, dhe projekti në Mejë ende nuk është afër përfundimit.

Sipas institucionit përgjegjës për këtë çështje, punimet kanë ngecur si pasojë e kompanive të papërgjegjshme. Ndërkohë familjarët shprehën më të frustruar se asnjëherë më parë, ku sipas tyre, po bëhet vrasje në 20 vjetorin e rënies së më të dashurve të tyre.

Varrezat konsiderohen ngushëllim për familjarët, më të dashurit e të cilëve ranë në luftën e fundit në Kosovë.

Por në Mejë të Gjakovës, ata nuk po mund të ngushëllohen pranë vendit ku pushojnë trupat e familjarëve të tyre.

Gjendja në Kompleksin Memorial në Mejë është e mjerueshme.

Punimi i varreve aty nuk është bërë në mënyrë profesionale, andaj stabiliteti i tyre rrezikohet qoftë prej një dite me mot të lig e me të reshura.

Ekipi i kp-it ka qëndruar në kompleks një ditë para shënimi të 20 vjetorit të masakrës, dhe ka parë një mobilizim të familjarëve për t’i rregulluar sado pak varret e më të dashurve të tyre, në mënyrë që të mund t’i nderojnë ata në përvjetorin e tyre.

Një ditë para përvjetorit, ishin dërguar disa pllaka që duhet vendosur mbi varre, që bartin fotografitë dhe të dhënat personale të të vrarëve.

Familjarët po konsiderojnë se  ka vetëm përpjekje për të improvizuar diçka për datën e 27 prillit, diçka sa për t’u dukur...

Riza Haxhiu ka ardhur nga Zvicra  në përvjetorin e rënies së 33 familjarëve të tij.

Haxhiu: Gjendja në varreza është e mjerueshme

“E mjerueshme, asgjë nuk është bërë siç duhet, prej fillimit e deri sot, edhe pse shumë me vonesë kanë filluar, edhe çka është bërë është bërë dobët, gjynah”, thotë ai.

Përveç tij, kp të enjten ka takuar edhe shumë familjarë  tjerë të cilët vet po i bartnin pllakat përkujtimore dhe po mundoheshin të gjenin varrin e familjarëve të tyre për ta vendosur aty. Diçka që është dashur të përfundonte qysh moti nga kompanitë përgjegjëse.

Sipas tyre, kanë dashur që përvjetori i 20 të jetë më ndryshe, por ngecja e punimeve në varreza u ka pamundësuar çdo aktivitet.

Nesër, në ditën e përvjetorit të masakrës së Mejës, në varrezat e kompleksit memorial do të jenë gati 200 varre pa fotografi.

Dedë Krasniqi, piktori i pavarur të cilit i është besuar puna e punimit të fotografive, thotë se deri më 27 prill do të arrijë të kompletojë afërsisht vetëm 200 fotografi.

Krasniqi: Deri të shtunën mund shtohen vetëm edhe 15 fotografi

“Rreth 180 copa, për të shtunën mund të bëhen edhe rreth 20 copa apo 15, meqenëse ato kanë me u shkru edhe diku tjetër, sa realizohet edhe ajo pjesë”, thotë ai.

Ai thotë të ketë filluar punën me fotografitë në shkurt të këtij viti, meqë atëherë i është dhënë materiali.

Krasniqi: Kam filluar punën në muajin shkurt

Detyra ka qenë me mu dhënë para Vitit të Ri, në 2018-ën, a faktikisht punë kam filluar në fillim të shkurtit.... Materiali më ka ardh në fund të janar të këtij viti”, thotë ai.

Krasniqi, i cili ka edhe familjarë të tij në këto varreza thotë se nga shkurti deri tani, ka kryer punë që merr kohë 5 muaj.

Fotografitë e të vrarëve është dashur të përfundojnë më 24 prill, por ato nuk janë gati as në ditën më të rëndësishme për familjarët, atë të përvjetorit të 20-të  të masakrës e cila i mori jetën 370 personave.

Ka 12 vjet që kanë nisur punimet në ndërtimin e kompleksit Memorial në Mejë, por përveç që nuk ka pasur rregullime, varrezat veç sa janë shkatërruar më shumë.

Haki Sadriu, kryetari i shoqatës “27 Prilli 1999 Mejë”, thotë se kompanitë e thirrura për të kryer punët këtu, nuk po bëjnë asgjë.

Sadriu: Po bëhet vrasje  në 20 vjetorin e  rënies së familjarëve tanë

“Jeni duke e parë punimet që kanë ngecur, sot punohet  kur familjaret ishin edhe vet prapa duke i pastruar dhe e bërë mirëmbajtjen e tyre, kurse firmat vinë sa për të thënë që kemi qenë, jo për të kryer punë sepse sot nuk kryet punë në prezencën e familjareve, është e turpshme, nuk di çka të them sa i përket institucionalizimit të shtetit të Kosovës, kjo është vrasje e cila i bëhet për të satën herë 27 prillit, është vrasje në 20 vjetorin, ku familjarët janë organizuar të bëjnë më ndryshe, meqë është 20 vjetori i rënies, por për shkak të skepticizmit të punimeve që kanë ngecë edhe familjarët janë zbeh dhe nuk e di i do të kalojë ky 27 prill”, thotë ai.

Ndërkohë, Engjëll Berisha, pjesë shoqatës gjithashtu, tregon se po mundohen që të paktën diçka të bëjnë që dita e 27 prillit mos të jetë edhe më e dhimbshme për familjarët.

Berisha: Jemi vonuar me rregullimin e varrezave

“Natyrisht që jemi të vonuar, natyrisht që nuk do të evitohen të gjitha ato defekte të cilat kanë pasuar për kohë të gjatë, por ja që i kemi njoftuar pak a shumë familjarët dhe do të mundohemi ta ndajmë me ta atë pakënaqësinë e tyre, dhe ata do të kenë ankesa edhe par strukturave të cilat do të marrin pjesë ditën e shënimit”, thotë ai.

Drejtori eiAgjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, i cili ka thënë se projekti ka ngecur si pasojë e operatorëve të papërgjegjshëm.

 “Kompleksi memorial i 27 prillit të Mejës është një përgjegjësi e të gjithëve dhe këtë problem kur kam ardh e kam gjetur si problem, dhe jam marrë që nga fillimi për me zgjedh sa më shpejt dhe kjo ka qenë si pasojë e operatorëve të papërgjegjshëm, jam marrë shumë seriozisht me këtë problem dhe e kam parë që një kompani kontraktuese nuk e ka bërë punën ashtu siç duhet dhe ia kam ndërprerë kontratën e tij, mbi të tjera edhe fotografitë i ka bërë shumë të dobëta dhe për mua  kanë qen ë poshtëruese ato fotografi dhe kam kërkuar nga operatori që mos të lejojë të punojë ai dhe kontraktori është detyruar të marrë tjetër kompani”, ka thënë ai përmes telefonit.

I pyetur pse kompanie që agjencia e ka kontraktuar i ka dërguar aq vonë materialin piktorit, për t’i punuar fotografitë, Zogaj thotë se kontraktori është detyruar të ndërpresë kontratën me një tjetër që ka qenë në marrëveshje, dhe ka pasur pastaj vështirësi në gjetjen e gurit i cili i plotëson kriteret.

Sipas tij, kjo ka shkaktuar vonesë fillimisht ,derisa është siguruar graniti i duhur për punimin e fotografive, pastaj ka marrë kohë edhe puna e piktorit, meqë siç thekson Zogaj, janë marrë vesh edhe me familjarët që fotografitë të jenë të punuar më së miri.

Ai shton se nënkontraktori i parë që i ka punuar fotografitë, ka dështuar meqë të njëjtat kanë qenë ofenduese për familjarët.

Ai pranon se institucionet janë vonuar në rregullimin e varrezave, dhe kompleksit në Mejë, por thotë se është e rëndësishme që finalizimi të jetë i mirë.

Sipas Zogajt, rregullimi i varrezave pritet të përfundojë për një muaj, ndërkohë që projektin në tërësi thotë se synojnë ta përfundojnë në vitin 2020, ani pse kontrata e parasheh deri në vitin 2021.

Kujtojmë se vitin që shkoi, familjarët ngritën dyshime se mjetet e parapara për ndërtimi ne kompleksit janë keqpërdorur, andaj është vonuar në punime.

Si rrjedhojë e kësaj, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj kishte kërkuar nga kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi që nisë hetimet, por që prokuroria doli me konstatim që nuk ka pasur elemente të veprës penale, dhe i ndaloi hetimet.

Nesër në Mejë të Gjakovës shënohet 20 vjetori i masakrës, ku u vranë 370 persona.

Sivjet, aty pritet të jetë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, e që është hera e parë që një ambasador amerikan viziton Mejën në ditën e 27 prillit.

Në ceremoni, që është e organizuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, përveç këtij të fundit pritet të jetë edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Mësohet se familjarët do të provojnë të jenë më të qetë karshi institucioneve dhe krerëve të shtetit, për shkak të pjesëmarrës së ambasadorit amerikan aty, meqë, frustrimi i tyre ndaj shtetit është në rritje derisa gjendja e varreve ku pushojnë më të dashurit e tyre është e mjerueshme

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...