Kolona të gjata dhe pritje më shumë se tre orë në Merdare

Aktuale

Kolona të gjata dhe pritje më shumë se tre orë në Merdare

Më: 26 prill 2019 Në ora: 14:27
Kolona në Merdare

Kalimi i pjesëtarëve të SLS-së në pikën kufitare në Merdare ka shkaktuar pritje të gjata në këtë pjesë dhe po ashtu pakënaqësi të shumta tek qytetarët.

Bashkatdhetarët të cilët po prisnin për të kaluar kufirin Kosovë Serbi thanë se për shkak të këtij aktiviteti janë duke pritur për më shumë se tri orë.

Gani Hasani bashkatdhetar, e pyeti liderin e SLS-së, Slobodan Petrovic përse zgjodhën që këtë aktivitet ta bëjnë sot kur dihet se fluksi i bashkatdhetarëve gjatë fundit të javës është dukshëm më i madh.

Hasani: Që tri orë jemi duke pritur nuk po e dimë pse po bëhet ky aktivitet

 "Ne jemi duke pritur që tri orë e gjysmë dhe është bllokuar kufiri, rëndësinë e këtij tubimi nuk po e dimë ... Është bllokuar kufiri kemi gra, pleq e fëmijë dhe është fundi i javës a ka pasur mundësi që këtë vizitë me e bë të hënën kur ka me pak bashkatdhetar", tha ky bashkatdhetar.

Lideri i Partisë Liberale Serbe, Slobodan Petrovic këtij mërgimtari iu përgjigj duke i thënë se situata e tyre është më e vështirë se sa e këtyre mërgimtarëve qe po presin.

Ai iu bëri thirrje institucioneve që të merren me zgjidhjen e këtij problemi.

Petroviq: Problemi jonë është më i madh

" E kuptoj zemërimin tuaj por ju të paktën prisni dhe kaloni ndërsa problemi jon është që po na ndalin. Unë gjithsesi apeloj tek policia e dy vendeve që t’ua bëjnë më të lehtë kalimin”, tha Petroviq.

Qytetari Arton Zymeri, për Kosovapress u shpreh se gjithmonë po ballafaqohen më këtë problem.

Sipas tij, këto pritje të gjata në pikën kufitare Merdare po shkaktohen si pasojë e maltretimeve që po u bëhen nga ana e Serbisë.

 Zymeri: Situata e njëjtë është gjithmonë, po presim që nga ora gjysmë dhjetë

 "Sot prita që nga ora 09:30 deri tani dhe ma merr mendja rreth orës 13:00 dalim e njëjta është gjithmonë, kur kanë pushime fëmijë në Gjermani ka gjithmonë probleme për me dal në kufi, nuk është kah shqiptarët problemi, por kah shqiptarët....problem nuk na ka bërë protesta, problem po bëjnë andej kah Serbia", tha ky qytetar.

Lutë Grabanica i cili po udhëtonte për në Gjermani shprehu shqetësimin e tij për këto pritje të gjata në Merdare.

 Edhe ky mërgimtar tha se pritjet më të gjata po bëhen në pikën kufitare me shtetin serb.

Grabanica: Që 24 vite jam në gurbet prej me orë të tëra çdo herë

"Qe tri orë.... Valla pres edhe më shpesh edhe më shumë... Jo nuk na kanë treguar. Mirë është për vendin tonë, për udhëtarët që udhëtojnë për në mërgim nuk është herë e parë, por prej që jam qe 24 vite në gurbet me nga tri, katër, pesë orë deri në 10 orë më ka ndodhur me prit", u shpreh Grabanica.

Edhe Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdare janë shtuar kolonat dhe pritjet.

Në këtë pikë kufitare kolonat e automjeteve gjatë kohës së protestës arritën deri në 2 kilometra.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme në pikën kufitare në Merdare në shenjë pakënaqësie për ndalesat që po u bëhen anëtarëve të Partisë Liberale të Serbisë po në këtë pikë kanë tentuar të kalojnë në atë pjesë kufirin. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat