Habib Tahiri, është kandidat për eurodeputet në Parlamentin Evropian nga Partia HNS në Kroaci, si kandidat i pavarur i komunitetit shqiptar në Kroaci.
Ai ka lindur në Mitrovicë ndërsa jeton në qytetin Novska që nga viti 1991. Habib Tahiri, me profesion është teknik i lartë medicional.
Punon në Institutin e Emergjencës në qytet.
Ai është Kryetar i Këshillit të pakicave kombëtare në prefekturën Sisak - Mosllavinë që nga viti 2007. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Habib Tahiri është pritur sot në takim nga kryeparlamentari Kadri Veseli i cili i dha përkrahje për angazhimin në zgjedhjet parlamentare evropiane.
Me këtë rast, Veseli ka ftuar të gjithë shqiptarët në diasporë që ti mbështesin kandidatët shqiptarë për eurodeputet.
Tahiri tha se është i privilegjuar për mbështetjen që mori nga kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Tahiri: Mbështetja e Veselit, privilegj për mua
“E pata një takim me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin e mora mbështetjen e tij. Kjo është një kënaqësi e imja e madhe se mbështetja e tij ka domethënie të madhe për mua, besoj për të gjithë shqiptarët sepse ai ka dhënë kontributin e madh për formimin e shtetin e Kosovës. Mbështetja e tij është një privilegj për mua”, tha Tahiri.
Tahiri tha se po qëndron në Kosovë për t’u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Kroaci që ta mbështesin kandidaturën e tij duke u zotuar se do të mbështesë interesat e kombit tonë në Parlamentin Evropian.
Ai tha se është kandidat në listën e HNS-së me numër 11.
Tahiri: Do ti mbroj interesat e kombit tonë në PE
‘Jam kandidat në listën e HNS me numër 11 jam në vendin e 7-të dhe I ftoj të gjithë shqiptarët që jetojnë në Kroaci që të më mbështetin për ti mbrojtur interesat e kombit tonë si në Kroaci gjithashtu edhe në Parlamentin Evropian”, tha ai. Kujtojmë se në Kroaci jetojnë rreth 20 mijë shqiptarë.