Gjenocidi në Mejë nuk u ndëshkua

Aktuale

Gjenocidi në Mejë nuk u ndëshkua

Më: 27 prill 2019 Në ora: 16:02
Foto

Krerët e shtetit të Kosovës janë mbudhur të shtunën në Mejë të Gjakovës për të shënuar 20 vjetorin e Masakrës së Mejës dhe Ditën e Të Pagjeturve. Nga kompleksi memorial në Mejë, ata thanë se drejtësia ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë që të ndëshkojë ata që kryen gjenocid në Kosovë. Gjithashtu, u premtuan familjarëve se do të kenë trajtim dinjitoz.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, para familjarëve të personave të vrarë e të zhdukur, tha se pasojat e luftës nga shteti i Serbisë janë ende të freskëta.

Ai tha se është e qartë, Serbia kreu spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë.

Thaçi: Ky gjenocid nuk u ndëshkua

“Për fat të keq duhet të themi botërisht as nga drejtësia lokale, as ndërkombëtare ky gjenocid nuk u ndëshkua. Sikur po kalon ne heshtje ndërkombëtare në tendenca të barasoeshës. Pra ndëshkimi i gjenocidit serb është 0. Qytetarët e duan drejtësinë. Fati u të pagjeturve duhet të zbardhet pavarësisht etnisë. Kishin shpresuar që në dialogun e Brukselit çështja e të pagjeturve do të ishte pika e parë, po Serbia e ka kushtëzuar këtë proces, e Kosova nuk do të pranojë kushtëzime, as në takimin e Berlinit”, tha ai.

Ai falënderoi SHBA-të për mbështetjen ndaj Kosovës. Tha se Kosova do të jetë çdo herë mirënjohëse.

Aty ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, për të cilin u tha se prezenca e tij lehtëson dhembjet për familjarët e të pagjeturve.

Ambasadori amerikan tha se realiteti i krimeve në Mejë është aq i tmerrshëm.

Kosnett: Askush mos të dyshojë sa e thellë është miqësia mes ShBA-ve dhe Kosovës

“Askush mos të dyshojë sa e thellë apo e qëndrueshme është miqësia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Mbështetja e Amerikës ndaj qëllimit për paqe, drejtësi dhe mbarësi për Kosovën dhe fqinjët e Kosovës mbetët e qëndrueshme. Përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës paraqet një trashëgimi të thellë për ata që vdiqën që Kosova të jetë e lirë”, tha ai.

Ai pati porosi për familjarët.

Kosnett: Kosovën dhe Serbinë duhet të kenë përkushtim për t’i gjetur dhe trupat e të pagjeturve

“Për hir të gjeneratave që që vinë pas e nxis popullin e Kosovës dhe fqinjët tuaj të pranoni dhe të diskutoni drejtpërdrejtë për çastet e errëta të historisë suaj të përbashkët. Për disa kjo do të thotë pranim të realitetit të fushatës së spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit, që rezultoi me vrasjen dhe zhdukjen e mijëra dhe për t’u siguruar që përgjegjësit të japin llogari të plotë. Për popullin e Kosovës duhet të nënkuptojë që ju dhe demokracia juaj t’i përmbahet një parimi më të lartë dhe të sigurojë llogaridhënie për të gjithë ata individë që kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës përkundër realitetit të hidhur se shumë fajtorë tjetër kund i janë shmangur drejtësisë deri tash. E për Kosovën dhe Serbinë duhet të nënkuptojë përkushtim të përtërirë për t’i gjetur dhe kthyer trupat e të pagjeturve duke punuar në mirëbesim me bashkësinë ndërkombëtare për të bërë publike dhe për të vepruar në bazë të gjitha informatave në dispozicion”, tha ai.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha se qeveria e vendit do t’i kryej detyrat e veta duke i dhënë respektin e merituar familjarëve të të pagjeturve.

Haradinaj tha se familjet do të kenë përkrahje të duhur të dinjitetshme institucionale. Rregullohet edhe përkrahja e shoqatave me ligj.

Haradinaj:Ligji për personat e zhdukur në qershor në Kuvend

“Ligji për personat e zhdukur është ligj i ri që është në diskutim publik, qëllimi kryesor është të rregullohet statusi i personit të zhdukur, dhe martireve te kombit. Në ligji e ri nuk ka mekanizëm që ndalon pensionin e familjes pas gjetjes së personit të zhdukur siç ka ndodhur deri më të tani. Ligji është publikuar më 25 prill 2019, afati u diskutimit publik përfundon më 17 maj 2019 pastaj për 15 ditë dorëzohet në qeveri, që i bjen në fillim të qershorit që nënkupton që në gjysnën e dytë të qershorit është në parlament. Me ketë, Kosova i del zot dhe i njohin të drejtën, statusin ligjor të personave të zhdukur, të familjeve të martirëve. Me ligjin e ri do të ketë rritje të mbështetjes shëndetësore, në arsim, e drejta e burses, përparësi në konvikte, në shërbimet sociale e transport falas, lehtësira në doganë”, tha ai.

Sipas Haradinajt, për këto familje do të ketë edhe lehtësira në pagesa të rrymës dhe të tjera.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se u janë hargjuar fjalët e janë rritur pakënaqësitë e qytetarëve.

Ai tha se çdo vit derisa në Kosovë pikëllohen, ekzekutuesit e masakrave gëzohen e i mohojnë veprat e tyre mizore.

Veseli: Pse nuk ka drejtësi

 “186 herë krim, rreth 15 mijë civil të vrarë, nga ta afër 1300 janë fëmijë. 186 herë është dështim i drejtësisë ndërkombëtare, 186 herë i kanë vrarë e i kanë rivrarë, i kanë varrosur e rivarrosur. Nuk e dimë çfarë u kanë bërë, ai vetëm i kanë vrarë a u kanë marrë organet, pse i kanë rivarrosur, pse i kanë larguar në Serbi, pastaj pa asnjë analizë i kanë kthyer në Kosovë. Por diçka e dimë të gjithë, siç dihet kjo ditë, siç është kjo masakër e Mejës më 27 prill, dihen njësitet serbe, dihen urdhëruesit, dihen komanduesit, dihen ekzekutuesit, dhe sot më të drejtë të gjithë qytetarët pyesin pse nuk ka drejtësi, pse ka mohim”, tha ai.

Veseli tha se nuk duan revansh, duan vetëm drejtësi.

Ai tha se duan që ekzekutuesit e urdhëruesit të dalin para drejtësisë.

Ndërsa, kryetari u Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se populli i Kosovës nuk ka bërë asnjëherë krime.

Gjini: Janë vrarë vetëm që kanë qenë shqiptar

“Një gjë është e qartë dhe duhet ta themi, të gjitha viktimat në Mejë e kanë një të përbashkët l, të rritur, pleq, kanë mundur me qenë musliman kanë mudur me qenë katolik, por e kanë pas një të përbashkët, të vetmen arsye pse janë vrarë, pse kanë qenë shqiptar. Kjo neve na bënë bashkë”, tha ai.

E Zeqë Tahiraj që foli në emër të familjeve, tha se krimi në Kosovë është krim ndaj njerëzimit.

Ai pati një kërkesë për kryeministrin.

Tahiraj: Edhe këtë vit nuk u finalizua projekti

“Edhe këtë vit nuk u finalizua projekti, ne nuk kemi dashur të bëjmë politikë me të vrarët dhe mbetëm shumë prapa...i nderuari zotëri kryeministër gjithë familjarët e të rënëve në Mejë, kërkojnë nga ju që në mundësitë të juaja, autoritetin ligjor që e ke, mundësisht të mos presim gabime të tilla që shkaktojnë trishtim tek familjarët”, tha ai.

Në Mejë sot ishin familjarë nga e gjithë Kosova, me qellim të për të shënimit të ditës së të pagjeturve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat