Familjarët kërkojnë zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkim për kriminelët

Aktuale

Familjarët kërkojnë zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkim për kriminelët

Më: 27 prill 2019 Në ora: 17:46
Foto

Qindra qytetarë, familjarë të personave të vrarë e të zhdukur në luftë, e përfaqësues të institucioneve, kanë bërë homazhe të shtunën në kompleksin memorial në Mejë. Ata po kërkojnë zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, dhe duan që institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare të bëjnë presion mbi Serbinë, që kjo e fundit të tregoi vendndodhjen e varrezave masive.

Motin e ftohtë dhe me shi nuk po ndjenin farë nënat që po qanin pranë varreve të fëmijëve të tyre, të cilët regjimi i Millosheviqit ua mori në moshën më të mirë që kishin.

Si çdo ditë tjetër, edhe sot po i kujtojnë fëmijët e tyre të vrarë, por sot janë mbledhur të gjithë bashkë në kompleks, në përvjetorin e ’20 të Masakrës së Mejës, dhe Ditën e Personave të Pagjetur.

Një prej viktimave ishte edhe i ndjeri Bajrush Avdyli. Ai nuk ishte as 16 vjeç, kur serbët e ekzekutuan në Mejë.

Nëna e tij, Tixhë Ademi vështirë po qëndronte në këmbë sot, pranë varrit të djalit.

Lotët nuk po i mban dot, derisa mbi fotografinë e tij po vendosen lule nga familjarët.

Ademi: Serbët ma kanë vrarë djalin pa i mbushur 16 vjet

“Djalin ma ka kanë marrë në Mejë, pa i bërë 16 vjet, ka qenë nxënës i shkollës, ma kanë ndarë prej shokëve..... Ishalla morë Zot këtë vend e gëzojnë të tjerët ,e gjaku i tyre ishalla paguhet, sepse askush nuk po i këqyr as nuk po lodhet për ta”, tha ajo.

Ajo tha se 27 prillin nuk mund ta harrojnë asnjëherë.

Ademi: Nuk mund ta harrojmë 27 prillin

“Kurr nuk e harrojmë këtë ditë, ditë për ne është sa të jemi gjallë me mbajt kujtim. Është shumë ditë e dhimbshme, shih sa njeriu është, krejt me lot në sy kemi shkuar në Shqipëri, krejt me lot në faqe”, tha ajo.

Pranë saj qëndronte edhe bashkëshorti, Riza Avdyli, i cili tha se Serbia duhet të jap llogari për këtë masakër.

Avdyli: Na kanë masakruar edhe pse kemi qenë të dorëzuar

“Edhe lufta i ka ligjet e veta, në luftë ushtria kur dorëzohet nuk e vret kundërshtari, çarmatoset, e dorëzon edhe e burgos. E ne këtu kemi qenë krejt të dorëzuar, e me na masakru, kjo nuk e di si. Nuk ka as kush të ankohet, Serbia duhet me dhënë llogari të madhe për këtë punë”, thotë ai.

Bashkë me familjarët për të shënuar ’20 vjetorin e Masakrës së Mejës dhe Ditën e të Pagjeturve ishte edhe Nysrete Kumnova, e cila drejton shoqatën “Thirrjet e Nënave”.

Ajo tha se 27 prilli është ditë e rëndë për të gjithë Kosovën.

Sipas saj, është një lehtësim kur datat shënohen dhe janë të gjithë së bashku për t’i përkujtuar, por që nuk duhet të mbetët vetë më shënim të këtyre datave.

Kumnova: Nuk duhet të mblidhemi vetëm për këto data

“Nuk është vetëm të mblidhemi vetëm në data të caktuara, kjo çështje duhet të jetë në agjendë çdo ditë, derisa kriminelët të dënohen të dalin para drejtësisë dhe të na i kthejnë edhe 1200 shqiptarë që ende janë nëpër varrezat masive të Serbisë. T’i vnojnë kusht bashkësia ndërkombëtare, edhe institucionet tona, ta kushtëzojnë Serbinë me kthimin e më të dashurve tanë, dhe kriminelët të dënohen, të marrin dënimin e merituar”, thotë ajo.

Ajo shpreson që do të arrihet të ngritët kallëzim penal për të gjithë kriminelët e Serbisë.

Për të shënuar këtë ditë, në Mejë të shtunën shkuan shoqata të familjeve të personave të pagjetur, nga e gjithë Kosova.

Bajram Qerkinaj nga “Zëri i prindërve”, tha se mllefi i familjarëve nuk shërohet me fjalë, por me punë dhe me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Qerkinaj: Familjarët nuk bëhen rahat derisa të zbardhet fati i të pagjeturve

“Nuk e di sot çka duhet të thuhet përveç me thënë kemi bërë këto mure, këto varreza, dhe nuk e di për një ligj, merre me mend që dy vjet edhe kafshatën e gojës ua kanë ndarë përgjysmë familjarëve. Të mllefum, të mbushur, të mërzitur të gjitha ato çka i kanë familjarët nuk shërohen me fjalë, por me punë dhe me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, nuk ka familjarë që bëhet rahat derisa të zbardhet fati i të pagjeturve. Mirë është me i përkujtu këta që kanë shkuar, edhe mirë është me i këqyr ku janë familjarët e tyre, në çfarë situate”, thotë ai.

Në Kompleksin Memorial në Mejë, kryeministri i Kosovës kishte organizuar akademi përkujtimore, ku familjarëve, përveç tij, iu drejtua edhe presidenti i Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kreu i Komunës së Gjakovës.

Sivjet, për herë të parë Mejën më 27 prill e vizitoi një ambasador amerikan. Phillip Kosnett foli para familjarëve, ku tha se masakra e Mejës ishte e tmerrshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat