Kjo është thirrja e Mustafës për Thaçin dhe Haradinajn para Samitit në Berlin

Aktuale

Kjo është thirrja e Mustafës për Thaçin dhe Haradinajn para Samitit në Berlin

Më: 28 prill 2019 Në ora: 15:20
Isa Mustafa

Kur Kosova është e qartë në qëndrimet e saj, e ka më lehtë edhe në Berlin edhe në Washington, njëherësh ua lehtëson punën edhe miqve të saj ndërkombëtar. Kështu ka deklaruar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në prag të takimit në Berlin.

Takimi i nesërm në Berlin, ku do të marrin pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, po shihet si një mundësi e mirë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për të shtyrë përpara rrjedhat e bashkëpunimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Këtë takim, i pari i LDK-së, e ka quajtur të dobishëm për të dinamizuar komunikimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe vendeve të Ballkanit me BE-në në përgjithësi.  

Në një postim në murin e tij në facebook, Mustafa ka shkruar se jo vetëm Kosova dhe Serbia, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shumë punë për tu evropianizuar institucionalisht. Ndërsa vëmendje të posaçme i ka kushtuar nevojës që ka Kosova për përkrahjen ndërkombëtare.

“Kosova ka nevojë për përkrahje të Gjermanisë dhe të Francës, tani si vende boshte të BE-së. Sikurse që i nevojitet partneritet i fortë me SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar për të arritur Marrëveshjen përfundimtare me Serbinë... Kur Kosova është e qartë në qëndrimet e saj, dhe mendoj se pjesa dërmuese e subjekteve janë të qarta, e ka më leht edhe në Berlin edhe në Washington, ua lehtëson punën edhe miqëve tanë”, ka shkruar ai. 

Ai ka përsëritur se LDK-ja, si parti më e madhe në vend, është shprehur qartë për nevojën e një marrëveshjeje të qëndrueshme, sikurse që ka qenë dhe është e qartë se nuk do të përkrahë asnjë marrëveshje e cila prek kufijtë e Kosovës, shtetësinë e shpallur me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, karakterin unitar të vendit dhe që është e rrezikshme për regjionin dhe më gjerë.

Duke theksuar nevojën për unitet, Mustafa ka shkruar se kur Kosova është e qartë në qëndrimet e saj, e ka më lehtë rrugën e saj në proceset nëpër të cilat po kalon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat