BSPK: Kërkesat tona të merren parasysh, ndryshe sheshet do të mbushen me protestues

Aktuale

BSPK: Kërkesat tona të merren parasysh, ndryshe sheshet do të mbushen me protestues

Më: 1 maj 2019 Në ora: 13:54
Pamje nga protesta

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka organizuar protestë për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre.

Në numër simbolik prej dhjetëra qytetarëve, ata kanë kërkuar që të ngritet paga minimale deri në 300 euro, të ketë siguri në punë tek punëtorët dhe skema pensionale të mirëfillta. Të gjitha kërkesat e drejtuara karshi Qeverisë,  theksuan se duhet të merren parasysh, në të kundërtën thanë se sheshet do të mbushen plot me protestues.

Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini u shpreh se me anë të kësaj proteste po i shpalosin një  mal me kërkesa ndaj institucioneve, pasi siç e cilëson ai ato po hasin në vesh të shurdhër.

Ajdini i bëri të qartë Qeverisë, se paga minimale duhet të rritet dhe ajo sipas tij duhet të jetë deri në 300 euro.  Ai po ashtu, kërkoi të ketë skema pensionale të mirëfillta dhe që punëtorët të kenë siguri në punë.

Ajdini: Paga minimale duhet të jetë 300 euro

“Ajo pagë minimale duhet të jetë 300 euro, sepse shporta e qytetarit dhe shporta e punëtorit është ngrit dhe kjo e ka bërë që paga minimale duhet të jetë dhe 300 euro. Ne bashkërisht duhet të jemi gjithmonë më të fort, asnjëherë nuk do të hezitojmë që të shpalosim kërkesat tona....Kemi kërkuar që të rregullohet skema pensionale me kërkesat tona, eventualisht sipas kontributeve, ose të zbres dhe në 10 vite. Të nderuar punëtor, gjithmonë duhet të jemi unik për me i realizuar të gjitha kërkesat të cilat kemi çdo ditë shkelje ligjore dhe kërkojmë që ligji të implementohet dhe të zbatohet”, tha Ajdini.

I ashpër me institucionet ishte dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, i cili iu drejtua qeverisë që mos t’i shohin si pakicë, pasi nëse nuk shikohet kërkesat e tyre, i gjithë sheshi do të mbushet plot me protestues.

Jashari: Nëse shteti nuk i shikon kërkesat tona, sheshi do të mbushet plot

“T’iu kujtoj institucioneve që mos të na shohin pak sot, sepse dhe në arsim filluam me pak. Filluam me një protestë modeste, vazhduam me 1 orë grevë. Ata nuk  dëgjuan zërin tonë, pastaj ndodhi greva 3 javore, i tërë shteti u ngrit në këmbë. Nëse shteti nuk i shikon kërkesat tona, atëherë unë jam i sigurt që ky shesh do të mbushet plot, pastaj mbase do të jetë dhe vonë që të merren me kërkesat tona, prandaj i them qeverisë merru me kërkesat tona, sepse nesër mund të bëhet vonë”, u shpreh Jashari.

Me tone të ashpra iu drejtua institucioneve dhe nënkryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica.

Sipas tij, i gjithë shteti është i kapur nga politika dhe paritë politike, pasi ai konsideron se institucionet nuk po mendojnë për punëtorin.

Duke përmendur të drejtat e punëtorëve, ai i shpalosi disa kërkesa karshi Qeverisë.

Llumnica: Ky shtet është i kapur nga politika

“Në Kosovë sikur respektohet ligji, sikur jemi shumë të pasur. Sikur nuk jetojmë në varfëri të skajshme. Sikur nuk jemi një shtet që nuk i respekton aspak punëtorët, çdo ditë punëtorët e Kosovës, lëndohen, madje dhe vdesin në vende të punës. Nuk po flasim për kontratat e tyre të punës, sepse ato nuk ekzistojnë fare, sidomos në sektorin privat. Të gjithë e dinë se jemi të pakënaqur me pagën minimale në sektorin privat. Jam i bindur që ata nuk guxojnë të shprehin pakënaqësitë sepse ky shtet krejtësisht është i kapur nga politika nga partitë politike”, u shpreh nënkryetari i Sindikatës së KEK-ut, Llumnica. 

Pjesë e kësaj proteste kishte mysafir dhe nga shtete e huaja. Nga  sindikata e  Punëtorëve, UNIA në Zvicrës, Mattia Lentto u shpreh në përkrahje të këtyre protestave për t’i kërkuar të drejtat elementare të punës.

Ai tha se rol të rëndësishëm duhet të ketë te qasja e të drejtave të punës tek gratë, pasi sipas tij ato përballen me sfida të shumta.

Lentto: Gratë diskriminohen në mënyra të shumëfishta

“Gratë janë ato që diskriminohet në mënyra të shumëfishta, apo dyfishtë. Sa i përket pa barazisë në paga dhe në Zvicër fitojmë 20 për qind më pak. Mirëpo grat përpos diskriminimit në paga, përjetojnë dhe diskriminime tjera, ngacmim seksual, trajtim jo të barabartë të pagesës dhe gjithë ne duhet të solidarizohemi dhe të kërkojmë barazi me to”, tha ai.

Kryetari i Këshillit Organizativ të protestës, Abedin Haxhiu tha se janë tubuar për t’i shfaqur gjitha pakënaqësitë që po iu bëhen ndaj tyre, me qëllim që siç thotë ai të kenë zgjidhje për ato çështje.

Gjatë ditës së sotme kanë protestuar dhe Rrjeti i Grave të Kosovës të cilët kanë kërkuar që mos të ketë diskriminim në baza gjinore në vende të punës.

Në shenjë simbolike ky grup prej dhjetëra qytetarëve kanë marshuar me pankarta të ndryshme për një shoqëri të lirë dhe barabartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat