Kërkohet Tribunal për gjenocidin serb në Kosovë

Aktuale

Kërkohet Tribunal për gjenocidin serb në Kosovë

Më: 2 maj 2019 Në ora: 15:36
Foto

20-vjetori i masakrës së Studimës i ka bërë bashkë krerët institucionalë të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ata me rastin e njërës prej masakrave më të mëdha kanë kërkuar që gjenocidi i Serbisë në Kosovë të shpaguhet dhe gjithë kriminelët serbë të vihen para drejtësisë.

Në mesin e shumë qytetarëve që kishin ardhur për të nderuar 117 martirët e vrarë, krerët e institucioneve u shprehen se drejtësia do të vendoset dhe me anë të një rezolute që pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës që i adreson këto masakra në mënyrë që të formohet një Tribunal vendor ose ndërkombëtar.

I pari i shtetit, Hashim Thaçi u shpreh se shteti i Serbisë me masakrat që ka bërë e ka vulosur gjenocidin në Kosovë dhe mos ndëshkimi për këto masakra, sipas tij është një amnisti dhe selektim në drejtësi.

Thaçi: Mos ndëshkimi i gjenocidit serb në Kosovë, selektim në drejtësi

Video

“Serbia e ka vulosur me këto masakra gjenocidin në Kosovë. Prandaj Kuvendi i Republikës se Kosovës besoj së shpejti, siç është propozuar nga kryetari Veseli do të nxjerrë një rezolutë që dënon gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë. Jo vetëm që e dënon, por në të njëjtën kohë do të kërkojmë që drejtësia të jetë në vendin e duhur...Mos ndëshkimi i gjenocidit serb në Kosovë është një selektim në drejtësi, por dhe amnisti ndërkombëtare për gjenocidin e kryer në Kosovë. Prandaj ne si institucione do të bëjmë gjithçka që është e mundur”, tha presidenti Thaçi.

Se ka bërë gjenocid në Kosovë Serbia, e tha dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Për të gjitha këto krime që janë kryer në Kosovë janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë.

Duke përmendur rezolutën që pritët të miratohet në Kuvendin e Kosovës, Veseli tha se me anë të kësaj do të shkohet deri në fund që gjithë përgjegjësit të jenë para drejtësisë.     

Veseli: Duhet të ketë një Tribunal për krimet e Serbëve në Kosovë

“Gjithë kjo ka vetëm një shpagim, jo hakmarrje, jo revanshin, jo konfliktin. Ne nuk duam të kemi revansh, nuk duam konflikte, nuk duam të ketë luftë, as me Serbinë e as me askënd. Duam paqe, por dhe shpagim në bazë të drejtësisë ndërkombëtare. Kjo është dhe arsyeja që në Kuvendin e Republikës së Kosovës shumë shpejt do të kemi një rezolutë, por nuk do të jetë vetëm një rezolutë. Do të kemi dhe iniciativa konkrete të cilat kanë të bëjnë me drejtësinë e cila i vënë para përgjegjësisë ata të cilët i kanë kryer këto krime. Sot vetëm kanë filluar takimet në Kuvendin e Kosovës me organet tona të drejtësisë dhe shoqatat për të shkuar deri në fund që të nxirret një vendim në Kuvendin e Kosovës. Duhet të ketë dhe nuk asnjë alternativë tjetër pa pasur, për faktin se atëherë do të ketë vështirësi për të ecur përpara. Një tribunal, i cili duhet të jetë ose i Kosovës në rastin më të mirë, nëse ka hezitime atëherë do të jetë një tribunal ndërkombëtar për krime të cilat i ka kryer Serbia ndaj popullit shqiptar”, tha Veseli.

Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, po ashtu tha se është e padrejtë që ende nuk është vendosur drejtësia për masakrën e Studimes.

Ai gjithashtu të ditur se ky vend ku pushojnë martirët e Studimes do të ketë një memorial.

Haradinaj: Ata që i kanë bërë krimet po i mohojnë

“Çka është dhe më e keqe, përveç faktit se nuk është vendosur drejtësia, për martirët e Studimes dhe plot të tjerë. Ata që i kanë kryer kanë filluar t’i mohojnë. Po provojnë me bind botën që nuk i kanë bërë këto krime. Pra, është e vërtetë që gjitha institucionet e vendet edhe pse vonë, që u tha se është vonë, por kurrë nuk është vonë që të jemi të bashkuar dhe të vendoset drejtësia”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Komunës se Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, pati një pyetje për bartësin e institucioneve se pse asnjë person nuk është dënuar për këtë masakër.

Tahiri: Në 20 vitet e lirisë për këtë masakër nuk u dënua askush

“Të nderuar bartës të institucioneve tona, në emër të familjarëve sot pyes. Çka po ndodh me ne, në 20 vite të lirisë si është e mundur që ende asnjë kriminel nuk u dënua, nuk u gjykua. Madje, nuk u ngrit asnjë aktakuzë për këtë krim nga më të tmerrshmi”, tha Tahiri.

Në emër të familjarëve, Fehmi Gërxhaliu kujtoi momente të 2 majit 1999, ku në Studime në mënyrë jo njerëzore u vranë nga dora serbe 117 shqiptarë të pafajshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat