Në shtator përurohet Ambasada e Kosovës në Katar

Aktuale

Në shtator përurohet Ambasada e Kosovës në Katar

Më: 2 maj 2019 Në ora: 15:48
Foto nga takimi

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në një takim të rregullt pune, ambasadorin e Katarit në Shqipëri, jo-rezident për Kosovë, Ali Bin Hamad Al Marri, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes të dyja vendeve.

Në kuadër të këtij takimi ambasadori Al Marri u informua për procesin e hapjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Doha.

Me këtë rast, ministri Pacolli po ashtu e njoftoi diplomatin e Katarit për takimin që ka zhvilluar në Stamboll me Sheikh Abdullah Bin Khalifa Al Thani, i cili është pjesë e familjes mbretërore të Katarit, dhe njëherësh ish-kryeministër i Katarit, me të cilin ka diskutuar për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe politik me Katarin.  

Ambasadori Al Marri u njoftua edhe për planin e ministrit Pacolli për të vizituar zyrtarisht Katarin në muajin shtator, me ç’rast edhe do të inaugurohet Ambasada e Kosovës, si dhe do të zhvillohen takime të nivelit të lartë me qëllim ngritjen e bashkëpunimit dy-palësh në të gjitha fushat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat