Ndërhyrja e Edi Ramës në çështjet e Kosovës – Arrogancë apo interes kombëtar?

Aktuale

Ndërhyrja e Edi Ramës në çështjet e Kosovës – Arrogancë apo interes kombëtar?

Më: 2 maj 2019 Në ora: 19:56
Ramush Haradinaj dhe Edi Rama

Ani pse kryeministër i një shteti tjetër, Edi Rama jo rrallë herë është marrë edhe me punët e brendshme të Kosovës.

Përveç në intervista të ndryshme, ai edhe në konferenca të shumta për media e kishte përmendur plot herë çështjen e Kosovës.

Buja më e madhe publike ishte shkaktuar me rastin e vizitës së tij në Beograd, ku ai theksoi se çështja e Kosovës është e mbyllur dhe se Serbia duhet që sa më shpejtë ta njoh realitetin.

Së fundmi, në Samitin e Berlinit taksa u bë ‘mollë sherri’ mes kryeministrit Haradinaj dhe homologut të tij nga Shqipëria, Edi Rama.

Ky i fundit u akuzua nga Haradinaj, se në Berlin bashkë me presidentin Thaçi e kishin vënë në pozitë të vështirë duke i kërkuar heqjen e taksës para Merkelit e Macronit.

Por, si e vlerësojnë njohësit e çështjeve politike përzierjen e Edi Ramës në çështjet e brendshme të Kosovës?

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Milazim Krasniqi, e cilëson arrogante qasjen e Edi Ramës ndaj Kosovës.

Ai thotë se një sjellje e tillë e dëmton më së shumti pozicionin shtetëror të Prishtinës.

“Qasja e Edi Ramës ndaj çështjeve të Kosovës, ndaj relacionit të Kosovës me Serbinë ka pasur elemente të arrogancës paternaliste, gjë që ka qenë e dëmshme edhe ajo tendenca e tij gjoja për afrim miqësor me Vuçiqin dhe me Serbinë, sepse kjo realisht ka ndikuar në dobësimin e pozitës së Kosovës”, thotë ai.

Tutje, Krasniqi thotë se Rama ka prirje egoiste më shumë se sa elemente të një projekti të shquar politik.

Profesori kujton edhe sjelljet e Ramës në takimet mes dy Qeverive.

“Unë ia la më shumë prirjes së tij egoiste dhe naivitetit politik sesa ndonjë projekti. Ai ka qejf protagonizmin dhe nuk kursen asgjë në politikën e brendshme, të politikës së brendshme të shtetit shqiptar. Po të kujtoni se si sillej në takimet e përbashkëta me Qeverinë e Kosovës, ai lente një përshtypje sikur dëshironte ta zotëronte situatën, gjë që besoj se ka shkaktuar dëm”, thotë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, një qasje e tillë e Ramës mund të shkaktojë ftohje të raporteve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai thotë se megjithë problemet e brendshme që Kosova ka ekzistojnë përfaqësuesit, institucionet dhe personat përgjegjës që merren me zgjidhjen e tyre.

“Kosova megjithë problemet që i ka, megjithatë është shtet i pavarur, ka identitetin dhe institucionet e veta, ka përfaqësimin e vet, dhe sa më shumë që Rama imponohet me atë protagonizëm, reaksioni do të ishte më i madh dhe dëmi po ashtu”, thotë Krasniqi.

“Pra ai duhet ta korrigjojë vetën, dhe të sillet konform realitetit që ekziston, aq sa mundet të ndihmojë. Shqipëria me problemet e veta dhe krizën nuk është në gjendje të ndihmojë shumë as veten e lëre më Kosovën, prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte një bashkëpunim korrekt mes Kosovës dhe Shqipërisë, por pa pretendime për ndërhyrje arrogante në çështjet e Kosovës”, përfundon Krasniqi.

I të njëjtës vijë të mendimit nuk është politologu Ramush Tahiri.

Sipas tij, në gjithë këtë mosmarrëveshje, mediat po e luajnë rolin kryesor të nxitjes.

“Unë këtë e shoh si luftë bajraktarësh dhe si mosdurim krahinor. Pra këtu ka pak më shumë inat se arsye. Përndryshe kësaj përlamje janë duke i fryrë edhe mediat. Këtu nuk ka bazë edhe nuk ka real”, thotë ai.

Tahiri thotë se askush s’mund t’ia marrë të drejtën Shqipërisë që ta këshillojë Kosovë, ngase sipas tij, kjo shkon vetëm në të mirë të vendit tonë.

“Ata dy i përfaqësojnë vendet veta dhe dytë kanë qenë në Samit, të dytë shkojnë edhe në të ardhmen. Secili e ka detyrën dhe përgjegjësinë para Kushtetutës së vet, mirëpo kurrkush nuk mundet të marrë të drejtën e Shqipërisë me u interesu për Kosovën. Nëse mundesh me ia marr të drejtën ia merr Serbisë, mirëpo pse Edi Ramës? Nëse ka ndonjë vërejtje le t’ia thotë Vuçiqit se s’mundesh me fol për Kosovën, e jo Edi Ramës”, thotë Tahiri.

Ai përmend edhe pezullimin e taksës, për të cilën thotë se Rama asnjëherë nuk ka kërkuar heqjen e saj.

Sipas tij, deklaratat e Ramës ishin të njëjta me ato të presidentit Thaçi, zëvendëskryeministrit Hoxhaj dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

“Edi Rama ka folur për pezullim të taksës, ashtu siç ka thënë presidenti Thaçi, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj e PDK-ja. Kjo nuk është heqje e taksës, por pezullim për 120 ditë, pra pse mediat thonë se ai ka folur për pezullim të taksës kur nuk e ka bërë një gjë të tillë”, thekson Tahiri.

Në një situatë të tillë thekson ai, Haradinaj dhe liderët tjerë duhet të gëzohen që mund të konsultohen me Shqipërinë, sepse sipas tij, një gjë e tillë është sugjerim dhe jo imponim.

Theksojmë, se kryeministri Edi Rama ishte parë si një përkrahës i madh i idesë së Thaçit për korrigjim të kufijve.

Madje shpesh ai i kishte dalë në mbrojtje Thaçit, duke i quajtur “gomerë” ata që i thonë tradhtar presidentit kosovar. /Lajmi.net

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat