Haradinaj: Qeveria do ta vazhdojë transparencën me gazetarët

Aktuale

Haradinaj: Qeveria do ta vazhdojë transparencën me gazetarët

Më: 3 maj 2019 Në ora: 10:17
Qeveria e Kosovës

3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Më këtë rast, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova ka shënuar ngritje për katër vende në mbrojtjen e gazetarëve duke cituar Raportin e Reporterëve pa Kufij. Ai tutje u shpreh se Qeveria aktuale duket më e gatshme të flasë me gazetarët dhe mediat në tërësi.

“Ky përmirësim fiton në peshë pasi që sivjet hetohet një rënie e përgjithshme të lirisë së shtypit në Europë në tërësi në vitin 2018. Megjithëse Raporti i Reporterëve pa kufij, për këtë vit ka përmendur përmirësimet në marrëdhëniet mes mediave dhe Qeverisë, duke vënë në dukje se Qeveria aktuale duket më e gatshme të flasë me gazetarët dhe mediat në tërësi”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij “Facebook”.

Kryeministri u shpreh se Qeveria do ta vazhdojë këtë dialog me gazetarët, siç thotë ai për një transparencë dhe llogaridhënie gjithnjë e më të avancuar, duke qenë e vetëdijshme për sfidat që i ka përpara për të krijuar një pasqyrë plotësisht pozitive në progresin e lirisë së shtypit.

Në raportin vjetor të Organizatës Botërore “Reporterët pa Kufij” për vitin 2018, Kosova është renditur në pozitën e 78-të ose katër pozita më lartë se në vitin 2017, ku renditej në vendin e 82-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat