A po rrahen Xhavit Haliti e Adem Grabovci në Pejë nëpërmjet aktivistëve?

Aktuale

A po rrahen Xhavit Haliti e Adem Grabovci në Pejë nëpërmjet aktivistëve?

Më: 6 maj 2019 Në ora: 15:10
Adem Grabovci dhe Xhavit Haliti

PDK’ja në Pejë nuk i ka hiç punët mirë. Anëtarët e këtij subjekti politik ka dy ditë që po përleshen keq me njëri-tjetrin. Një rast ka ndodhur në qendër të Pejës e tjetri në  fshatin Raushiq të po të njëjtit qytet. E dy grupet e aktivistëve që po përleshen po del të jenë simpatizantët e kryetarit të degës së PDK’së në këtë qytet, Xhavit Halitit si dhe simpatizantëve të Adem Grabovcit i cili tash e disa kohë po synon që të marrë nën kontroll degën e PDK’së në Pejë.

Brenda një dite dy rrahje kanë ndodhur në mes të dy grupeve të simpatizantëve të PDK’së në Pejë. Këta të fundit siç duket nuk po pajtohen me pozitën e kryetarit aktual të këtij subjekti politik, Xhavit Halitin.

Këto të fundit bëjnë me dije se dje rreth orës 19:00 të mbrëmjes, përkrahësit e Adem Grabovcit në Pejë e kanë sulmuar fizikisht përkrahësin e Xhavit Halitit në këtë qytet, Arton Muhaxherin i cili ka disa vite që është përkrahës i Halitit në Pejë, e që e ushtron pozitën e koordinatorit të këtij subjekti politik atje.

E Muhaxheri nga përleshja me bashkëpartiakët e tij, ka marrë edhe disa lëndime trupore me ç’rast ka kërkuar edhe intervenim mjekësor.

Për mediat, Muhaxheri ka konfirmuar se është sulmuar nga disa bashkëpartiakë të tij.

“Po, jam sulmuar nga një grup i PDK-së”, tha shkurt, koordinatori i PDK-së në Pejë, Arton Muhaxheri, duke mos dashur të jap detaje tjera.

E media, rreth kësaj rrahjeje ka folur edhe me kryetarin e degës së PDK’së në Pejë, Xhavit Halitin. Ai është deklaruar se nuk dëshiron që të merret me këto deklarata.

“Komisionet janë aty. Nuk kam ndonjë informatë se çka ka ndodhë. E as nuk e di a janë  simpatizantë të mi. Nuk po merrna  me ketë punë”, është deklaruar Haliti.

Ndërkohë, Grabovci nuk ka dashur që ta komentojë këtë çështje.

“Jam në Gllogjan. Flasim më vonë”, i ka thënë Gazetës. Por më vonë nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

E me dy rastet e rrahjes së simpatizantëve të PDK’së, tash po merren organet e hetuesisë së Kosovës.

Zëdhënësi i prokurorisë themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se për këtë rast një person është ndaluar nga ana e policisë si dhe një tjetër është lënduar.

“Në një tubim partiak të mbajtur mbrëmë (05/05/2019) në qytetin e Pejës, si pasojë e një përleshjeje fizike, prokurori kujdestar i Departamentit të Përgjithshëm ka ndaluar për 48 orë, një person të dyshuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Për veprimet e mëtutjeshme rreth kësaj çështjeje penale do informoheni me kohë”.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë rajonale të Pejës, Driton Rugova.

Ai ka thënë se dy persona janë shoqëruar në polici. Ndërkohë që njëri nga ta ka marrë lëndime trupore.

“Mund të ju konfirmojmë se mbrëmë rreth orës 19:30 në rrugën ‘Bajram Curri’, në Pejë e kemi marrë informatën për një përleshje fizike. Nga ky rast, dy persona janë shoqëruar për në polici. Njëri nga ta është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar si lëndim i lehtë trupor. Viktima është dërguar në spital dhe ka pranuar trajtim mjekësor”, i tha Rugova./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat