Bogujevci: Jam skeptike për realizimin e tribunalit për krimet serbe - Bota Sot
Bogujevci: Jam skeptike për realizimin e tribunalit për krimet serbe

Aktuale

Bogujevci: Jam skeptike për realizimin e tribunalit për krimet serbe

Më: 6 maj 2019 Në ora: 18:16
Saranda Bogujevci

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur sot edhe formalisht procedurat për iniciativën për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

Duke folur para përfaqësuesve të shoqatave të pagjeturve, organizatave të dala nga lufta, institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve tjera të pavarura, ka thënë se kriminelët serbë ende nuk janë gjykuar për mijëra krime dhe viktima në Kosovë. 

Ai tha se bëhet fjalë për një Gjykatë Ndërkombëtare për krimet e shtetit serb, të paanshme dhe të domosdoshme, e cila do të gjykojë dhe dënojë krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit tha se këto krime qe arrijnë përmasat e gjenocidit, janë qindra masakra të kryera nga ushtria serbe, janë dhjetëra-mijëra civilë të vrarë, në mesin e tyre fëmijë e gra, mijëra femra të dhunuara dhe 1 milion shqiptarë të dëbuar nga Kosova, në një përndjekje të ngjashme me Holokaustin e hebrenjve.

Veseli: Ne do t’ia dalim ta bëjmë të pa shmangshme këtë Gjykatë

“Kjo gjykatë është e domosdoshme. Me angazhimin tonë gjithëpërfshirës, ne do t’ia dalim ta bëjmë të pa shmangshme këtë Gjykatë. Mesazhi ynë është i qartë: Kosova po kërkon drejtësi për njerëzit e saj të vrarë, të masakruar e të dhunuar. Nuk pranon heshtje, as mohim. Dhe kjo drejtësi do të ndodhë. Serbia do të përgjigjet për këto viktima. Mesazhi ynë për kriminelët, mohuesit e krimeve, qyqarët, që sot enden të lirë nëpër Serbi, po ashtu është i drejtpërdrejtë: Do t’ju zëmë të gjithëve dhe do t’ju vëmë në pranga. Keni kryer krime, sepse jeni qyqarë. Keni pasur frikë të përballeni me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e keni sulmuar popullatën civile. Do të na keni prapa edhe në gjumë”, porositi Veseli.

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve, tha se kanë vuajtur shumë dhe do të vuajnë ende,  por shpresat janë  se do të bëhet një hap më i madh në këtë drejtim.

Çerkini: Shpresë për të ardhmen që ndoshta do të bëhet diçka më mirë se dje

“Kryetari i Kuvendit i ka prekur të gjitha ato që kam dashur t’i them apo i kam shkrua. Të gjitha ato dhimbjet të cilat I kemi, na i ka prek, por edhe shpresë për të ardhmen që ndoshta do të bëhet diçka më mirë se dje”, deklaroi Çerkini.

Koordinatori për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Kosovës, Jahja Lluka,  tha se iniciativa është e mirë dhe të gjithë kriminelët duhet të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Lluka: Nuk është vonë, krimi nuk plaket

“Iniciativa po thonë është me vonesë, ndoshta me vonesë ka qenë edhe lufta e UÇK-së, mirëpo nëse kishim pritur, ose sot është vonë, nesër është herët, me siguri se sot nuk do të ishim të lirë. Prandaj, nuk është vonë, krimi nuk plaket dhe kriminelët një ditë do të vijnë para drejtësisë. Qeveria e Kosovës do të bën gjithçka çka është në fuqinë dhe në aftësitë e tyre për t’i ndihmuar familjarët”, tha ai.  

Ndërsa, skeptik për realizimin e këtij Tribunali ishte deputetja Saranda Bogujevci, se është nuk është për një Tribunal Ndërkombëtar, por për një gjykatë për krimet e luftës në Kosovë.  Ajo tha se Kosovës i nevojitët përkrahja ndërkombëtare, dhe kanë kaluar 20 vjet pak rezultate janë dhënë për dënimin e kriminelëve.

Bogujevci: Jam skeptik për realizimin e këtij tribunali

“Një tribunal ndërkombëtar duhet të kërkohet nga dikush, duhet të financohet nga dikush, dhe tani për tani Kosova nuk i ka kompetencat për këtë. Kështu që kjo më bënë me u ndier skeptike për realizimin e këtij tribunali. Unë personalisht nuk jam për tribunal ndërkombëtar, unë jam për një gjykatë për krime të luftës, këtu brenda Kosovës. E di, ka pasur shumë qytetarë të vendit që janë maltretuar nëpër gjykime, në Hagë, në Serbi, përmes EULEX-it dhe të gjitha këto institucione kanë dhënë pak rezultat në këtë drejtim. Duhet të ndërtohen mekanizma shtetërorë, duke filluar prej dokumentimit të krimeve. Duhet të bëhet rithemelimi i Institutit për krime të luftës”, tha Bogujevci.

Edhe profesori universitar Ismet Salihu tha se ideja për tribunalin është e vonuar me fajin e mekanizmave të Kosovës.  Sipas tij, realizimi i këtij tribunali është vështirë i arritur.

Salihu: Iniciativa është e vonuar, kërkon angazhim të madh politik ndërkombëtar

“Iniciativa e krye parlamentarit, është e mirë, qëllim mirë, por mjaft e vonuar. Nuk dua ta fajësoj kryetarin Veseli, por fajësojmë të gjithë mekanizmat e shtetit tonë. Për shkak të ndjeshmërisë dhe përgjegjësive që kemi për viktima dhe familjarët e viktimave, tani e tutje duhet të orientojmë angazhimin tonë me një përkushtim shumë më të madh politik, ndërkombëtar, human dhe profesional”, tha Salihu.

Nusrete Kumnova në emër të shoqatës “Thirrjet e Nënave”, tha se sot është e gëzuar që institucionet e Kosovës edhe pse vonë marrin vendime të drejta për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë. Ajo bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të punohet edhe më shumë për të pagjeturit.

Në fund, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka bërë të ditur edhe disa nga hapat e mëtejme.

Ai paralajmëroi formimin e një Komisioni Shtetëror, i cili do të përbëhet nga përfaqësuesit e pozitës, opozitës dhe komuniteteve, shoqatat e dala nga lufta, shoqatat e të pagjeturve, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve, organizatat e shoqërisë civile, institucionet e drejtësisë dhe institucionet akademike.

Veseli tha se ky komision do të punojë në mbledhjen e dëshmive dhe përgatitjen e një plani të punës. Ai përmendi opsionin e angazhimit të një kompanie ndërkombëtare të specializuar në këtë fushë për të asistuar në të gjitha format.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...