Koordinohet zbatimi i Strategjisë së krimeve të luftës në Kosovë - Bota Sot
Koordinohet zbatimi i Strategjisë së krimeve të luftës në Kosovë

Aktuale

Koordinohet zbatimi i Strategjisë së krimeve të luftës në Kosovë

Më: 8 maj 2019 Në ora: 16:16
Pamje nga takimi

Me iniciativë të Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, është mbajtur takimi koordinues i zbatimit të Strategjisë për krimet të luftës në Kosovë, në të cilin morën pjesë krerët e institucioneve të zbatimit dhe sundimit të ligjit në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e Zyrës së BE-së dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Me këtë rast, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, fillimisht, ka theksuar rolin, rëndësinë dhe qëllimin e koordinimit të mirëfilltë të procesit të zbatimit të Strategjisë së krimeve të luftës, duke propozuar funksionalizmin e dy mekanizmave – siç janë Taskforca, e cila pas themelimit nga KPK-ja do të merret me përpunimin e analizës së resurseve dhe Trupi monitorues i Strategjisë së krimeve të luftës për montorimin dhe vlerësiminn e efikasitetit dhe efektivitetit, si caktimin e anëtarëve të këtyre mekanizmave. “Këshilli Prokurorial do të përqendrohet plotësisht në ofrimin e shërbimeve të nevojshme për Prokurorin e Shtetit, shërbime këto, që do të jenë në funksion të  zbatimit të Strategjisë së krimeve të luftës përmes ndërmarrjes së masave specifike që janë të detajuara në objektivat specifike”, ka thënë Hyseni.

Ndërkaq, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është fokusuar në çështjet e operacionalizimit dhe funksionalizimit sa më të shpejtë të të gjithë mekanizmave, të cilët do të merren me zbatimin e Strategjisë së krimeve të luftës. “Prokurori i Shtetit, në kuadër të ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive ligjore synon t’i hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë personat, të cilët kanë kryer krime lufte në kundërshtim më të drejtën humanitare ndërkombëtare gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë, si dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat. Ne do të fokusohemi veçanërisht në hetimin, zbulimin dhe vënien para drejtësisë të hierarkisë të ish-Ushtrisë Jugosllave, ish-pjesëtarëve të MPB-së të Serbisë, strukturave të njësive paramilitare serbe, si dhe të inkriminuar të tjerë”, ka thënë Kryeprokurori Aleksandër Lumezi.   

Gjithashtu, në këtë kontekst, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, ka potencuar se rastet e krimeve të luftës dhe ndriçimi i tyre kërkojnë një angazhim dhe përkushtim të veçantë në çdo aspekt për trajtimin e nevojshëm të tyre, andaj, KGJK-ja do të jetë në koordinim të plotë me secilin institucion për arritjen e objektivave të parapara në këtë strategji.  

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka theksuar se pavarësisht kalimit të dy decenieve nga lufta, krimet e luftës mbeten të pazgjidhura dhe nuk mund të harrohen, andaj duhet ballafaquar seriozisht me to. “Shteti i Kosovës do të vazhdojë të punojë deri në sjelljen para drejtësisë të fajtorëve, të cilët kanë persekutuar, vrarë, torturuar viktimat e luftës, kurse familjarët e tyre kanë përjetuar ankthe të tmerrshme”, ka theksuar ministri Tahiri.

Po ashtu, Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka shprehur gatishmërinë që përmes veprimeve operative të ofrohet mbështetja e organeve hetuese policore në secilin segment, ku ajo ka kompetencë, në mënyrë që të arrijmë objektivat e përcaktuar strategjik.  

Ndërsa, Udhëheqësja e Departamentit për Krime të Luftës në PSRK, prokurorja Drita Hajdari, ka thënë se në objektiv do të jetë ndjekja penale e personave përgjegjës dhe do të merremi me përgjegjësinë sipas zinxhirit të komandës, bazuar në gradat ushtarake, numrin e viktimave, urdhrat dhe ekzekutorët e tyre, duke kërkuar qasje të plotë në arkivat e dokumenteve, që kanë lidhje me luftën e Kosovës, gjë që aktualisht është e kufizuar.

Në përmbyllje të takimit, Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së, Cezary Michalczuk, ka shprehur pajtimin që të mbështetet zbatimi i kësaj strategjie nga ana e këtij mekanizmi evropian në aspektin e ofrimit të ndihmës juridike ndërkombëtare në fushën penale, ndihmë kjo, që duhet ta kenë institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të kenë rezultate sa të mira në këtë proces.

Strategjia për krime të luftës përbën dokumentin e parë të këtij lloji në Kosovë, zbatueshmëria e të cilit do të mbikëqyret nga institucionet kompetente, siç janë: Këshilli Prokurorial i Kosovës, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...