GLPS: Janë pesë dështime të Qeverisë së Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian

Aktuale

GLPS: Janë pesë dështime të Qeverisë së Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian

Më: 9 maj 2019 Në ora: 14:58
Arbëresha Loxha

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka renditur pesë dështime të Qeverisë së Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian, ku ndër to është edhe klientelizmi, madhësia enorme e Qeverisë, mungesa e një reforme thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe tendencën në rritje të migrimit.

Në bazë të këtyre GLPS vlerëson se nuk mund të pritet që të ndodh liberalizimi i vizave për Kosovën gjatë këtij viti.

Në një konferencë për media, Arbëresha Loxha drejtoreshë ekzekutive e GLPS, tha se Kosova vazhdon të përballet me sfida seriozë në rrugën e integrimit evropian.

Sipas saj, nivelet e këtyre sfidave janë të dyfishta, së pari ajo e pamundësisë politike për tu garantuar që perspektiva Evropiane e Kosovës është e pakontestuar nga çdo shtet anëtar i BE-së, që natyrisht reflekton në mënyrën e vendimmarrjes në Këshill të BE-së në raport me çështjet që lidhen me Kosovën.

Ndërkaq, e dyta sipas saj është mungesa e një përkushtimi minimal të Qeverisë dhe akterëve të tjerë politik për të zbatuar në mënyrë solide reformat e kërkuara nga ajo që tashmë njihet si politikë e zgjerimit e BE-së.

Ajo ka përmendur pesë dështimet që GLPS ka evidentuar në rrugën drejt integrimit evropian, derisa ka thënë se dështimet kanë të përbashkët mungesën e vullnetit dhe përkushtimit të vendimmarrësve dhe përfaqësuesve politik për të zbatuar me sukses reformat në kuadër të politikës së zgjerimit të BE-së.

Loxha: Rritjen e klientelizmit, madhësinë enorme të Qeverisë dhe menaxhimi abuziv i parasë publike

“Theksojmë rritjen e klientelizmit, madhësinë enorme të Qeverisë dhe menaxhimi abuziv i parasë publike dhe një sektor publik jo efiqient, së dyti konsiderojmë që ka mungesë të një reforme thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe ndikim të shtuar politik. Së treti konsiderojmë që sektori privat mbetet relativisht i pazhvilluar, jo konkurrent dhe rritje të monopolizimit në tregje të caktuara dhe njëkohësisht mungesë solide të ruajtjes së konsumatorit. Sistemi arsimor në Kosovë konsiderojmë që i ka munguar një reformë substanciale sidomos arsimit të lartë i cili tashmë konsiderojmë që bazohet në premisa të nën-rregullimit, ka mungesë të theksuar të cilësisë dhe konkurrueshmërisë me rajonin dhe më gjerë. Dhe së pesti, konsiderojmë se ekziston një tendencë e rritjes së migrimit si rezultat i paknaqshmërisë së qytetarëve me qeverisjen e vendit dhe humbjes së besimit në institucionet e këtij vendi dhe mungesës së barazisë para ligjit”, deklaroi ajo.

E pyetur për mundësinë e liberalizimit të vizave këtë vit, Loxha ka thënë se nuk sheh ndonjë perspektivë se kjo gjë mund të ndodh brenda këtij viti.

Loxha: Nuk kemi ndonjë perspektivë të qartë se liberalizimi i vizave mund të ndodh këtë vit

“Kemi parë premtime vetëm prej udhëheqësve tanë të Qeverisë dhe institucioneve tjera përkatëse, por nuk kemi parë asnjë premtim serioz ose perspektivë pozitive nga institucionet e BE-së. Për më tepër nëse nuk gaboj ministri i brendshëm gjerman veçse kishte deklaruar se të mos ngutemi me dhënë afate dhe premtime se liberalizimi i vizave mund të ndodh sivjet. Në anën tjetër kemi shumë zhvillime në vendin tonë që BE-ja po i lidh me shumë procese të mëdha dhe nuk konsideroj që kemi ndonjë perspektivë të qartë se liberalizimi i vizave mund të ndodh këtë vit”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, sa i përket dështimeve Loxha ka thënë se sektori publik në Kosovë vazhdon të jetë i prekur thelbësisht nga dukuria e nepotizmit.

Loxha: Sektori publik në Kosovë vazhdon të jetë thelbësisht i ndikuar nga politika

“GLPS konsideron që sektori publik në Kosovë vazhdon të jetë thelbësisht i ndikuar nga politika, pra nga dukuria e klientelizmit dhe nepotizmit. Emërimet e larta politike dhe në përgjithësi në shërbimin civil, po edhe në institucionet e pavarura vazhdojnë të mbeten të kontrolluara nga interesa të ngushta partiake apo klienteliste dhe një perspektivë të tillë së fundi e kemi parë të gjithë në një ndërmarrje publike siç është Telekomi i Kosovës. Megjithëse Qeveria duhet  të përkushtohej të vendoste një standard minimal të largimit nga kjo dukuri ajo veçse e ka dëshmuar se është në mbështetje të një dukurie të tillë, duke theksuar apo quar përpara idenë se kjo është tashmë vetëm një normë në sektorin apo sistemin publik”, tha ajo.

Sipas saj, lufta ndaj klientelizmit dhe nepotizmit është një ndër segmentet më substanciale të kërkesave të politikës së zgjerimit dhe dështimi i Qeverisë për të respektuar atë është tregues i një qasje seriozisht kundër vlerave të procesit integrues.

Loxha thotë se menaxhimi i financave publike vazhdon të jetë pre e shkeljeve të standardeve ligjore, sipas saj një gjë e tillë vërehet në vendimet e Qeverisë për të shfrytëzuar, përkatësisht keqpërdorur, fondin rezervë.

Ndërkaq, ka thënë se ndikimi politik në sistemin e drejtësisë mbetet sërish një ndër brengat kryesore në procesin e integrimit evropian. Ajo tha se Qeveria nuk ka bërë asnjë hap konkret në drejtim të një reforme përmbajtjesorë në sektorin e sundimit të ligjit në vitin 2018 dhe fillim vitin 2019.

Loxha: Sistemi i drejtësisë i paaftë të përfundojë me sukses rastet e korrupsionit

“Përbërja dhe rregullimi aktual i sistemit të drejtësisë e bënë atë të paaftë, shpesh herë edhe për shkak se është kryekëput i ndikuar politikisht dhe është i paaftë të përfundojë me sukses rastet e korrupsionit, krimit, nepotizmit si dhe keqpërdorimin aktiv të pozitave dhe parasë publike. Në vend se kjo Qeveri të kontribuoj në përmirësimin e kësaj gjendje, ne konsiderojmë se ajo veçse e ka e përkeqësuar atë”, tha ajo.

Në anën tjetër, Loxha thotë se zhvillimi ekonomik vazhdon të jetë peng i një sektori privat cdo herë e më shumë të monopolizuar dhe të paaftë t’i bëj ballë konkurrencës nga jashtë.

Sa i përket migrimit, drejtoresha e GLPS-së ka deklaruar se ndonëse kësaj radhe brenda suazave të migrimit te ligjshëm, është rikthyer si shqetësim kombëtare që sinjalizon qartë pakënaqësitë e qytetarëve me mënyrën e qeverisjes në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat