Përkujtohen dy dëshmorë të Ferizajt në 20 vjetorin e rënies

Aktuale

Përkujtohen dy dëshmorë të Ferizajt në 20 vjetorin e rënies

Më: 10 maj 2019 Në ora: 15:48
Pamje nga homazhet

Dhjetëra qytetarë, u mblodhën sot në varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj në përkujtim të jetës, veprës dhe sakrificës së Dëshmorëve të Kombit, Hajriz Muhadini dhe Elhami Hasani në këtë vit që shënon 20 vjetorin e rënies së tyre heroike.

Grumbullit të familjarëve të dëshmorëve, përfaqësuesve të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, invalidëve dhe bashkëluftëtarëve i printe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica bashkë me nënkryetarin e Komunës së Ferizajt Naim Ferati, Kryesuesen e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi, kryetarin e OVL-UÇK-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu, Gafurr Bytyçin – kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj si dhe drejtorë komunal e përfaqësuesve të tjerë të jetës politike e shoqërore.

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës ishin ata që me nderim ushtarak u përkulën para varrit të Dëshmorëve të Kombit, Hajriz Muhadini dhe Elhami Hasani. Homazhet vijuan me vendosjen e kurorave të luleve nga nënkryetari i Ferizajt, Naim Ferati dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica dhe përfaqësuesit tjerë të pushtetit lokal. 

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi tha se maji është muaji ku ranë më së shumti dëshmorë në altarin e lirisë.

“Maji është muaji në të cilën ranë më së shumti Dëshmorë të Kombit të UÇK-së, 23 prej tyre të degës sonë. Sot përkujtojmë, bëjmë homazhe te varri i Hajriz Muhadinit nga fshati Dremjak dhe Elhami Hasani nga Ferizaj. Bëhet fjalë për dy djemtë si të tillë, të ri, të përkushtuar për kauzën dhe kombin. Kombi dhe atdheu ishin para çdo gjëje familjare e personale dhe bijnë në mënyrën më të mirë të mundshme, dëshmorë të cilët ne e kemi me borxh t’i përkujtojmë në vazhdimësi por edhe të vazhdojmë rrugën e projektit të tyre, amanetit të tyre për bërjen e një kombi, një shteti” tha Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyçi. Me përkulje e vendosjen e luleve pranë varreve të Dëshmorëve të Kombit, Hajriz Muhadini dhe Elhami Hasani, si dhe nderim pranë Pllakës Memoriale të Dëshmorëve të Kombit në Ferizaj, u mbyllën këto homazhe.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat