Fushata zgjedhore në veri fillon të hënën, angazhohen 670 komisionerë

Aktuale

Fushata zgjedhore në veri fillon të hënën, angazhohen 670 komisionerë

Më: 11 maj 2019 Në ora: 08:04
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elez

Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka angazhuar 670 komisionerë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit që do të mbahen më 19 maj.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i tha EO, se komisionerët do të angazhohen në 44 qendra të votimit në gjithsej 87 vendvotime.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka përmbyllur emërimin e komisionarëve apo anëtarëve të këshillave të vendvotimit, do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve 670 persona, komisionerë, ndërkaq 220 të tjerë janë persona të cilët i takojnë stafit teknik që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, të gjithë këta komisionerë, pra, janë të angazhuar në 4 komuna, respektivisht në 44 qendra  në gjithsej 87 vendvotime”, ka thënë Elezi.

Elezi ka sqaruar se fushata zgjedhore për zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe do të fillojë më 13 maj dhe do të zgjasë pesë ditë.

“Fushata zgjedhore do të filloj me datë 13 maj dhe përmbyllet më datë 17 maj, pra janë 5 ditë në dispozicion të subjekteve politike dhe kandidatëve të certifikuar për të mbajtur tubimet e tyre elektorale me qytetarët e asaj pjese”, tha ai.

Ai ka treguar se afati për akreditim të vëzhguesve në këto zgjedhje do të përmbyllet më 12 maj.

“Sa i përket çështjes së vëzhguesve, afati për aplikim për t’u akredituar si vëzhgues i këtyre zgjedhjeve përmbyllët të dielën me datë 12 maj. KQZ-ja do të pres aplikimet e subjekteve politike të certifikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, organizatave joqeveritare, përfaqësime të huaja dhe medieve, do të pres pra aplikimet e tyre dhe pastaj KQZ-ja do të bëjë akreditimin e tyre për të përcjellë këtë proces zgjedhorë, do ta përmendim një fakt që vetëm vëzhguesit e akredituar nga ana e KQZ-së do të mund të përcjellin këtë proces zgjedhor”, ka thënë ai.

Elezi ka thënë se përgatitjet për këto zgjedhje janë duke shkuar sipas planifikimeve të parapara.

“Komisioni qendror i zgjedhjeve, ka një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me institucione të tjera me Policinë e Kosovës dhe me Prokurorinë e Shtetit të cilët sigurisht kanë rolin e tyre në një proces zgjedhorë, takime kemi pothuajse në baza të rregullta dhe gjithë kjo konsiderojmë se do t’i shërbej një organizimi sa më të mirë të procesit zgjedhorë atje”, ka thënë Elezi.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të drejtë vote kanë 58 520 votues, me dallim prej 1 507 votues më shumë, në krahasim me Zgjedhjet e Lokale të datës 22 tetor 2017.

Të drejtë vote në Mitrovicën veriore kanë 22 242 persona; në Leposaviq 18 390 persona në Zveçan 9.276 persona dhe në Zubin Potok 8 612 persona kanë të drejtë vote.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat