Gara e diturisë s’mbahet në tërë Kosovën

Aktuale

Gara e diturisë s’mbahet në tërë Kosovën

Më: 11 maj 2019 Në ora: 16:32
Foto ilustrim

Sot në të gjithë Kosovën ishte planifikuar të mbahej gara e diturisë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Por, në shkollat e Podujevës kjo garë ka dështuar. Nxënësit e këtyre shkollave u detyruan të kthehen në shtëpi në mungesë të testeve. Njëjtë ndodhi edhe në disa shkolla të kryeqytetit. Por, pavarësisht dështimit të garës në këto shkolla, Koordinatori për Kulturë, Rexhep Hoti tha testi u mbajt në 95 për qind të shkollave. Për këtë projekt, Qeveria ka ndarë një milion euro. Aty janë paraparë 90 mijë shpërblime për nxënës dhe shkolla të suksesshme.

Gjithë nxënësit që ia mësynë shkollave të Podujevës për testin e garës së diturisë, u detyruan të kthehen në shtëpi menjëherë në mungesë të testeve.

Pavarësisht përgatitjeve që kishin bërë shkollat, nxënësit mbetën pa teste.

Komuna e Agim Veliut të LDK’së nuk u furnizua me testet të cilat janë shpërndarë nga Kordinatori për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti i PDK’së. Madje, as nuk u informuan për arsyen se pse nuk u sollën testet.

Në Drejtorinë për Arsim në Komunën e Podujevës i kanë konfirmuar Gazetës Express se gara  e diturisë në Komunën e Podujevës nuk është mbajtur sot.

Drejtori Agim Blakçori ka thënë se përkundër faktit që në shkolla janë bërë të gjitha përgatitjet, testet nuk janë sjellë në asnjë nga shkollat e Podujevës.

Madje, Blakçori thotë se as nuk u kanë dhënë sqarime për mungesën e testeve.

“Po, është e vërtet që gara e diturisë në Komunën e Podujevës nuk është mbajtur sot. Përkundër faktit që në shkolla kanë qenë prezent nxënësit dhe mësimdhënësit, si dhe janë bërë të gjitha përgatitjet, por që testet nuk janë sjellë nga zyra e koordinatorit nacional për rini, ne asnjë shkollë të Komunës së Podujevës. Çfarë është edhe me keq, nuk e kanë parë të nevojshme as te na japin ndonjë sqarim për këtë gjendje të krijuar”, ka thënë Blakçori për Express.

Përveç shkollave të Podujevës, me problem të njejtë u përballën edhe disa prej shkollave të kryeqytetit. Gjithë kjo për shkak të vonesave të bartjes së testeve.

Drejtoresha e shkollës “Ismajl Qemajli” që nuk ka mbajtur testin e garës së diturisë, Kimete Konjusha Dida, e cila tha se njëra prej arsyeve ka qenë mos arritja e testeve me kohë.

“Kemi prit testet deri në orën 18:30 minuta gjithë stafi, askush nuk ka ardhur, testet kanë mbërri në orën 01:30 mbas mesnate. Veç me më thirr dhe me thanë mos pritni do të t’iu japim në mëngjes i kisha thirr, ne gjithë kemi pritur, asnjë njoftim nuk e kemi pasur që a kanë me ardhur, apo jo”, u shpreh drejtoresha, Konjusha Dida.

Përgjigje për këtë ankesë të Drejtoreshës Konjusha Dida ka Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti. Ai tha se me rëndësi është që testi të arrijë pak para fillimit.

Hoti u shpreh entuziast me gjithë procesin e garës së diturisë, duke thënë se mbi 95 përqind të shkollave në nivel vendi janë duke e mbajtur këtë test.

Duke folur për këtë lloj testi, ai tha se është shumë i nevojshëm, pasi duhet të përdoret si një lloj shtyse për vet nxënësit.

“Mund të ketë ndonjë mangësi, nuk e përjashtoj mundësinë sepse janë mbi 1 mijë shkolla. Testi është me rëndësi të arrij në çastin e fundit. Testi nuk duhet të arrij 1 javë përpara ose 1 ditë përpara. Testi duhet të arrihet në çastin e fundit para se të fillohet gara, sepse ata vetëm kanë me shpërndarë është një çështje shumë teknike”, ka thënë  koordinatori Hoti.

E derisa në disa shkolla dështoi kjo garë, në disa të tjera testi shkoi mirë.

Drejtoresha e shkollës fillore në Prishtinë, “Naim Frashëri”, Shqipe- Vllasalia-Mehmeti shprehet se testi ka shkuar mirë, përveç një numri prej 15 nxënësish boshnjak që testi nuk iu ka ardhur në gjuhën e tyre dhe për këtë arsye ka dështuar.

“I kemi gjetur testet këtu, i kemi shpërnda kemi bërë ndarjen për secilën klasë. Secili kujdestar i klasës ka ardhur i ka marrë testet përkatëse me numër të caktuar të klasës së vet. Kemi pasur një problem për shkak se në shkollën tonë kemi dhe komunitetin boshnjak rreth 15 nxënës, mirëpo testet në gjuhën boshnjake nuk na kanë ardhur. Kemi bërë thirrje ata tashti veç e kanë lëshuar testin, meqenëse nuk kanë ardhur testet, fëmijët tash shkuan në shtëpi”, ka thënë Vllasalia-Mehmeti.

Ndërsa, drejtori i shkollës fillore, “Qamil Batalli” në Prishtinë, Liridon Maliqi shprehet se testet i kanë marrë mbas mesnate, dhe pavarësisht kësaj ata i kanë sistemuar dhe gara ka filluar në kohë ashtu siç është paraparë.

“Procesi në përgjithësi është duke shkuar mbar dhe mirë. Cikli i ulët, apo klasat e para, dyta dhe të treta thonë që është testi shumë i lehtë dhe tani janë në përfundim e sipër. Kemi vërejtur disa gabime teknike tek grupi A i klasës së nëntë, gjithashtu kemi vërejtur gabime tek një poezi që ka fjalët e ngjitura në klasën e dytë dhe kemi vërejtur dhe në klasën e tret. Të tjerat kanë qenë çdo gjë në rregull. Testet i kemi marrë mbrëmë vonë edhe pse janë rregulluar në shkollën tonë diku rreth orës 01:00 pas mesnate”, ka thënë Maliqi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat