Avokati nga Kosova i reagon Martyt: Çështjet penale zgjidhen në Gjykatë e jo në media

Aktuale

Avokati nga Kosova i reagon Martyt: Çështjet penale zgjidhen në Gjykatë e jo në media

Më: 12 maj 2019 Në ora: 16:54
Dick Marty

Ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka thënë se nuk dihet e gjithë e vërteta për krimet në Kosovë dhe se shumë fajtorë nuk janë përgjigjur për atë që kanë bërë. E pas këtyre deklaratave të Martyt dhënë një gazete serbe, ka reaguar avokati  Arianit Koci, i cili ka thënë se ish-prokurori Marty, pas intervistave në media serbe, po del të jetë person i njëanshëm

Koci thotë se pas dorëzimit të raportit, Marty e ka kryer punën e vet dhe tash duhet të presë derisa organet tjera ta kryejnë punën e vet. Sipas Kocit, në këtë rast Prokuroria dhe Gjykata janë ato që duhet ta bëjnë punën e vet, pasi përndryshe po devalvon komplet edhe Gjykatën por edhe Këshillin e Europës.

“Sidoqoftë, vet raporti i tij tashmë është i devalvuar tërësisht, dhe vet ish prokurori Marty, pas intervistave në media serbe, po del të jetë person i njëanshëm. Çështjet penale zgjidhen në Gjykatë e jo në media. Z. Marty, si ish-prokuror e din këtë shumë mirë”, ka shkruar Koci.

Koci shton se me deklarime të vazhdueshme në media serbe, e sidomos me deklarimin e fundit, ku bëhen aludime për kinse fajësinë e individëve të caktuar pjestarë të UÇK’së, po shkelet parimi i prezumimit të pafajësisë i cili është i garantuar me Kushtetutë, lidhe dhe konventa ndërkombëtare.

Ai thotë se intervista të tilla mund të cilësohen si tentativë për ndikimin në punën e Prokurorisë në Gjykatës.

“Ish-prokurori Marty, pas intervistave në media serbe, po del të jetë person i njëanshëm”, ka thënë Koci.

Marty ka thënë për gazetën serbe se vetëm e vërteta për konfliktin në Kosovë mund të çojë deri te pajtimi.

“Vetëm e vërteta për konfliktin në Kosovë mund të çojë deri te pajtimi. Unë vetëm pak e kam shpalosur. Mbetet shumë për t’u bërë në këtë drejtim”, ka thënë Marty, për gazetën serbe “Vecernje Novosti”.

Dick Marty, që është një ish prokuror i shtetit në kantonin e Ticino të Zvicrës, ka thënë se libri i tij i ri “Një ide e caktuar e drejtësisë” flet për diçka të tillë.

Sipas tij, libri përmban elemente të cilat ai i ka zbuluar gjatë hetimeve të bëra, “në të cilat shumë krime dhe kriminelë kanë mbetur të pa dënuar, siç është rasti me liderët shqiptarë në Kosovë”.

Ai thotë se ende nuk ka rezultate dhe se epilogu i tërë asaj që ka të bëjë  me krimet në Kosovë është i paqartë.

“Edhe në konfliktin e Sirisë për të gjitha po përpiqen ta akuzojnë pushtetin. Gjërat nuk janë qa të thjeshta”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat