Për cilin rast u arrestua sot Molliqaj, ky është shpjegimi i Prokurorisë

Aktuale

Për cilin rast u arrestua sot Molliqaj, ky është shpjegimi i Prokurorisë

Më: 13 maj 2019 Në ora: 16:03
Dardan Molliqaj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSD-së, Dardan Molliqaj, gjatë ditës së sotme u arrestua nga Policia e Kosovës. Ai u nën pranga pasi kishte refuzuar ftesat për t’u paraqitur për intervistim në prokurori. Në Prokurori kanë deklaruar se ndaj Molliqajt është ushtruar kallëzim penal për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës, përkatësisht për sulm ndaj një komandanti.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Prokuroria ka njoftuar se Prokurori i cili aktualisht është duke e trajtuar këtë rast, më 02.10.2017, ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se, më 12.10.2015, rreth orës 21:30, para stacionit policor Qendra në Prishtinë, i dyshuari D.M., ka sulmuar një zyrtar policor-Komandantin e këtij stacioni policor, D.I., ashtuqë i njëjti përkundër disa ftesave të dërguara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për t’a siguruar deklaratën e tij, nuk është paraqitur dhe asnjëherë nuk e ka arsyetuar mos paraqitjen e tij në intervistim”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes, më 10.04.2019, ndaj D.M., ka ushtruar kërkesë për lëshim të urdhërarrestit për sigurimin e prezencës së tij në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Duke vepruar sipas kërkesës së prokurorit të çështjes, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12.05.2019, ka lëshuar urdhërarrest, i cili është zbatuar sot, më 13.05.2019, në ora 10:00, si dhe i dyshuari i lartcekur është intervistuar e më pas është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkohë, sipas PSD-së, arrestimi i Molliqajt nga ana e policisë nuk ka qenë i paralajmëruar e ai as nuk ka pasur më herët ndonjë ftesë për seancë apo paraqitje në gjykatë.

“Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

PSD-ja ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj.

“PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë. Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre”, thuhet në reagimin e PSD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat