Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, përmes një shkrimi në Facebook ka komentuar dy liderët e vendit, presidentin Thaçi dhe kryeministrin Haradinaj.
Ai thotë se përkundër se hanë e pinë bashkë, gjithashtu nuk ndalojnë për të akuzuar njëri-tjetërin rreth temave të ndryshme.
Sipas Gecajt, të dy akuzat apostrofojnë së paku edhe nga një serb (Radojçiq apo Vuçiq). Ndërsa, thotë se, fatkeqësia më e madhe është se këta (do të duhej) të përfaqësojnë dy postet kryesore të vendit.
Ja shkrimi i tij:
POSHTË BRE NA KA RA KATUNDI!
Padyshim që këta dy e njohin njëri-tjetrin më mirë se që i njohim ne ata. Edhe pse hanë e pinë bashkë, njëri e akuzon tjetrin për komplotin e “shitjes” së Kosovën përmes “korrigjimit të kufijve”, ndërsa tjetri se po bëhet biznes si në dëm të veriut ashtu edhe me pasuritë e Kosovës. Të dy akuzat apostrofojnë së paku edhe nga një serb (Radojçiq apo Vuçiq)! Ndërsa fatkeqësia më e madhe është se këta (do të duhej) të përfaqësojnë dy postet kryesore të vendit - poshtë bre na ka ra katundi!
HASHIM THAÇI: “E drejta e përfshirjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës është legjitime, korrigjim i padrejtësive historike dhe siguri për qytetarët e asaj treve për të jetuar në trojet e tyre. Kjo përpjekje ka ndalur së realizuari angazhimet e sofistikuara që veriu i Kosovës t’i dorëzohet Milan Radojçiqit, fillimisht pasuria e Trepçës, për të vazhduar me transformimin e pasurive shtetërore në ato komunale (katër komunat e veriut) dhe, po ashtu, ka parandaluar planet për sovranitet të dyfishtë dhe asociacion me mandat ekzekutiv, modeli i Republikës Serbe, pra autonomi rajonale”!
RAMUSH HARADINAJ: “Ekziston një dyshim i bazuar, se Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë biseduar për shkëmbim të territoreve se bashku nën udhëheqjen e Përfaqësueses së lartë, Frederica Mogherini. Ekziston ky dyshim pavarësisht se unë nuk mund ta konfirmoj”!