Debati për Telekomin, Haradinaj e pranon fajin për gjendjen dhe thotë se deri tash krejt kanë hangër bashkë

Aktuale

Debati për Telekomin, Haradinaj e pranon fajin për gjendjen dhe thotë se deri tash krejt kanë hangër bashkë

Më: 14 maj 2019 Në ora: 11:57

(E plotësuar) - Në seancën ku u diskutua për gjendjen në Telekom, shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca i ka thënë kryeministrit të Kosovës se nuk ka vullnet që të ndalë kontratën me Z-Mobile.

Ai e ka quajtur atë kontratë kriminale, por kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se për këtë duhet të flas gjykata.

Në debatin për Telekomin, deputeti Glauk Konjufca ka thënë se kryeministri po i ikë përgjegjësisë, meqë siç tha ai, po bëhen 2 vjet nga qeverisja e tij, dhe me gjithë argumentet që i ka pasur, nuk e ka shfaq një vullnet politik se si duhet vepruar me Z-Mobile.

Konjufca: Kontrata me Z-Mobile është kriminale

 “Unë nuk kam asgjë pse Devollët prodhojnë, pse kanë punësuar punëtorë, por kryeministër, kontrata me Z-Mobile prapa  së cilit është ‘Devolli Group’ është kontratë kriminale, këtë duhet të thoni ju. Në rregull punësimi, jogurtë le të prodhojnë, qumështi shumë mirë, por kontrata me Z-Mobile është kriminale. Kaq. Dhe ju po thoni jogurtë mirë, qumështi mirë dhe kur po vini të kjo pjesë po thoni ‘ shikoni ata kontribuojnë për Kosovën, janë burra të mirë, i njoh personalisht hajm e pim me ta’. Kryeministër dalloni këto sene. Kemi të bëjmë me një kontratë kriminale, dhe s’po e di pse po e pengon qeverinë me dal dhe me identifiku kriminalitetin e kësaj kontrate”, tha Konjufca.

Ai ka thënë se kontrata me Z-Mbobile është dashur të shkëputët që në janar.

Konjufca: Nuk po shoh vullnet të qartë për me ndalë kontratën me Z-Mobile

“Tregona kryeministër një kompani në botë ku aksionari thotë diçka e bordi vepron ndryshe, kundër aksionarit. Aksionari merr vendime, jo vendime me qit ti nënshkrimin aty, por vullnetin politik, me dal me thënë ‘unë me qeverisjet e kaluara nuk jam pajtuar, kjo u ka sjell qytetarëve dëm, dhe kjo qeveri ka me ndryshu drejtimin me këtë kompani’. E ti po del këtu po thua ‘unë i inkurajoj bordin të mos marrin asnjë kështu, d.m.th. vendim i cili e dëmton’. Kryeministër, nuk po shoh vullnet të qartë te ju për me ndalë këtë kontratë. Mos u frikësoni, të drejtat i ke në anën tënde”, i tha Konjufca kryeministrit Haradinaj.

Ndërsa kryeministri tha se duhet një gjykatë që ai të mund ta quaj kriminale atë kontratë.

Duke folur për gjendjen në Telekom, Haradinaj tha se, qe 20 vjet të gjitha kanë bashkëjetuar  dhe i kanë fsheh njëri-tjetrit, dhe u kanë bërë favore, ndërsa tash kur e shohin se mund të mbesin pa asgjë, po alarmohen.

Haradinaj: Krejt kanë hangër bashkë deri tash

“Mos harro Glauk unë e ti, ne jemi të këtij vendi, krejt kanë hangër bashkë deri tash, me sindikata, me menaxhment, me krejt i kanë nda do privilegje, kanë bashkëjetuar deri sot bashkë, qe tash kur po e shohin që mund të mbesin pa kurrgjë tanë, tanë po alarmohen. Kjo është e vërtetë u siguroj. Qe 20 vjet kanë bashkëjetu, kanë mbijetu, ja kanë mshef njëri -ijetrit, ja kanë bërë ndonjë nder njëri tjetrit, krejt me një vend janë. Tash që ka ardh problemi tash po alarmohen”, tha ai.

Haradinaj u tha deputetëve që nëse u interesojnë punëtorët e Telekomit, duhet të këndellen  të gjithë, meqë sipas tij, mund të dilet nga gjendja në të cilën ndodhet.

Haradinaj: E pranoj fajin që e kam si kryeministër për gjendjen e Telekomit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj thotë se është përgjegjës për gjendjen e Telekomi të Kosovës, që nga koha kur ka filluar mandatin si shef Qeverie, dhe se nuk i ik kësaj përgjegjësie. Megjithatë, ai tha se është i vetëdijshëm që gjendja e Telekomit është e vështirë dhe problematike, por jo pa shpresë.

Haradinaj: : E pranoj fajin që e kam si kryeministër për gjendjen e Telekomit

“Përgjithësimi është i lejuar në politikë, fjalori frontal është i lejuar, por atribuoni cilat faje i kam, nëse i ka kjo Qeveri. E ki fajin e nepotizmit, se është punësuar një familjar, ose disa aktivistë të partisë, e vërtetë që kanë hyrë disa njerëz në punë, por besoni që nuk i kemi shti me intervenca partiake, nuk e di qysh e kanë gjetur mënyrën me hy, nuk mburrna me atë që ka ndodh, edhe e pranoj si faj a përgjegjësinë, apo qysh done quani. Por, prej që e kam marr detyrën, këta që i kam thirr ju kam thënë që ju lutem do të jipni llogari për të gjithë parametrat e kompanisë prej kësaj dite. Një drejtor ka dhënë dorëheqje që ka qenë i afërt me mu,  se nuk mujti me përballu gjendjen brenda, një drejtor tjetër është në punë, por nuk është i afërm me mua, është hera e parë që e kam takuar tani”, tha Haradinaj.  

Haradinaj pati një përgjigje edhe për çështjen e kontratës së Telekomit me Z-Mobile, për të cilën deputetët e opozitës, thanë se është kriminale.

Haradinaj: Nuk kemi guxuar të  marrim ndonjë vendim arbitrar

Për t’iu shmangur një arbitrazhi të dytë me Z-Mobile, që do të kishte mundur të shkaktonte pikërisht atë që po thonë bankrotimin apo dorëzimin e kompanisë diku tjetër, nuk është guxuar të merret ndonjë vendim arbitrar, do të thotë nuk kemi guxuar, pra unë jam konsultuar edhe me bord, edhe me menaxhment, si do të mundemi me vepru ne në rast se dojmë me i nda rrugët me operatorin... nuk ka dal  dikush me konfirmuar që një vendim arbitrar është i mundshëm menjëherë, pra të gjithë kanë thënë ‘ runu se hyjmë në gabime të reja’”, tha Haradinaj.

Shefi i Qeverisë tha se dëshira e tij është që të nxirret kjo kompani nga kriza në mënyrë të suksesshme.

Selimi: Kontrata e Telekomit me Z- Mobile rrezikon sigurinë e vendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se tendenca për t’u shpërqendruar nga fokusi i seancës është tendencë për të mbuluar skandalin që ka ndodhur me Telekomin e Kosovës me Z -Mobile.

Ai gjatë seancës së jashtëzakonshme për gjendjen e Telekomit të Kosovës tha se kontrata e Telekomit me Z-Mobile ka bashkuar ndërmarrës në një vepër të caktuar kriminale.

Selimi: Kontrata me Z-Mobile ka efektet edhe në  infrastrukturën strategjike kombëtare

“Efektet e kësaj kontrate janë në tri dimensione, të cilat kanë efekt të drejtpërdrejt buxhetor, efekti i dytë është efekt që dëmton qytetarin dhe e treta është që dëmton shtetin. Në këtë të tretën nuk mund të përjashtojmë as efektin që e ka kjo në sigurinë kombëtare sepse rrjeti i Telekomit është sistem nevojë i shtetit... kjo  kontratë e tillë e dëmshme, e ka efektin e saj edhe në infrastrukturën strategjike kombëtare, saktësisht në sigurinë e shtetit të Kosovës. Kur rrezikohet Telekomi atëherë rrezikohet edhe infrastruktura e po ashtu edhe siguria e vendit, sepse shumë institucione vitale këtë rrjet e kanë pjesë të veprimtarisë së vet. Institucione të sigurisë në Kosovë kanë si mjet të veprimit edhe rrjetin e Telekomit duke përfshirë gjithë atë që ofron Telekomi në këtë rast”, tha ai.

Selimi tha se duhet të japin përgjegjësi ata të cilët kanë nënshkruar këtë kontratë

Sipas tij, Vala është operatori i vetëm në botë që nuk ka përkrahjen as të prodhuesit të sistemeve me të cilat vepron.

Kurteshi: Kryeprokurorët, lepuj me bisht të shkurtuar nga politika

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi gjatë seancës së jashtëzakonshme për gjendjen e Telekomit të Kosovës tha se kriza e tanishme e saj nuk është e rastësishme. Sipas tij, që nga viti 2008 kur ka filluar kapja e Telekomit të Kosovës nga politika, asnjëherë nuk ka pasur këndellje të saj. Për këtë, Kurteshi ka fajësuar sistemin e drejtësisë në vend.

Tha se drejtësia  në Kosovë është e ngulfatur nga politika,  ndërsa kryeprokurorin e shtetit e quan lepur.

Kurteshi: Po habitem me gjyqësorin

“ Jo që nuk kemi prokurorë, vërtetë ky prokuror dhe kryeprokurorët e kaluar kanë qenë lepuj, disa me bisht e disa pa bisht, disa të shkurtuar nga politika, disa të hequr edhe nga pushtetet e mëparshme  e të lëmuar nga pushteti i tashëm. Unë po habitem dhe nuk duhet të habitem në të vërtetë me gjyqësorin tonë’, tha ai.

Kurti: Kuvendi të marrë vendim që kontrata me z-Mobile t’i takojë të kaluarës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë seancës së jashtëzakonshme për Telekomin e Kosovës tha se kontrata me z-Mobile është krim i organizuar dhe faktor kryesor i krizës së Telekomit.

E prapa  z- Mobile, sipas Kurtit është presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Kurti: Prapa z-Mobile qëndron Hashim Thaçi

“Kontrata e Telekomit të Kosovës me Dardafon si operator mobil virtual e më pastaj Dardafon. net e më vonë tash me z-Mobile është krim i organizuar dhe është faktori kryesor i krizës në Telekomin e Kosovës. Kontrata me z-Mobile është aktuale dhe dëmet e kësaj kontrate jo-ligjore vazhdojnë të thellohen edhe sot e kësaj dite. Z-Mobile ia plaçkit  mbi çerekun e të hyrave Telekomit të Kosovës. Z-Mobile kësisoj është shndërruar në aksionarin kriminal, i cili e ka një pjesë të Telekomit deri në 30 për qind dhe dëshiron ta marrë të tërën. Prapa z-Mobile qëndron ish-kryeministri tash president dhe ish-shefi i shefave nga klani pronto, i cili njërit prej vëllezërve Devolli i ankohej se i është tharë fyti. Z-Mobile pra është kali i Trojës, të cilin gjaku ia imponoi dhuratë postës edhe Telekomit të Kosovës”, tha Kurti.

Kurti tha se sot  në këtë seancë të jashtëzakonshme duhet të flitet për Prokurorinë dhe Policinë, të cilët sipas tij duhet të veprojnë.

Tha se duhet të hetohet kontrata me z-Mobile, kontratë kjo që sipas tij ishte goditja më mizore kundër Telekomit të Kosovës. Ai pati kritika edhe ndaj drejtorëve dhe menaxherëve të kësaj ndërmarrje, për të cilët tha se janë jo kompetentë dhe pa integritet.

Kurti: Bordi aktual i Telekomit ka menaxherë të këqij

“Në kompanitë e Telekomit në botë, njerëzit më inteligjent, më të ditur, më gjenial të shoqërisë bëhen kryeshefa. Në Kosovë është e kundërta. Prej ushtruesit të detyrës Zeqir Kiçina deri te Bedri Istrefi, tek bordi aktual, edhe nëse këta kanë qenë njerëz të mirë, qytetarë të ndershëm, çlirimtarë të devotshëm, po i humbin si të tillë dhe po fitojmë menaxhera të këqij. Pra, edhe po ju bëhet dëm atyre njerëzve, përveç se edhe natyrisht po rrënohet në shpejtësi aktualiteti dhe potencialiteti i Telekomit të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se pa u forcuar shteti në gjyqësi dhe prokurori, nuk duhet të privatizohet Telekomi i Kosovës, sepse si i tillë do të jetë fatal.

Ai kërkoi që Kuvendi të marrë vendim që kontrata me z-Mobile me 1 gusht t’i takojë vetëm të së kaluarës. 

Milaim Zeka: Këta janë personat që ndër vite bënë krime brenda Telekomit

Deputeti i Kuvendit, Milaim Zeka, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, pse nuk e përmendi Lidhjen Demokratike, si bashkëfajtore për gjendjen në Telekomin e Kosovës.

Ai ka përmendur emrat e atyre që sipas tij janë fajtorë për ‘krimin që është bërë ndër vite brenda Telekomit”.

“Glauku e harroi me e përmend kryetarin e LDK-së. Me e ba këtë gjë para qytetarëve është sikur me thanë se kena pa Arushën në Prizrenit. Krimin më të madh në Telekom e kanë ba LDK-ja dhe PDK-ja. Krimi është nisë prej LDK-së, prej Adnan Merovcit, Shyqiri Haxha dhe për me e varros Telekom-in e ka bërë kryekrimineli Agron Mustafa”, ka thënë Zeka.

“A e dini more ju, se PTK, nën nëntorin e vitit 2005, i ka dhënë kredi IPKO-s, me u zhvillu konkurrenti i vetë. A e din kush ka qenë në krye të kësaj, Akani, ai picimuli që është shok me Hashim Thacin dhe që u bë ambasador në SHBA”, ka thënë ndër të tjera Zeka.

Hoti: Thaçi kishte bërë presion të nënshkruhej kontrata me Z-Mobile

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në seancën e jashtëzakonshme për Telekomin e Kosovës, tha se Kuvendi për herë të dytë sot po debaton për këtë kompani.

Hoti tha se më 12 korrik 2018 ky Kuvend i ka kërkuar Qeverisë për marrjen e masave të nevojshme për të nxjerr Telekomin nga gjendja e rëndë financiare.

Ai tha se në atë rezolutë është kërkuar jo më shumë, vetëm për ta zbatuar ligjin për ndërmarrjet publike dhe të anulojë çdo vendim që bie ndesh me këtë ligj.

Hoti tha se kriza është thelluar, përkundrazi, është rritë punësimi mbi baza të pastra nepotiste dhe politike. Po ashtu sipas tij, auditimi nuk është bërë dhe kryeministri nuk ka raportuar për këtë çështje në Kuvend.

Hoti: Ish kryeministri Thaçi, ka bërë presion për të nënshkruar kontratën me Z-Mobile

“Pse po falimenton sot Telekomi? E para Telekomi nuk është duke falimentuar se nuk ka treg, Telekomi po falimenton për shkak të kontratave të dëmshme me kompani private që po shfrytëzojnë Telekomin pa asnjë kriter ekonomik dhe të përfitimit të ndërsjellë. Këto kontrata janë bërë për të shkatërruar Telekomin dhe për të fituar grupe të caktuara. Kontrata me  Z-mobile, me zero investime nga kjo kompani, i ka sjellë Z-mobile mbi 100 milionë euro të ardhura. Një ish drejtor i Telekomit, ka deklaruar publikisht se ish kryeministri Thaçi, i ka bërë presion për të nënshkruar këtë kontratë”, tha Hoti.

Ai ka tregua se si ka operuar Telekomi në dhjetë vitet e fundit. Në vitin 2007, statistikat nga Telekomi tregojnë që ka pasur fitim 182 milionë, ndërkaq në vitin 2017 ka deklaruar humbje 13.8 milionë euro. Sipas Hotit, gjatë viteve 2007-2017 ndërkohë që të hyrat ishin në rënie, shpenzimet për paga dhe marketing ishin në rritje që është kundër çfarëdo logjike ekonomike.

***

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e ka pranuar hapur se kanë punësuar disa familjarë në Postën dhe Telekomin e Kosovës, duke ftuar kështu autoiretet që të fillojnë hetimet e për të gjetur nëse kanë pasur ndikimi për punësimin e tyre, apo nëse punësimi i tyre përbën konflik interesi.

“Është folë vazhdimisht dhe ëshë personalizuar shumë cështja e punësimeve. Po bre katër pesë anëtarë të familjarëve tonë janë punësu. Janë punësu, le të fillon prokuroria hetimet, nëse kemi pasur ndonjë ndikim. Ose pozitat e tyre janë konflikt interesi”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Ndër të tjera ajo thonë se punësimet masive në Telekom kanë filluar në vitin 2008, kur ka qenë LDK-ja në pushtet.

Sipas deputetës së AAK-së, në atë kohë janë punësuar rreth 1000 persona.

Kadaj-Bujupi ka treguar se tashmë e kanë edhe listën, dhe u ka treguar deptuetëve se do t’i publikojnë emrat e të gjithë familjarëve të punësuar në Telekom, e që kanë lidhje me të gjithë deputetet e Kuvendit të Kosovës.

“Por të dhënat flasin që mbi 1000 punësime kanë qenë në vitin 2008, kur LDK-ja ishte në pushtet. Nuk kisha dasht me personalizu, po jemi lodhë duke na quajtur kriminela. Nëse telekomi shpëton, atëherë do të fillojmë ti largojmë krejt. E kemi listën e familjarëve, për të gjithë grupet parlamentare”, ka shtuar ajo.

Ajo thotë që duhet filluar me largime nga familjarët e Fatmir Sejdiut, e të gjithë të tjerëve që kanë punësuar familjarë e të afërm në PTK.

“Duhet me ja nisë me familjen e Fatmir Sejdiut, meqë keni fillu e kemi listën e emrave të të gjithë atyre që tash po drejtojnë akuza dhe po na cilësojnë me emra të ndryshëm”, ka thënë ajo.

***

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se nuk guxon që të japë para një kompani që është para falimentimit.

Ai bëri thirrje që mos të nënshkruajnë kontrata që janë të dëmshme për kompaninë.

Sipas Haradinajt kushdo që e nënshkruan ndonjë marrëveshje të tillë do të përballet me ligjin.

Këto deklarime Haradinaj i ka bërë gjatë seancës së jashtëzakonshme ku po mbahet për gjendjen në Telekom.

Kjo seancë është kërkuar nga LDK dhe Vetëvendosje.

Haradinaj: Kam respekt për Blerim Devollin mirëpo interesin publik nuk e dëmtoj për hatër të tij

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancën e jashtëzakonshme për gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës së vitit 2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tregoi për hapat që i ka marrë qeveria për përmirësimin e gjendjes në Telekom.

“Unë kam përgatitur një shpjegim prej rezolutës deri sot. Është mirë ta themi që MZHE-ja ka fillu një proces të rikonstrukturimit me EBRD, nga bordi aktual ka fillu procedurë shkarkimi për dy anëtarë që ka përfunduar me dorëheqje, pra njërin e dini për punësime familjare” tha ai.

Tutje i pari i qeverisë tha që qeveria ka krijuar mekanizëm juridik për të vlersuar kontratën me Z-mobile.

“Për t’iu shmangur një arbitrazhi të dytë, është kriju një mekanizëm i shqyrtimit të kontratës. Kontrata është e lidhur me licencë që e ka afatin deri në korrik të vitit 2019, dhe janë angazhuar një grup i ekspertëve për të parë arsyeshmërinë e kontratës, pas këtyre vlerësimeve ne do të marrim vendim”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj tha që pavarësisht respektit për Blerim Devollin, drejtuesin e Z-Mobile, nuk do të lejojë dëmtimin e Telekomit si dhe u zotua që nuk do të lejojë keqpërdorime nga bordi aktual.

“Unë e njoh Blerim Devollin e respektoj shumë, djali i Ibrahim Devollit, sipërmarrës boll i zoti, punëson njerëz, edhe paguan tatime, mirëpo interesin publik nuk e kam nijet me e çu në dëm për hatër të një sipërmarrësi. Nëse drejtori aktual nënshkruan kontratë të dëmshme, ai merr përgjegjësi ligjore, çdokush që merr vendime që i sjell dëme kompanisë, ata mbajnë përgjegjësi ligjore”, tha ai.

***

Konjufca: Hashim Thaçi e fundosi Telekomin, këto janë tri pikat që do ta shpëtonin

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka fajësuar ish-qeverisjen Thaçi për shkatërrim të Telekomit teksa ka prezantuar tri pika për shpëtimin e Telekomit nga falimentimi.

“Telekomi është në shkatërrim. Protagonisti kryesor që ishte kryeministër ishte Hashim Thaçi, kur ishte ish shefi i Telekomit Shyqëri Haxha dhe partia e Kadri Veselit. Nga këta është instaluar një praktikë e punësimeve pa kriter. Telekomi ka shërbyer si parajsë e keqpërdorimeve. Pushtetarët kanë vendosur edhe në cilat oborre të vendosen antenat e Valës. Nga një kompani që i sillte Kosovës të hyra ajo është buzë falimentimit”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, kontrata e lidhur më 2009 mes Dardafonit dhe Telekomit i ka sjellë kompanisë private fitim 73 për qind dhe se “prokuroria pretendon se Telekomi është dëmtuar 200 milionë euro nga kjo kontratë e në çdo vend të botës një kontratë e tillë dënohet me burg”.

Sipas tij, tri pika që duhet zbatuar për shpëtim të Telekomit janë: Respektimi i rezolutës që është votuar në Kuvend vitin e shkuar, të mos njihet kurrfarë borxhi i Dardafonit dhe të mos vazhdohet kontrata me Z-Mobile.

Ai i ka bërë thirrje kryemisnitrit Haradinaj që nëse minsitri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin, Lluka ështe i kapur nga pronarët e Dardafonit, Haradinaj e ka rastin të mos e vazhdojë kontratën për Telekomit nëse do të shpëtojë Telekomin duke treguar kështu që nuk është i kapur edhe ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat