Veseli: Gurthemeli për Muzeun e Gjenocidit në vitin 2020

Aktuale

Veseli: Gurthemeli për Muzeun e Gjenocidit në vitin 2020

Më: 14 maj 2019 Në ora: 13:37
Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka vizituar sot lokacionin në të cilin është paraparë të ndërtohet Muzeu i Gjenocidit në Kosovë, me ç’rast ka thënë se ky muze do të ketë rol përkujtimor dhe edukativ për brezat e ardhshëm.

Veseli ka thënë se Serbia ka kryer gjenocid mbi popullin e Kosovës dhe duhet të përgjigjet për këtë, pasi sipas tij nuk ka pajtim pa pasur dënim të krimit.

Ai ka potencuar se nuk do të lejojnë që të humbet gjaku i atyre ndaj të cilëve është kryer gjenocidi.

Muzeu i Gjenocidit është propozuar që të ndërtohet në vendin që njihet si ish-tjegullorja në kryeqytet, në një hapësirë prej 9 m.75 hektarësh e cila aktualisht menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Gurthemeli për Muzeun e Gjenocidit sipas kreut të Kuvendit do të bëhet në vitin 2020.

Veseli: Nuk ka pajtim pa pasur të vërtetë dhe pa pasur dënim të krimit

“Kjo është një iniciativë të cilën populli i Kosovës e merr për hir të së drejtës, të së vërtetës dhe proceseve të cilat janë prosperuese, pajtuese në regjion. Nuk ka pajtim pa pasur të vërtetë dhe pa pasur dënim të krimit, përkatësisht gjenocidit i cili është kryer në Kosovë. Ditën e enjte do të kemi seancën parlamentare ku jam shumë i bindur në gatishmërinë e të gjitha forcave politike, do të jetë një nga iniciativat më së shumti e votuar nga Kuvendi i Kosovës, nga të gjithë deputetët. Do të themelohet komisioni shtetëror i cili do të fillojnë rrugëtimin e vet në ndriçimin e së vërtetës, dokumentimin e së vërtetës dhe inicimin e Tribunalit ndërkombëtaë për krimet e luftës të cilat janë kryer nga shteti serb në Kosovë. Po ashtu, ditën e enjte do të kemi edhe disa vendime, njëri nga këto është edhe ky vend ku jemi besoj me përkrahjen e të gjithë deputetëve të Kosovës do të fillojmë edhe ndà «rtimin e muzeut të gjenocidit. Muzeu i gjenocidit serb mbi qytetarët e Kosovës, do ta propozojmë këtë vend kjo është ish-tjegullorja”, tha Veseli.

Ai ka treguar pesë arsyet se pse duhet të bëhet Muzeu i Gjenocidit, ndër të cilat është roli proaktiv në gjetjen dhe përgatitjen e aktakuzave për kriminelët e luftës.

Veseli: Pse muze i gjenocidit, unë do ti përmendi 5 arsyet të cilat janë më kryesoret

"Pse muze i gjenocidit, unë do ti përmendi 5 arsyet të cilat janë më kryesoret. Një është përkujtimi i viktimave të krimeve të bëra, së dyti do të shërbejë si qendër dokumentimi muzeu i gjenocidit dhe arkivimit të evidencave e fakteve të luftës. Tre, do të shërbejë si qendër ndërkombëtare hulumtimi për studiuesit e fushës, katër do të ketë rol edukativ për brezat e ardhshëm për memorien tonë kolektive nacionale dhe e pesta, do të ketë një rol proaktiv në gjetjen dhe përgatitjen e aktakuzave për kriminelët e luftës", tha ai.

Kreu i Kuvendit tha se modeli i muzeut do të jetë ai i Holokaustit “Yad Vashem” në Jerusalem  apo Simon Wiesenthal Center.

Ai tha se vetëm tek Instituti i Mjekësisë Ligjore rreth 1 mijë e 300 pako të personave të cilat janë të zhvarrosur dhe janë kthyer nga Serbia,  janë duke u mbajtur në mënyrë jo adekuate.

Po ashtu, ditën e enjte, kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme,  Veseli tha se do të vendoset dita e gjenocidit serb e kryer mbi qytetarët dhe memoriali i dëbimit i cili do të jetë pranë stacionit të trenit për të përkujtuar gjithë ata qytetarë të cilët janë dëbuar në mënyrë masovike nga gjithë Kosova.

Veseli: Ka përgjegjës është shteti i Serbisë

"Ka përgjegjësi, ka përgjegjës është shteti i Serbisë, dihet kush ka qenë në komandën ushtarake dhe policore dhe kush ka qenë kryetar i komunës në çdo qytet të Republikës së Kosovës. Ka fakte të krimeve të kryera edhe individuale të cilat janë kryer nga ekzekutuesit serbë, ka fakte aq shumë sa nuk ka mbulesë që mund t’i mbulojë, nuk ka forcë që mund ta ndalojë tribunalin ndërkombëtar për krimet serbe të kryera mbi qytetarët tanë”, tha Veseli.

Veseli tha se në asnjë iniciativë nuk kanë qenë më të koordinuar me Qeverinë e Kosovës dhe me kryeministrin.

Sipas tij do të ndërtohen edhe disa muze, jo vetëm një. Veseli tha se duhet të ndërtohen muze në të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka komentuar edhe deklaratat e Dick Martit në një medium serb, i cili ka deklaruar se do të sjellë dëshmi të reja për krimet që kanë ndodhur në Kosovë.

Veseli tha se  Dick Marty duhet të pyetet se pse për të gjitha masakrat në Kosovë askush nuk ka dhënë përgjegjësi.

Veseli: Gjithë ky gjenocid serb i kryer në Kosovë dhe askush nuk është përgjigjur

Pjesën të cilën e ka pasur për obligim shteti i Kosovës është duke e kryer, të gjitha çka sjell përveç propagandës serbe për t’u bërë një zëdhënës i propagandës serbe duhet të shkojnë në gjyqësi. Ai jeton në një nga shtetet më demokratike, një nga shtetet më dinjitoze ku respektohet shteti ligjor, ato nuk shkojnë nëpër gazeta serbe faktet e dokumentimet, shkojnë në prokurori dhe në gjyqësi. Për vet faktin se ne me pretendime 0.001 përqind e kemi ndërtuar një Tribunal i cili do të përfundojë për UÇ-në, a ka qenë i padrejtë a jo, unë e kam quajtur Nunberg i vogël. Por, ta keni parasysh kjo nuk ka fare të bëjë me atë pjesë, jemi në pjesën e dy dekadëshit  të lirisë së Kosovës, jemi në pjesën kur gjithë këto krime, gjithë këto masakra, gjithë ky gjenocid serb i kryer në Kosovë dhe askush nuk është përgjigjur, kjo është pyetja që duhet t’ia bëni ju të gjithë Dick Martit dhe të gjithë Dick Martave të cilët i ka verbëruar urrejtja dhe antishqiptarizmi. Kjo nuk bëhet vetëm për shqiptarët, kjo bëhet për të mos ndodhur në Ballkan krime të tilla”, u shpreh Veseli.

Të enjten, Kuvendi do të mbajë seancë në të cilën do të shqyrtohet iniciativa e kryeparlamentarit Kadri Veseli, për Tribunalin për gjenocidin serb në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat