Kryeziu: Skemat sociale dhe financimi i infrastrukturës janë kanalet që qeveria i ka harxhuar paratë

Aktuale

Kryeziu: Skemat sociale dhe financimi i infrastrukturës janë kanalet që qeveria i ka harxhuar paratë

Nga: D. B Më: 14 maj 2019 Në ora: 14:23
Nexhat Kryeziu

Ende pa u bë dy vite të Qeverisë së Ramush Haradinajt, borxhi i Kosovës ka shkuar në 1.5 miliardë euro. Kështu Lëvizja Vetëvendosje, ka publikuar disa të dhëna për rritjen e borxhit të Kosovës.

Por sipas njohëseve të ekonomisë kjo është një rritje pa kritere dhe vlerësim të nevojave të vendit në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe rritjes ekonomike

Njohësi i çështjeve të ekonomisë Nexhat Kryeziu ka thënë për “Bota sot” se diskrepanca e madhe e pagave ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, ku për të financuar rritjet pagave të sektorit publik, qeveria aktuale nuk ka krijuar të hyra tjera buxhetore, mirëpo këtë e ka bërë përmes deficitit buxhetor, respektivisht hyrjes borxh.

“Situatë të ngjashme me Kosovën ka qenë edhe Greqia e cila që prej periudhës së krizës së madhe globale financiare, për shkak të përfitimeve të mëdha që kishin punëtorët e sektorit publik, subvencionet pa kriter dhe produktivitetit të vogël, si pasojë pati rritjen enorme të borxhit publik ku edhe sot e kësaj ditë kjo gjeneratë e qytetarëve grek po i vuan pasojat e gjeneratës se kaluar, respektivisht vendimeve të qeverive të mëparshme”, ka thënë Kryeziu.

 Duke folur rreth asaj se ku shkuan ato para, pasi nuk kemi vërejtur diçka pozitive nga kjo Qeveri, Kryeziu ka thënë  se sipas asaj që shihet, financimi i kostos së sektorit publik përmes pagave, skemat sociale dhe financimi i infrastrukturës janë kanalet që qeveria i ka harxhuar paratë.

“Kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe kjo mënyrë e ndarjes së buxhetit nuk siguron qëndrueshmëri afatgjate. Papunësia ne Kosovës është njëra ndër më të mëdha në krahasim me vendet tjera në rajon. Po ashtu ekonomia jonë nuk është konkurruese për shkak të pasojave shkatërruese nga lufta dhe mënyrë e keqe e privatizimit. Në ndërkohë, vendimet e qeverive të pasluftës, përfshirë edhe këtë aktualen, nuk kanë ndikuar që të rritet përkrahja e sektorëve strategjik që sjellin konkurrencë me vendet tjera dhe që në fillim rrisin prodhimin vendor, zëvendësojnë importet dhe mandej edhe eksportojnë. I vetmi sektor që deri diku është përkrahë shihet bujqësia, mirëpo përderisa nuk mbrohen fermerët nga konkurrenca jo lojale e vendeve tjera, nuk iu sigurohen kushtet që produktet e tyre të shiten dhe të kenë profit, atëherë edhe ky stimulim do të jetë afatshkurtër, ndërsa toka do të vazhdojë të jetë djerrinë, ndërsa papunësia do të vazhdojë që të jetë kështu si është tani, është shprehur Kryeziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat