OEAK mirëpret mos-kalimin e amandamentit për lejimin e importit të veturave më të vjetra se 10 vite - Bota Sot
OEAK mirëpret mos-kalimin e amandamentit për lejimin e importit të veturave më të vjetra se 10 vite

Aktuale

OEAK mirëpret mos-kalimin e amandamentit për lejimin e importit të veturave më të vjetra se 10 vite

Më: 15 maj 2019 Në ora: 15:01
OEAK

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e vlerëson si hap pozitiv moskalimin e amandamentit të propozuar në Ligjin Nr. 05/L-132 mbi Automjetet për heqjen e kufizimit mbi importin e veturave më të vjetra se 10 vite.

Përmes një komunikate për media OEAK thotë se ky hap duhet të shihet si riafirmim i përkushtimit të Kosovës në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe përafrimit të normave të saj me ato të Bashkimit Evropian.

“Oda Amerikane edhe më herët u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që mos ta mbështesin një ndryshim të tillë që do të përkeqësonte situatën në vend si në aspekt të ndikimit mjedisor, ashtu edhe në aspekt të sigurisë në trafik. Marrë parasysh faktin se vjetërsia mesatare e automjeteve të regjistruara në Kosovë është mbi 18 vite dhe fakti se vendi përballet me nivele të larta të ndotjes gjatë periudhave të caktuara të vitit, implikimet nga një ndryshim i tillë do të rrisnin edhe më shumë shqetësimet tek qytetarët. Padyshim se ndikimet pozitive afatshkurta të një hapi të tillë do të ishin minimale krahasuar me dëmin që automjetet e vjetra mund të shkaktojnë”, theksohet në komunikatë.

Oda Amerikane rithekson besimin se moskalimi i këtij amandamenti është në frymë me iniciativat e Bashkimit Evropian për reduktimin e emetimit të gazrave nga automjetet e rënda dhe të lehta. Periudha në vijim duhet të karakterizohet me rritje të dinamikës së punës së Kuvendit në shqyrtimin dhe aprovimin e ligjeve që kanë për qëllim mirëqenien e qytetarëve dhe përmirësimin e mjedisit afarist, duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e të gjitha palëve të interesit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...