Votohet rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë

Aktuale

Votohet rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë

Më: 16 maj 2019 Në ora: 07:22
Kuvendi i Kosoves

(E plotësuar) -  Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar një rezolutë për rezolutën e gjenocidit serb të kryer gjatë luftës në Kosovë.

Rezoluta u votua me votat e 79 deputetëve.

Po ashtu Kuvendi votoi me 77 vota  edhe për rezolutën për krijimin e këndin së kurajës.

Flora Brovina shpalos në Kuvend fotografinë e 7 vjeçares që ka vdekur pas dhunimit nga serbët

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, gjatë seancës së Kuvendit ka treguar një fotografi të një vajze 7-vjeçare, për të cilën ka thënë se ka vdekur pas dhunimit nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë

Brovina tha se fotografinë po e tregon me lejen e familjes së vogëlushes së ndjerë, e me këtë ajo tha se po dëshmon edhe një herë krimet që Serbia ka bërë në Kosovë.

“Ky fëmijë, po e tregoj me lejen e familjes, ka vdekë gjatë dhunimit, vajzë 7-vjeçare, kjo është akuzë për gjenocid”, ka thënë Brovina në momentin kur e ka ngritur në Kuvend një fotografi të një vajze të dhunuar në luftë.

Brovina, po ashtu, tha se gjenocid dhe krim ndaj njerëzimit është edhe mbyllja e shkollave shqipe gjatë luftës në Kosovë.

Ajo ka përmendur edhe vrasjet e ushtarëve të UÇK-së, për të cilët tha se paraqiteshin si vetëvrasje, por në të vërtetë ishin vrasje nga serbët.

“Kryerja e vetëvrasjeve në thonjëza të ushtarëve shqiptarëve pas marrjes së rezolutës dhe mijëra ushtarë të cilët kinse kanë bërë vetëvrasje vijnë në arkivole, këto duhet shtuar rezolutës që të jetë e plotë për të gjitha masakrat. Mendoj se humaniteti e vërteta është jo vetëm kur flasin të huajt por edhe ne vetë për ato që kanë ndodhur në Kosovë. Ndoshta mjafton që 20 vite s’kemi folur në këtë Kuvend qoftë edhe me lejen e familjarëve. Nuk na është mundësuar çdo herë të flasim për këto çështje”, tha Brovina.

Ndërkaq gjatë pjesës së parë të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, Brovina ka treguar edhe një fotografi të një gruaje kosovare të dhunuar nga forcat serbe. Kjo fotografi ka tronditur gjithë vendin sot dhe ka ngjallur reagime të shumta.

***

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina ka shpalosur këto momente një fotografi të një vajze shqiptare që ka ndërruar jetë pas dhunimit nga forcat serbe.

“Ky fëmijë, dëshmoj se ka vdekur gjatë dhunimit. Është vajzë shtatë vjeçare. E publikoj fotografinë me lejen e familjarëve”, ka thënë Brovina në foltoren e Kuvendit.

Derisa në Kuvend po debatohet për nxjerrjen e rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, Brovina ka thënë se në tekstin e saj duhet të futen edhe helmimi ndaj nxënësve shqiptarë dhe mbyllja e shkollave.

“Rezolutës duhet shtuar do fakte tjera. Duhet pranuar se ka ndodhur helmimimi masiv i fëmijëve nëpër shkolla. Gjenocid ose krim ndaj njerëzimit është mbyllja e shkollave shqipe. Kryerja e ashtuquajtur e  “vetëvrasjeve” të ushtarëve shqiptarë. Edhe kjo formë duhet shtuar rezolutës. Maskrat nuk harrohen, nuk janë dy vjet të terrorit dhe dhunës por ka shumë më shumë”.

Deputetja Brovina sot paradite ka publikuar një fotografi derisa ushtarët serbë dhunonin një grua shqiptare në sytë e familjarëve të saj.

Image

Kadaj-Bujupi propozon këndin e kurajës

Seanca e Kuvendit të Kosovës për gjenocidin serb në Kosovë, nisi me propozimin deputetes Donika Kadaj-Bujupi, për mocion procedural, që në rend dite të futet edhe propozim-rezoluta në lidhje me krijimin e këndit të kurajës, ku tha se për dhunën seksuale të grave.

Ajo shtoi se kanë nevojë për mbështetjen e gjithë qytetarëve dhe motivim nga të gjithë.

Kadaj-Bujupi: Rezolutë për këndin e kurajos

“Propozoj si në vizim, qeveria, presidenca kuvendi të mbështesin me një hapësirë brenda institucioneve ku pasqyrohen punimet e viktimave të dhunës seksuale gjatë dhunës së fundit seksuale në Kosovë”, tha ajo.

Seanca për gjenocidin serb në Kosovë

Kuvendi i Kosovës po mban seancë plenare për gjenocidin serb në Kosovë.

Zeka: Kjo është Republika e Burdushit

 Deputeti Milaim Zeka në seancën e sotme, ka deklaruar se sa në mënyrë të pa drejt funksionon ky shtet i quajtur Republika e Burdushit, e tregon fakti që nuk respektohet asnjë vendim i gjykatave.

Ai pati kritika edhe për prokurorët në lidhje me arrestimin e deputetit Dardan Sejdiu, ku kërkoi nga Kadri Veseli, si kryetar i Kuvendit, që të kërkoi nga prokuroria të mos ketë asnjë kontakt me deputetët, pa njoftim paraprak të kryetarit të Kuvendit.

Zeka: Shtet jonë quhet Republika e Burdushit

“Ne kur është fjala për Z-Mobile, çdo vendim që e bjen Z-Mobile,  ne qohu dhe themi po i frikësohemi gjykatave, kur është puna te fabrika e gypave ne nuk i frikësohemi gjykatave. Se në mënyrë të pa drejt funksionon ky shtet të quajtur Republika e Burdushit, e tregon fakti që ne nuk kemi respekt për asnjë vendim të gjykatave”, tha ai.

*** 

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmani në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se në një pjesë të Dragashit ku janë 16 fshatra, shteti i Kosovës pothuajse nuk ekziston fare.

Selmani: S’ka shtet në 16 fshatrat e Dragashit

“Unë e pash që 16 fshatra të Gorës nuk kanë lidhje me Republikën e Kosovës. Ata atje realizojnë sistem paralel të arsimit. Kurikulat e shkollave të tyre janë të Republikës së Serbisë, nuk janë të Republikës së Kosovës. Pagat i marrin prej shtetit të Kosovës por i marrin edhe prej Republikës së Serbisë. Sistem paralel shëndetësor. Mjeku në ambulanten në rajonin e Gorës, në njërin gjep e ka vulën e Republikës së Serbisë, në gjepin tjetër e ka vulën e Republikës së Kosovës, varësisht se çfarë pacienti është, ai e ka vulën dhe sjellët ashtu. Sistem paralel të sigurisë, së fundmi qeveria Haradinaj, diku 40 personave iu ka lejuar të sillen si roje të pyllit por njerëzit atje thanë se ata sillen edhe me armë të gjata që në fakt janë të ngjashëm me rojet e urës që deri vonë i kemi pa në Mitrovicë”, tha ai.

Ai shtoi se kryetari i komunës paralele të Gorës, ka qenë deputet i Kosovës, Adem Hoxha.

Selmani: Hoxha gëzon veturë nga shteti i Kosovës

“Adem Hoxha dhe çka ka prej shtetit të Kosovës ai, një makinë zyrtare të Qeverisë së Kosovës, këto i gëzon prej shtetit të Kosovës, shkon”, tha ai, duke shtuar se nuk beson që kjo po ndodhë pa përkrahjen e nivelit qendror të Kosovës.

Ai shtoi se urgjentisht duhet të shtrihet sovraniteti dhe integriteti i institucioneve të Kosovës në atë pjesë.

***

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Libur Aliu, në 20 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit të Ukshin Hotit, ka thënë se ai asnjëherë nuk është përkulur para torturave dhe kjo ndikoi te të burgosurit tjerë për ta bërë më të lehtë burgimin.

Aliu ka kujtuar takimet me të në burgje, duke thënë se guximi i tij nuk ishte i momentit por ishte çdoherë i pranishëm, pasi ishte pjesë e tij.

Aliu: Ukshini nuk u përkul para torturave

“Bacën Ukë e pamë të gjithë duke mos u përkulur fare as gjatë torturave që përjetuam në burgun e Nishit e në fundin e prillit të vitit 99, ishte po i njëjti ashtu koklartë kudo. Shembujt e tillë bënin që për ne të burgosurit për ato vite burgimi të mos ishte i rënd, burgosurit qëndruan shumë mirë dhe e ruajtën dinjitetin e tyre edhe atje në Serbi por për këtë ndihmonin njerëzit me karakter të fort siç ishte baca Ukë” , tha ai.

Sipas tij, Ukshini i rezistoi edhe joshjes që ndodhi para arrestimit të tij.

 

Deputetja e LDK-së kërkon shkarkimin e Rexhep Hotit nga posti

Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku-Rexhepi ka kritikuar mbajtjen e testit të diturisë, test i cili është mbajtur të shtunën e kaluar të cilin e ka quajtur skandalin më të madh që i ka ndodhur nxënësve.

Ajo ka kërkuar që të shkarkohet koordinatori nacional Rexhep Hoti dhe të ndalohet programi nacional për rini që kohë më parë është miratuar, po ashtu ka kërkuar që të mos vazhdojë shpenzimi i mjeteve financiare. Bunjaku ka kërkuar që hetohet mënyra se si janë shpenzuar paratë për mbajtjen e këtij testimi.

Bunjaku-Rexhepi: Ky është skandali më i madh që ka mundur t’i ndodh nxënësve dhe fëmijëve tanë

“Ky është skandali më i madh që ka mundur t’i ndodh nxënësve dhe fëmijëve tanë. Ajo garë është organizuar si është më së keqi nga organizatori apo koordinatori jo profesional, me dëme të pathyeshme për efektet negative të nxënësit. Janë shpenzuar mjete financiare krejt koti, është bërë organizimi nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe nuk është bërë organizimi nga MASHT-i. Janë diskriminuar shkolla, nxënës, janë diskriminuar edhe minoritetet nëpër komuna. Janë shfaqur mijëra gabime teknike, janë shprehur mijëra ankesa në mënyrën e furnizimit me materiale, me vonesa. Kjo është bërë nga një i ashtuquajtur koordinatori nacional. Nuk do t’i kishte hije asnjë OJQ të bënte kësi gabime e jo më një koordinatori nacional”, tha Bunjaku-Rexhepi.

Deputetja ka paraqitur disa nga dështimet që sipas saj kanë ndodhur ditën kur është mbajtur testi.

Sipas saj  me të filluar testimi ato janë shpërndarë në rrjetet sociale.

Ajo ka bërë të ditur se do të thërrasin në interpelancë kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrin e Arsimit Shyqiri Bytyqi për këtë çështje.

Nis seanca për gjenocidin serb në Kosovë

 Kuvendi i Kosovës ka nisur seancë plenare ku do të votohet rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë.

Seanca i ka shtatë pika të rendit të ditës, ku ndër të tjera është propozim rezoluta për gjenocidin, formimi i komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit dhe pika tjera që lidhen me gjenocidin.

Kryesuesi Kadri Veseli njoftoi se seanca do të mbahet në bazë të rendit të ditës, për shkak se edhe disa deputet të PDK-së janë në Prizren, ku do të mbahet Akademia për Ukshin Hotin, ndërsa, në ora 14:00, të nis me shqyrtimin e propozim-rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë, Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj tha se të nis menjëherë me rezolutën për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë, Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë dhe mos të presin familjarët dhe shoqatat e të pagjeturve.

Propozimi i Haradinajt është përkrahur nga VV dhe AKR dhe Nisma. Ndërsa, vet Haradinaj tërheqi propozimin.

Drejtpërdrejt nga seanca për gjenocidin serb në Kosovë

Kuvendi i Kosovës po mban seancë plenare për gjenocidin serb në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës mban seancë për gjenocidin serb në Kosovë

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare ku do të votohet rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë.

Seanca i ka shtatë pika të rendit të ditës, ku ndër të tjera është propozim rezoluta për gjenocidin, formimi i komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit dhe pika tjera që lidhen me gjenocidin.

Këto janë pikat e rendit të ditës:

Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

Koha për pyetje parlamentare,

Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë,

Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë,

Vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish – Fabrika e tjegullave,

Vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek Stacioni hekurudhor i Prishtinës,

Caktimi i Ditës së Gjenocidit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat