Kurti: Ukshin Hoti është, qeveria mungon

Aktuale

Kurti: Ukshin Hoti është, qeveria mungon

Nga: A.M. Më: 16 maj 2019 Në ora: 11:55
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me rastin e 20-vjetorit të zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, ka thënë se na mungon ai si politikan intelektual e veprimtar patriot, na mungon si diplomat i kulturuar e profesor shkencëtar, na mungon si tribun prijës e busullë etike.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “ Ukshin Hoti e ka dashur shtetin si republikë, popullin si kryengritje, lirinë si zhvillim dhe demokracinë si mënyrë. Nuk i mori asgjë vendit tonë, i dha krejt çka pati, bëri krejt çfarë mundi. Ai thoshte çka mendonte dhe bënte çka thoshte”.

Postimi i plotë:

Në 20 vjetorin e rrëmbimit

 

Sa më shumë që kalojnë vitet aq më shumë na mungon Ukshin Hoti. Na mungon secili tipar i tij: na mungon Ukshin Hoti si politikan intelektual e veprimtar patriot, na mungon Ukshin Hoti si diplomat i kulturuar e profesor shkencëtar, na mungon Ukshin Hoti si tribun prijës e busullë etike.

 

Ndërrimi i qeverisë në Kosovë e shtoi sasinë e qeveritarëve por jo edhe cilësinë e qeverisjes. Kurrë shteti ynë nuk ka qenë më i kapur sesa sot. Sepse kurrë zyrat e larta të shtetit nuk kanë pasur më shumë bashibozukë mujsharë dhe lakmiqarë tërpijanë që e kanë bërë shtetin feud e Kosovën plaçkë.

 

Ukshin Hoti e ka dashur shtetin si republikë, popullin si kryengritje, lirinë si zhvillim dhe demokracinë si mënyrë. Nuk i mori asgjë vendit tonë, i dha krejt çka pati, bëri krejt çfarë mundi. Ai thoshte çka mendonte dhe bënte çka thoshte.

 

Tri herë i burgosur politik. Nuk ndalej. Ai jetoj për neve. Tre librat do t’i jetojnë edhe pas neve.

 

Te “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, “Lufta e ftohtë dhe detanti” si dhe “Bisedë përmes hekurash" ku kemi përgjigjet e Ukshin Hotit në 13 pyetjet e Ismail Kadaresë, e gjejmë orientimin e duhur për të ardhmen dhe shpjegimin e nevojshëm për veten tonë.

 

Librat e Bacës Ukë janë. Leximi i tyre nga pushtetarët mungon.

 

Ukshin Hoti është, qeveria mungon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat