Berisha: Të arriturat e FSK-së janë suksese të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë

Aktuale

Berisha: Të arriturat e FSK-së janë suksese të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë

Më: 16 maj 2019 Në ora: 13:42
Konferenca per media

Në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, për herë të parë pas miratimit të ligjeve për Ministrinë dhe FSK-në, filloi punimet konferenca dyditore ,,FSK dhe Partnerët 2019-I’’ me pjesëmarrje të atasheve të Mbrojtës të shteteve partnere, KFOR-it dhe Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë e Mbrojtjes(MM) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (NALT/MM/FSK), njofton Ministria e Mbrojtjes përmes një komunikate për media.

Në fjalën e tij hyrëse, Berisha, duke ju shprehu falënderime të gjithë atasheve ushtarakë dhe atyre të Mbrojtjes të shteteve të rajonit, shteteve partnere, shteteve të NATO-s si dhe të gjithë të ftuarve të tjerë, tha: ,,Falënderoj shtetet partnere në krye me SHBA-në, NATO-n për mbështetjen e vazhdueshme që na e kanë dhënë dhe po vazhdojnë të na japin në zhvillimin e FSK-së. Të gjitha të arriturat e FSK-së janë suksese të përbashkëta dhe kjo histori suksesi është e Kosovës dhe aleatëve perëndimorë. FSK-ja edhe me mandatin e ri do të jetë forcë profesionale, shumetnike dhe e besueshme, ku diversiteti është dhe do të mbetet vlerë, ku barazia është për të gjithë. Për MM dhe FSK-në, qytetarët e Kosovës janë të gjithë të barabartë. MM dhe FSK-ja bashkëpunon me këshilltarët e NALT-it në baza ditore. Me këtë rast dëshiroj t’i falënderoj për ndihmën këshilluese dhe për krahjen e vazhdueshme që po na japin në zhvillimin e FSK-së. Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin dhe bashkërendimin që kemi tash e 20 vjet me misionin e KFOR-it në Kosovë, të cilëve dua t’u falënderohem për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Republika e Kosovës është përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe bashkëpunim me të gjithë. Ne jemi të bindur se paqja e përhershme arrihet me anëtarësimin e secilit shtet të rajonit në NATO’’,-  përfundoi fjalën  e tij ministri Berisha.

 Gjithashtu edhe gjenerallejtënant Rrahman Rama  mbajti një fjalë rasti, ku ndër  të tjera tha: ,,Më lejoni që në emër timin dhe në emër të ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës të ju falënderoj për kontributin e vazhdueshëm dhe të jashtëzakonshëm që po ofroni për të ngritur aftësitë dhe kapacitetet tona kombëtare. Ne kemi avancuar dukshëm në ngritjen e kapaciteteve duke arritur ndërveprueshmëri me partnerët tanë. Këtë më së miri e kemi dëshmuar në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” , si dhe në pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrimet në nivel ndërkombëtar. Forca e Sigurisë së Kosovës ka nevojë për mbështetjen tuaj në rrugëtimin tonë të përbashkët për të qenë të gatshëm që t’ju mbështesim në të ardhmen atëherë kur të kërkohet. Ju partnerë të FSK-së, keni një rol të rëndësishëm në zhvillimin e FSK-së si forcë ushtarake e besueshme dhe gjithëpërfshirëse”, - u shpreh gjeneral Rama.

 Gjatë seancës së parë folën edhe komandanti i KFOR-it, gjeneral major Lorenco D’Adario dhe drejtori i NALT-it gjeneral brigade Uëe Becker, ndërsa më pas kolonel Agron Bajrami,  drejtor i Departamenti për Siguri dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar.

 Vlen të përmendet se në punimet e konferencës së parë për vitin 2019 ,,FSK dhe Partnerët’’ po marrin pjesë atashe të Mbrojtjes nga Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Kroacia, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Gjermania, Italia, Hungaria etj. Konferenca do t’i vazhdojë punimet edhe nesër me prezantimin e nevojave dhe projekteve të disa prej fushave me interes të veçantë për zhvillimin e Forcë në këtë fazë.

 Në hapjen e punimeve të konferencës morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, zëvendësministrat Burim Ramadani dhe Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i përgjithshëm Shkelzen Sylaj, drejtori i Drejtorisë për Politika dhe plane z. Faruk Geci, komandanti i KFOR-it gjeneral major Lorenzo D’Adario, drejtori i NALT-it, gjeneral Uëe Becker, si dhe gjeneralë dhe oficerë të FSK-së, KFOR-it dhe NALT-it si dhe atashe të FSK-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat