Përkujtohet një nga figurat e rëndësishme të Betejës së Koshares

Aktuale

Përkujtohet një nga figurat e rëndësishme të Betejës së Koshares

Më: 16 maj 2019 Në ora: 14:37
Përkujtohet një nga figurat e rëndësishme të Betejës së Koshares

Në 20 vjetori e rënies së tij, është përkujtuar sot heroi i kombit, Abaz Thaçi. Në një akademi përkujtimore, u tha se ky hero dha shumë për lirinë e vendit.

Në akademinë përkujtimore të organizuar nën kujdesin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, Abaz Thaçi i Brigadës 138-Agim Ramadani, u kujtua si figurë e rëndësishme me të cilën lidhen ngushtë shumë aksione e suksese të kësaj brigade.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se Abaz Thaçi ishte prej ushtarakëve më aktiv dhe më të afërt me ushtarët shqiptarë, kudo që shërbenin.

Ai tha se Abaz Thaçi vinte nga një familje patriotike.

Thaçi: Për atdheun Abazi braktisi jetën e mirë në perëndim

“Kudo që ishte Abazi, në trevat e ish-Jugosllavisë apo edhe në perëndim, përsëri malli për atdheun, për Drenicën e tij të dashur, për Kosovën, bëri që të braktiste perëndimin, jetën e tij të mirë dhe t’u bashkohej atë për të cilën kishte lindur, edukuar nga familja, dhe përgatitur profesionalisht, t’i bashkëngjitej luftës për çlirimin e Kosovës. Ai tërë atë dije që e kishte marrë e vuri në shërbim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të luftës për liri dhe pavarësi, dhe ishte shëmbëlltyra e bashkimit të të gjithë njerëzve për të luftuar kundër ushtrisë dhe policisë serbe”, tha ai.

Meqë kryeministri nuk ishte prezent që t’i drejtohet familjarëve, aty foli ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Ish-komandanti i Brigadës 138, tha se ndjehet krenar me Betejën e Koshares dhe kontributi që kanë dhënë ushtarët e UÇK-së aty, bashkë me heroin Abaz Thaçi.

Berisha: Beteja e Kosharës një prej arsyeve të nënshkrimit të kapitullimit të Millosheviqit

“Një prej faktorëve që sigurisht në të ardhmen do të dalin në sipërfaqe, që e detyruan Sllobodan Millosheviqin të nënshkruajë kapitullimin ishte lufta frontale e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, suksesi i Betejës së Koshares por edhe humbjet që i përjetuan forcat serbe përball forcave tona në betejën e Koshares..... Jam shumë krenar dhe shumë i lumtur me luftëtarët e kësaj beteje, kontributit të dëshmoreve, Abazit dhe shumë heronjve të tjerë por edhe të gjallëve që janë prezent këtu, invalidëve, veteranëve, për heroizmin, luftën heroike, guximin që e kanë treguar në Betejën e Koshares. Pa dasht me u thellu shumë me debate të panevojshme që po zhvillohen rreth Betejës së Koshares, mendoj që Beteja e Kosharës, suksesi i saj është një sukses që ne të gjithë duhet të mburremi”, tha ai.

Rrustem Berisha tani ministër i Mbrojtjes, tha se politika e vetme e kësaj brigade ishte lufta, dhe kauza e vetme ishte çlirimi i vendit.

Nga Brigada 138-Agim Ramadani, për heroin Abaz Thaçi foli edhe Milazim Maraj.

Maraj: Abaz Thaçi reagonte kundër përçarjeve

“Reagonte me takt kundër përçarjeve, ku do të shkojmë kështu të përçarë thoshte, edhe kështu jemi pak. Ai kishte të drejtë se në luftë duhet të krijohet besimi të komandanti, të shoku i luftës, të arma, të doktrina e luftës dhe të arsyeshmëria për të luftuar”, tha ai.

Ndërsa nipi Abaz Thaçi, Arbër Thaçi citoi disa fjalë nga ditari personal i heroit.

Thaçi: Fjalët e axhës Abaz të shkruara në ditarin e tij

“Më lejoni që në këtë ditë të veçantë të kujtoi amanetin e tij të shkruar në ditarin personal: ‘Çdo pikë gjaku do ta jap, që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur, dhe populli i saj të jetojë sa më mirë’, u falënderoj për pjesëmarrjen, lavdi axhës Abaz, lavdi dëshmorëve të kombit”, tha ai.

Abza Thaçi ka rënë më 16 maj 20 vjet më parë.

Në vitin 2016, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka ndarë Urdhrin Hero i Kosovës, për Abaz Thaçin i njohur si Bjeshka-1.

Në akademinë e mbajtur të enjten në Prishtinë, u interpretua edhe monologu “Ninullat e Përgjakshme”, nga Melisa Feriza, gjithashtu u interpretua poema “Mbi atdhe me të flakëru shpirti”, nga Afrim Muçaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat