Ambasada amerikane në Kosovë, ka njoftuar sot se është duke marrë masa ndaj personave që janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit. Ambasada duke përmendur me emër rastet si Pronto, rastin e vizave italiane, ikjen nga burgu i Dubravës, rastin Toka dhe Apex, ka thënë se personat e implikuar në këto raste, nuk do të mund të marrin viza për të udhëtuar në Amerikë.
E ky vendim i amerikanëve, e ka gëzuar edhe ambasadorin e parë të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar Muhamet Hamiti.
Hamiti ka thënë se ky veprim i Ambasadës amerikane ndaj të përfshirëve në rastin Pronto, do të ishte ndëshkim i merituar, përcjell Bota sot.
Ai ka theksuar se është në dorën e votuesve që sivjet të bëjnë këtë.
Postimi i Hamitit:
Këtyre të Prontos dhe sojit të tyre të ndyrë duhet t’u heqet viza të sundojnë në Kosovë. Ky do të ishte ndëshkim i merituar.
Është në dorën e votuesve ta bëjnë këtë! Sivjet!
Në vend demokratik duhet të ketë qeverisje, jo sundim.