Flora Brovina e mbron shefin e saj: Nuk e ka ditur për fotografinë

Aktuale

Flora Brovina e mbron shefin e saj: Nuk e ka ditur për fotografinë

Më: 17 maj 2019 Në ora: 15:55
Flora Brovina

Pas intervistimit pothuajse tri orësh nga Policia e Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, u ka kërkuar falje të gjitha viktimave të dhunës seksuale, për fotografinë që ka prezantuar një ditë më parë, ku kishte thënë se në të janë serbët teksa dhunojnë një grua shqiptare para familjarëve të saj.

Brovina:  Iu kërkoj falje viktimave për shqetësimin që ju kam sjell

“Në përgjithësi krejt popullit por në veçanti grave të dhunuara t’iu kërkoj falje, familjeve të tyre për shqetësimin që iu kam sjellur me këtë fotografi. Deklaroj se organet e stetit në të cilat besoj shumë do të merren me këtë çështje dhe tanimë janë marrë”, tha deputetja e PDK-së.  

Brovina ka deklaruar se atë fotografi në zarf ia kishte dhënë në atë kohë ish nënkryetarja e Komisionit qeveritar për të pagjetur, Mevlude Saraqi në vitin 2003.

Sipas Brovinës këtë fotografi Saraqit ia kishte dhënë një aktivist i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, për të cilin deputetja tha se nuk i kujtohet emri.

Brovina: Mevlyde Saraqi më ka sjellë  zarfin me këtë fotografi

“Konstatoj edhe në bazë të deklarimit, se është një dokument ndoshta i falsifikuar, i cili është keqpërdorur shumë kohë më herët, qysh në vitin 2003 kur më është dorëzuar si kryetare e komisionit të personave të zhdukur, nga një Asociacion siç është këshilli për drejtat e njeriut....  Personi ka qenë aktivist i Këshillit të Drejtave të Njeriut, emrin nuk ja di sepse e kam harruar. Ndërsa nënkryetarja e komisionit ka qenë Mevlyde Saraqi, kolege e imja, me të cilën kemi bashkëpunuar shumë ngushtë... në këtë rast ajo ma ka sjellur zarfin dhe më ka thënë se kjo grua është 35 vjeçare dhe e din rastin. Ndërkaq, personi që ka komunikuar me mua në telefon më ka thënë se, ‘unë e kam pyetur se a mund të përdor këtë fotografi, atë fotografi që do të ma sjell’, ka thënë po po e kam verifikuar”, tha ajo.

Megjithatë ajo tha se me guxim i ka përdorur këto fotografi, sepse nuk ka menduar se dikush mund t’i sjell fotografi të pa verifikuara.

Brovina: Nuk kam menduar kurrë se dikush mund të më sjell dokumente të pa verifikuara

“Kurrë nuk kam menduar se dikush mund të më sjell dokumente që nuk janë të verifikuara dhe të sakta. Prandaj edhe me guxim e kam përdorur me të drejtë, se shumica e dhunimeve në Kosovë kanë pasur pozita dhe situata të ngjashme, mos të them identike, prandaj nuk kam besuar se ky dokument mund të jetë diçka që nuk është i saktë. Saktësinë e tij do ta vërtetojnë organet e shtetit dhe unë qëndroj në disponimin  e tyre në çdo moment, jo vetëm në këtë rast, por për të gjitha rastet”, tha ajo.

Duke kërkuar falje, ajo tha se asnjëherë nuk ka shkelur dinjitetin e viktimave të dhunës seksuale.

Ajo e mohon se kryetari i partisë Kadri Veseli nuk ka qenë në dijeni për këto fotografi.

Brovina: Veseli nuk e ka ditur rastin

“Ai nuk e ka ditur rastin... kam pasur shumë dokumente me vete të cilat kisha dilemë, cilën ta paraqes si më të fortën për ta dëshmuar gjenocidin, në mesin e së cilës kisha dosjen, fletoren e përcjelljes së fëmijëve të helmuar qysh në vitin 1990 deri në vitin 96, kisha edhe histori të tyre, veç e veç sipas muajve”, tha ajo.

E pyetur se a është e gatshme për dorëheqje, ajo tha se është në disponim për çdo gjë, sepse sipas saj, mbi të është shteti, liria e shtetit dhe e vërteta e tragjedisë së shtetit të Kosovës.

Ndryshe, Flora Brovina  është marrë në pyetje nga policia  me urdhër të Prokurorisë Speciale, në lidhje me fotografinë e publikuar dje, që sipas Brovinës dëshmonin  dhunimin e një gruaje, nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, fotografi kjo e cila është kontestuar më pastaj. Flora Brovina ka theksuar se sot është intervistuar në cilësinë e dëshmitares. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat