Limaj: Gjermania e përkushtuar për të ndihmuar në liberalizimin e vizave dhe dialogun

Aktuale

Limaj: Gjermania e përkushtuar për të ndihmuar në liberalizimin e vizave dhe dialogun

Më: 17 maj 2019 Në ora: 17:18
Fatmir Limaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj pas takimeve në Berlin, ka thënë se shpreson që edhe shteti gjerman do të ndikojë në politikën e Beogradit që të heq dorë nga gjuha luftë-nxitëse, të pranojë dhe të distancohet nga krimet që ka bërë regjimi i Millosheviqit dhe të krijohet klima për të filluar një dialog të mirëfilltë Kosovë-Serbi.

Limaj ka thënë për KosovaPress, se gjatë takimeve në institucionet shtetërore gjermane, kanë diskutuar për takimin e Parisit, liberalizimin e vizave, mohimin e krimeve që bëhet nga kreu i shtetit serb, dhe bashkëpunimi në mes Gjermanisë dhe Kosovës.

Ai shtoi se Kosova është me fat që ka një mik siç është Gjermania në këto proces, pasi angazhimi i këtij shteti në dialog dhe liberalizimin e vizave është jetik për Kosovën.

Limaj: Mbështetje e fuqishme për Republikën e Kosovës

“Gjermania është shumë e angazhuar dhe përkushtuar që të avancohet me dialogun, me ndihmuar sa më shpejt në liberalizimin e vizave dhe për të vazhduar ndihmën dhe bashkëpunimin që ka bërë qeveria e gjermane në drejtim të Kosovës. Ajo që mund të them nga temat që kemi pas në tri institucionet, në parlamentin gjerman, kancelarin gjermane dhe në ministrinë e jashtme, shkëmbimi i mendimeve dhe qëndrimeve na ka qartësuar dhe ndihmuar shumë për proceset që do të vinë. Ne presim vizitat e delegacionit gjerman dhe francez në Kosovë, parapërgatitje për samitin e Parisit, sido që të jetë kthehemi në Kosovë me shumë optimizëm, me një qartësi të madhe dhe me mbështetjen e fuqishme që kam parë në këto institucione për Republikën e Kosovës“, ka thënë Limaj.

Limaj shtoi se Serbia duhet të distancohet nga krimet e regjimit të Millosheviqit, të heq dorë nga gjuha luftë nxitëse dhe dal nga dal të krijohet klima për të filluar një dialog të mirëfilltë.

Limaj: Të krijohet klima për të filluar një dialog të mirëfilltë Kosovë-Serbi

“Unë i njoftova për vështirësitë që ka Kosova, sidomos nga veprimet e Serbisë, thash mohimi i krimeve që ka vështirësuar situatën, pastaj paradat në Nish e të gjitha këto mesazhe që na vinë nga Serbia, që veç sa e tensionojmë dhe vështirësojnë komunikimin në mes Kosovës dhe Serbisë. Shpresoj që edhe shteti gjerman do të ndikojë në politikën e Beogradit që t’i rikthehet dialogut, të heq dorë nga gjuha luftë nxitëse dhe të pranoj dhe të distancohet nga krimet që ka bërë regjimi i Millosheviqit dhe dal nga dal të krijohet klima për të filluar një dialog të mirëfilltë dhe sa më shpejt të përmbyllën çështjet e hapura Kosovë-Serbi“, tha ai.

Limaj po ashtu tha se shteti gjerman është i interesuar që të dy palët të gjejnë rrugë për t’i tejkaluar pengesat dhe lëvizjen e dy anshme për të lëvizur procesi në vështirësi./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat