Veseli: Flora Brovina ka bërë një gabim, duhet të nxjerrim mësime nga ky gabim

Aktuale

Veseli: Flora Brovina ka bërë një gabim, duhet të nxjerrim mësime nga ky gabim

Më: 17 maj 2019 Në ora: 17:25
Kadri Veseli

(E plotësuar) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se deputetja e partisë së tij, Flora Brovina ka gabuar me fotografinë që e ka paraqitur dje, por që këtë e ka bërë pa dashje.

Sipas Veselit, Flora Brovina nuk duhet të linçohet, por duhet parë pasojat e gjenocidit serb. Veseli, në një konferencë me gazetarë, ka thënë se nuk ka forcë që mund të ndalë formimin e Tribunalit për krimet e Serbisë në Kosovë.

Kadri Veseli tha se që prej dje ka marrë shumë telefonata nga familjarë te të pagjeturve e të viktimave, të shqetësuar duke e pyetur se a do të ndalet iniciativa për formimin e Tribunalit.

Por, sipas Veselit, asgjë nuk mund ta ndalë krijimin e Tribunalit.

 Veseli: Brovina ka bërë një gabim, por pa dashje

“Zonja Flora Brovina, ditën e djeshme, ka bërë një gabim të madh, por unë besoj që e ka bërë pa dashje. E them këtë, sepse e njoh Florën, veprimtarinë e saj, humanizmin e saj, ashtu siç e njeh gjithë Kosova.  Gjithsesi, është dashur të konsultohet më herët për atë veprim qe e ka ndërmarrë, para se të vinte në seancë. Por, ne duhet të nxjerrim mësime edhe nga ky gabim.  Ky gabim pikërisht na dëshmon nevojën që trajtimi i së kaluarës të bëhet në mënyrë profesionale, e jo te ngutur dhe emocionale. Na dëshmon nevojën për institucione të specializuara me ekspertë të mirëkualifikuar, që i trajtojnë faktet e krimeve në mënyrë rigoroze e të verifikuara”, tha Veseli.

I pyetur për komunikimin e tij dje në seancë me deputeten Flora Brovina, ku kjo e fundit i afrohet duke i treguar disa letra, Veseli ka thënë se nuk e ka ditur që letra ka përmbajtje të tillë.

Veseli: Flora ka qenë e ngarkuar emocionalisht

“E kam parë një njëri shumë të ngarkuar emocionalisht, fat i mirë se ka edhe incizime, ka ardh me një letër të zhubrosur të cilën e mbante me fanatizëm. I kam kërkuar me mirëkuptim që mos ta lexojë në foltoren e Kuvendit. Kjo është arsye pse ndoshta ka ndodhur pas asaj kjo, nuk po them nuk po tregohem i mençuri se a e kam ditur, u jap fjalën e nderit, ndoshta kur e ka vendosur aty edhe nuk e kam ditur se mund të jetë e tillë. Por i kam thënë se është e rëndë, dhe është shumë e rëndë, kjo ka qenë një arsye. Më tutje ka ndodhur historia, është mirë se ka qenë xhirimi në tërësi, edhe live. Do të ishte më mirë të më kishte pyetur 2-3 orë më herët ose një ditë, pastaj kemi edhe një grup parlamentar. Sidoqoftë nuk është Flora Brovina ajo që duhet të linçohet sot, një grua humaniste e ngarkuar emocionalisht. Pse nuk i shikoni pasojat e gjenocidit serb pikërisht nga kjo Flora Brovina”, tha ai.

 Veseli ka thënë se gjurmët e gjenocidit janë gjithandej në Kosovë.

 Ai tha se gjenocidi serb nuk e ka bazën te një fotografi, as te një person, por te një politikë shtetërore serbe,  e cila ka kryer krime në mënyre te planifikuar.

***

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë për media lidhur me publikimin e fotografisë së djeshme nga deputetja e partisë së tij, Flora Brovina, ka thënë se gjenocidi serb në Kosovë nuk e ka bazën në një fotografi, apo tek një person. Veseli tutje tha se gjenocidi serb bazë ka shtetin serb dhe politikat e tyre.

Veseli ka thënë se Tribunali për gjenocidin serb do të formohet, pavarësisht se çka ndodh, dhe se ai do t’i dënojë të gjitha krimet serbe në Kosovë, përfshirë kategorinë e grave të dhunuar seksualisht.

“Përveç dhunimit të grave, do të dënohet edhe dëbimi i shqiptarëve, shkatërrimi i pasurisë, por edhe pasojave traumatike që ua kanë shkaktuar të gjithëve. Këto janë faktet mbi të cilat do të ngritët ky tribunal. E vërteta duhet të dihet, drejtësi për popullin tonë duhet të ketë”, ka thënë Veseli.

Tutje, ai ka tha se deputetja Brovina ka bërë një gabim të madh, por pa dashje.

“E njoh atë, humanizimin e saj, e pafajësinë. Ajo është dashur të konsultohet më herët për atë veprim që e ka ndërmarrë para se të vinte në seancë. Duhet të nxjerrim mësim nga ky veprim. Ky veprim na dëshmon nevojën për institucione të specializuara që i trajtojnë faktet e krimeve në mënyrë të verifikuar. Sot dua të përçojë mesazh për të gjithë ata që po pyesin për Tribunalin ndërkombëtar. Kjo iniciativë nuk do të ndalet. S’ka forcë që mund ta ndal të vërtetën dhe drejtësinë për vendin tonë. Nga dita e parë e kësaj iniciative ka pasur sulme. Ka fakte e dëshmi e dëshmitarë për ato krime. Serbia do të përgjigjet për atë gjenocid. Kriminelet nuk do të mund të flenë rehat. Të hënën do të kemi seancë, do të formohet Komision Shtetëror për Dokumentimin e krimeve në Kosovë, do të votohet edhe muzeu i gjenocidit, i cili do të bëhet në qendër të Prishtinës, dhe muzeu i dëbimit, te stacioni trenit. Do ta shpallim ditën e dëbimit të shqiptarëve”, ka thënë Veseli.

Ai shtoi se asgjë nuk duhet të na largojë nga qëllimi për ngritjen e tribunalit për krimet serbe.

“Askush s’do ta ndalë. Është gabim që më së shumti na ka kushtuar neve, por gabimet nuk do të ndalin”, vazhdoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat