Edhe Andin Hoti ka dy fjalë për Flora Brovinën

Aktuale

Edhe Andin Hoti ka dy fjalë për Flora Brovinën

Nga: N.H Më: 17 maj 2019 Në ora: 18:10
Flora Brovina

Deputeti Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Andin Hoti, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka pyetur se si mundet që një foto e manipuluar të përdoret për të zhvlerësuar iniciativën për krimet e panumërta që kemi vuajtur vetë në kurriz.

Ai ka drejtuar gishtin te një media në vend, për të cilën ka thënë se si mundet në një kohë rekord, ia ka dalë që pak orë pasi u bë publike, të analizojë dhe zbulojë që fotoja e Flora Brovinës ishte e falsifikuar e po ashtu të gjejë se cili është burimi origjinal i kësaj fotoje të manipuluar?

Ndërsa, tutje, ka thënë se AKI duhet të identifikojë ata persona që kanë më së shumti interes që e vërteta e krimeve të mos zbardhet dhe që historia jonë e dhimbshme të shtrembërohet.

Ja shkrim i plotë:

Në ditët kur Kosova më në fund po angazhohet seriozisht për të themeluar tribunalin ndërkombëtar për krimet e luftës të bëra nga serbët, po shikohet një përpjekje e qartë për ta sabotuar.
Po shikohet se ka nga ata që iniciativën për t’u marrë me serbët që kanë duart e përgjakura duan ta devalvojnë e ta kthejnë në një përpjekje për t’u marrë me njëri tjetrin. Pra luftën kundër kriminelëve serb ta shndërrojnë në një konflikt me njëri tjetrin.

Si mundet që një foto e manipuluar të përdoret për të zhvlerësuar iniciativën për krimet e panumërta që kemi vuajtur vetë në kurriz? Si mundet që Gazeta Express në një kohë rekord, ia ka dalë që pak orë pasi u bë publike, të analizojë dhe zbulojë që fotoja e Flora Brovinës ishte e falsifikuar e po ashtu të gjejë se cili është burimi origjinal i kësaj fotoje të manipuluar?
Këtë gjë mund ta bëj vetëm dikush i lidhur me ata që në radhë të parë e kanë përfshirë këtë foto të manipuluar në mesin e fotove e dëshmive të krimeve të bëra në Kosovë.
Prandaj duhet që Agjencia Kosovare e Inteligjencës të mos qëndrojë duarkryq por të vihet në veprim e të bëj detyrën. AKI duhet që sa më parë të veprojë për të zbardhur këtë ngjarje sepse ka shumë rrethana të dyshimta që nuk mund të jenë rastësi.

Po ashtu AKI duhet të identifikojë ata persona që kanë më së shumti interes që e vërteta e krimeve të mos zbardhet dhe që historia jonë e dhimbshme të shtrembërohet.

Tribunali DO TË BËHET, Drejtësia do të vihet në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat