Grajqevci: Ekzistojnë mijëra fotografi e videoincizime për krimet serbe në Kosovë

Aktuale

Grajqevci: Ekzistojnë mijëra fotografi e videoincizime për krimet serbe në Kosovë

Më: 18 maj 2019 Në ora: 20:13
Ahmet Grajqevci

Ka dhjetëra e mijëra fotografi, dokumentacion dhe mijëra orë incizime të krimeve të luftës që Serbia i ka bërë në Kosovë. Kështu thotë kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajqevci.

Sipas Grajqevcit, skandali me fotografinë që e paraqiti deputetja, Flora Brovina, nuk i zbeh faktet e gjenocidit serb në Kosovë dhe nuk e dëmton procesin e nismës për ngritjen e një Tribunali.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina doli me një fotografi të cilën e paraqiti si dëshmi të krimeve serbe në Kosovë, ku shiheshin disa ushtarë derisa dhunonin seksualisht një grua, por që e njëjta pastaj doli të jetë marrë nga një faqe për të rritur, dhe ngjarja ishte zhvilluar në Irak, derisa po xhiroheshin skena filmi.

Krejt ka tronditur opinionin në vend, ku edhe kanë reaguar organizata për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale, shoqëria civile dhe qytetarët, duke thënë se janë traumatizuar viktimat nga kjo ngjarje.

Edhe vet Grajqevci, i cili që dy dekada merret me çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturve dhe krimeve të luftës, konsideron se Brovina është dashur paraprakisht të konsultohet me ndonjë ekspert të hulumtimeve të krimeve të luftës.

“Kemi material të mjaftueshëm, kemi dokumente, kemi viktimat, shihet çdo gjë, nuk do koment. Për një fotografi nuk është, si ka ardh deri aty, njerëzit nga emocionet e kanë qit, nuk e përkrahi sepse shumë duhet me pas kujdes kur qet diçka, ka pasur njerëz që ka mundur me u konsultu me ekspert të hulumtimeve të krimeve të luftës”, thotë ai.

Por ai thotë se kjo nuk duhet të pengojë procesin e ngritjes së Tribunalit që dënon gjenocidin serb në Kosovë, i cili është iniciuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Sipas tij, qe 20 vjet kanë kërkuar themelimin e një gjykatë të tillë dhe që shteti serb të shpallet shtet gjenocidial.

“Ne për 20 vite, çdo proces që e kemi bërë dhe çdo rezolutë që është nxjerrë, kemi kërkuar të dënohen krimet e kryera mbi popullatën civile shqiptare, dhe mbi kënd do qoftë, krimi duhet dënuar. Organizatat e përkrahin fuqishëm një gjykatë e cila do të merret me dënimin e krimeve të luftës dhe me drejtësinë. Në vitin 2000, iu ka drejtuar edhe Kombeve të Bashkuara, Kofi Ananit me një kërkesë, të formohet një tribunal për krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë dhe shteti serb të shpallet shtet gjenocidial”, thotë ai

Ani pse ka dy dekada që kanë kërkuar themelimin e një gjykatë, Grajqevci thotë se për zbardhjen e krimeve të luftës nuk është asnjëherë vonë, veçse e shqetëson fakti që mund të jetë vonë për kapjen e disa kriminelëve që siç thotë dita-ditës mund të vdesin apo të ikin.

“Absolutisht nuk e dëmton procesin e Tribunalit ,të komisionit dhe kësaj gjykate, sepse ja prapa meje dhe para meje shihen krimet, me dhjetëra mijëra foto, me mijëra orë video incizime të krimeve të luftës, me dhjetëra mijëra dokumentacion të kriminelëve të luftës, dhe planet dhe programet dhe proceset që kanë pasur për t’i kryer gjatë luftës”, thotë ai.

Ahmet Grajqevci i cili drejton Këshillin Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur, thotë se Serbia i ka vet të gjitha incizimet e krimeve që ka kryer, dhe sipas tij ato duhet të publikohen një ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat