Shefi i ri i PDK’së në Drenas shkel Ligjin, s’jep dorëheqje nga Posta

Aktuale

Shefi i ri i PDK’së në Drenas shkel Ligjin, s’jep dorëheqje nga Posta

Më: 19 maj 2019 Në ora: 15:19
Shefi i ri i PDK’së në Drenas shkel Ligjin, s’jep dorëheqje nga Posta

Shefi i PDK’së në Drenas e ka nisur aktivitetin partiak me shkelje ligjore. Ai po e mban pozitën e Kryetarit të Partisë dhe në të njëjtën kohë të Kryeshefit Ekzekutiv të Postës. Ligji specifikon se s’mund as të bëhesh drejtor në ndërmarrje publike nëse në 36 muajt e fundit ke qenë pjesë e pozitave partiake. Kolegu i Hoxhës, Blerand Stavileci kishte dështuar të bëhej Shef i KEK’ut pikërisht pse kishte mbajtur pozita partiake dhe ishte i zgjedhur politikë.

Sejdi Hoxha, prej të shtunës, ka nisur të shkelë Ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi ka marrë pozitë udhëheqëse në një parti politike dhe në të njëjtën kohë është edhe Kryeshef Ekzekutiv i Postës së Kosovës.

Në nenin, 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ku precizohen “Kushtet e Kualifikimit dhe Përshtatshmërisë Profesionale” shkruan se as drejtor s’mund të jesh në një ndërmarrje publike nëse ke pozitë partiake.

Madje, aty specifikohet se pozitë të tillë s’mund ta mbajë askush nëse edhe në 36 muajt e fundit ka qenë pjesë pozitave ekzekutive e partive politike.

“Një person ka të drejtë të shërbejë si drejtor vetëm nëse…është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në pikën K të Nenit 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Blerand Stavileci, një tjetër zyrtar i zgjedhur në pozita politike nga PDK, kishte dështuar të bëhej Shef i KEK’ut pikërisht se kishte mbajtur pozita të mëhershme politike e ndaluar me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. 

Pra, Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjeve publike të Kosovës duhet të jetë i pavarur, ashtu siç kërkohet edhe për anëtarët e tjerë të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike. Pra, asnjë person që në 36 muajt e fundit ka pasur poste politike në institucione apo në parti politike nuk mund të zgjedhet në krye të menaxhmentit të një ndërmarrje publike.

Sejdi Hoxha është zgjedhur të shtunën kryetar i degës së PDK’së në Drenas. Para se të bëhej Shef i Partisë në qytetin e Ramiz Lladrovcit, ai ka mbajtur edhe pozita të larta në organizimet studentore. Gjithmonë Partia e Kadri Veselit dhe njerëzit e tij i kanë qëndruar afër. Hoxha madje është në lidhje familjare edhe me Azem Sylën, anëtar i Kryesisë së PDK’së dhe dikur Komandant i UÇK’së, aktualisht ndiqet penalisht se ka bërë dallavere me pronat nëpër vende të ndryshme të Kosovës.

Sidoqoftë, të dielën, Sejdi Hoxha ka thënë se s’ka konflikt interesi mbajtja e dy pozitave udhëheqësve, një në ndërmarrje publike e tjetra në Partinë e themeluar nga Hashim Thaçi.

Hoxha ka thënë ta ketë konsultuar vartësitë e tij në Zyrën Ligjore e cila i ka dhënë të drejtë të jetë shef partiak e udhëheqës i ndërmarrjes publike.

 “Unë e kam konsultuar zyrën ligjore të Postës dhe e kam marrë një interpretim se nuk ka konflikt interesi me rastin e  zgjedhjes së kryetarit të degës së PDK’së në Drenas, për arsye se ligjimi mbi ndërmarrjet publike e specifikon që të gjithë drejtorët mund të jenë politik, përveç Kryeshefit ekzekutiv”, ka thënë Hoxha.

Ai po ashtu thotë se do të konsultohet edhe me Agjencionin Kundër Korrupsionit , për ta vërtetuar nëse mbajtja e dy pozitave nga ana e tij përbën shkelje të Ligjit apo jo.

“Gjithashtu do ta konsultoj edhe Agjensionin Kundër Korrupsionit, si mekanizmi kryesor për dhënien e interpretimeve për konflikt interesi dhe jap zotim publik se nëse  është konflikt interesi asnjëherë nuk do të jem në kundërshtim me ligjin. Në momentin që vërtetohet, automatikisht do ta respektoj vendimin e agjensionit kundër korrupsion”, është shprehur Hoxha.

Hoxha është ngjitur në krye të PDK’së në bastionin e partisë. Ai ka marrë 130 vota, ndërsa kundërkandidati i tij Naim Bazaj 76.  Ky i fundit pasi e ka humbur garën ka vendosur edhe të largohet nga Partia Demokratike e Kosovës. Thotë se “njerëzit e qendrës janë përzier në këto zgjedhje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat