KQZ: Ecuria e zgjedhjeve në veri pa probleme

Aktuale

KQZ: Ecuria e zgjedhjeve në veri pa probleme

Më: 19 maj 2019 Në ora: 20:19
Valdete Daka

Zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor kanë vlerësuar të qetë dhe pa probleme ecurinë e sotme të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës.

Në një konferencë për media, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka,  ka bërë të ditur të dhënat nga dalja e qytetarëve në zgjedhjet e sotme, ku deri në ora 19.00 kanë votuar gjithsej 42.42 për qind.

Daka: Vendvotimet mbyllen me kohë, ecuria e zgjedhjeve pa probleme

“Në 87 vendvotime të komunave janë mbyllur të gjitha me kohë në ora 19.00. Sipas të dhënave preliminare nga terreni, procesi i votimit në këto katër komuna është zhvilluar pa ndonjë problem. Ju njoftojmë se të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të jashtëzakonshme e shfrytëzuan 24.595 apo 42.42 për qind qytetarë me të drejtë vote nga gjithsej 57.983 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në zgjedhjet e tetorit deri në të njëjtën kohë kishin votuar 23.981 votues  apo 41.90 për qind. Kjo është dalja sipas komunave: Leposaviq 41.57 për qind, Zubin Potok 50.74 për qind, Zveçan 48.17 për qind dhe në Mitrovicën e Veriut 38.74 për qind”, tha Daka.

Ajo ka bërë të ditur se nga ora 19.00 rrjedh afati 24 orë për ankesa të subjekteve politike në PZAP lidhur me procesin e votimit në veri të Kosovës, ndërkohë  që lidhur me konferencën e radhës ku do të njoftohen rezultatet preliminare do të bëhet e ditur më vonë nga KQZ-ja.

Ndryshe, në zgjedhjet e sotme në katër komunat në veri të Kosovës të drejtë vote kanë pasur 57.983 persona në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Në këto zgjedhje garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Të drejtë vote në Mitrovicën Veriore kanë 22 mijë e 242 persona, në Leposaviq 18 mijë e 390, Zveçan 9 mijë e 276 dhe Zubin Potok 8 mijë e 612 persona.

Sipas renditjes së KQZ-së, në garë për kryetar të Leposaviqit janë Fisnik Veseli nga Lëvizja Vetëvendosje, Shaqir Hetemi nga PDK dhe Zoran Todiq nga Lista Serbe.

Në Zubin Potok garojnë Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysen Mehmeti nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Sërxhan Vulloviq nga Lista Serbe. Ndërsa në Zveçan, për kryetarin e kësaj komune garojnë, Avdi Peci nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Vuçina Jankoviq nga Lista Serbe.

Në Mitrovicën e Veriut garojnë Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Gonxhe Çaushi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Goran Rakiq nga Lista Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka angazhuar 670 komisionarë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të vendit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë mbajtur në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje për shkak të vendosjes së  taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat