Qendra e PDK-së ia dha mbështetjen, por kryetar u zgjodh dikush tjetër

Aktuale

Qendra e PDK-së ia dha mbështetjen, por kryetar u zgjodh dikush tjetër

Më: 20 maj 2019 Në ora: 00:10
Naim Bazaj

Naim Bazaj para zgjedhjes për të parin e PDK-së në Drenas kishte marrë mbështetjen e nivelit qendror të partisë së tij, por ai nuk arriti të zgjidhet në këtë post.

Kryeshefi i PTK-së, Sejdi  Hoxha, gjatë kohës së cilit kjo ndërmarrje ka punuar me humbje,  mori timonin e PDK-së në Drenas përballë kundërkandidatëve Naim Bazaj e Kushtrim Prenku, në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie.

Pasi humbi garën për të parin e PDK-së në Drenas, Naim Bazaj ka postuar një video në Facebook, ku ai shihet së bashku me zyrtarë të nivelit qendror të kësaj partie, Adem Grabovci,  Elmi Reçica, Fatmir Xhelili, Enver Hoxhaj dhe Xhavit Haliti.

Këta të fundit janë mbledhur për t’i dhënë mbështetje në garën për të parin e Drenasit. E fjalë të mëdha Naim Bazaj merr nga Adem Grabovci.

“Ne kemi udhëheqës institucional sa të duash, por shpirtëror qe... (Bën me dorë drejt Bazajt) Enveri e ka parë qysh ka qenë. Por, po të them tash shumë sinqerisht, ta kam thënë edhe atë ditë, na ki shti borxh. Unë, personalisht, s’kam për të ta harruar kurrë. Na ke bërë një ndihmë dhe një nderë, një respekt të jashtëzakonshëm. Ne të gjithë e kemi parë situatën si na e ke përshkruar, e përjetuar në terren, por angazhimi juaj dhe i gjithë të tjerëve pa përjashtim, e ka bërë sikur është kthyer në një situatë krejt tjetër”, ka thënë Grabovci.

Edhe Fatmir Xhelili çmon lart punën e Bazajt në PDK, por i sugjeron atij që të aktivizojë ‘gjithë mekanizmin e miqësisë”.

“Personalisht, por edhe tërë shokët e çmojnë atë që ke bërë dhe shumë të falënderoj dhe shumë respekt, por me thënë të drejtën, frika ime personale është te komunat që ne kemi fituar gjithë pas luftës, Drenasi, Skenderaj, Shtime, Kaçaniku, se na e zëmë punën ‘nasgjë” se hajt se fitojmë, hajt se dalim në vota, por unë ende po frikësohem dhe kisha me ju lut të aktivizosh gjithë mekanizmin që e ki të shoqërisë, miqve, dashamirëve, farefisit”, ka thënë Xhelili.

E Elmi Reçica pret shumë nga Bazaj dhe ekipi i tij, madje thotë se ai le të bëhet kryetar i Degës së PDK-së në Drenas.

“Naim Bazaj le të bëhet kryetar. Nesër prej krejt neve pritet për të dhënë maksimumin që në fund kur të përmbyllet çdo gjë për ta ditur saktësisht se ku jemi, por ma shumë po më vjen keq, por më shumë se që pritet prej teje, prej kërkujt tjetër. Po ta them sinqerisht, prej teje dhe prej krejt ekipit”, tha Elmi Reçica.

Ndërsa, Enver Hoxhaj ambicien e Bazajt për të parin e Degës së PDK-së në Drenas e quan krejt të natyrshme.

“Kur i përcillja lajmet unë, ta dija autoritetin që e kishe në Drenas, e dija punën që ke bërë në Drenas, e shihja shumë legjitime dhe të drejtë, ti je kryesues i asamblesë, kjo ambicie për t’u bërë anëtar komune është krejt e natyrshme”, ka thënë Enver Hoxhaj.  

Në një pjesë të kësaj video shihet edhe pjesa ku kryetari i PDK-së Kadri Veseli i jep mbështetje Bazajt për kryetar të Degës së kësaj partie në Drenas.

“Kryetar, Naim Bazaj”, shprehet ai para elektoratit të kësaj partie, e cila pritet me ovacione të shumta.  

Ndryshe, udhëheqësi aktual i Postës, Sejdi Hoxha ka fituar 130 vota në garën për të parin e partisë,  Naim Bazaj mori 76 vota dhe Kushtrim Prenku 40 vota. Pas humbje, Bazaj ka paralajmëruar se do të largohet nga PDK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat