Përpjekjet për rrëzimin e Qeverisë, Nitaj: Iniciativë e kotë, e dëgjojmë qe 1 vit

Aktuale

Përpjekjet për rrëzimin e Qeverisë, Nitaj: Iniciativë e kotë, e dëgjojmë qe 1 vit

Më: 20 maj 2019 Në ora: 14:44
Ramush Haradinaj dhe Muharrem Nitaj

Partitë opozitare janë duke kërkuar bashkëpunim me njëra-tjetrën për të krijuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. LDK-ja dhe VV-ja duket se janë marrë vesh për ta çuar këtë mocion përpara, por këto parti po kërkojnë edhe përkrahjen e pjesës tjetër të opozitës, për t’i bërë votat për rrëzim të Qeverisë. Ndërkaq, gjithë këtë përpjekje të opozitës pozita po e quan të kotë dhe të dalë boje.

Deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, kanë filluar t’i bashkojnë forcat për rrëzimin e Qeverisë. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, mëngjesin e sotëm ka paralajmëruar se do të takohet me të parin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të bashkërenditur veprimet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Ai, po ashtu, ka thënë se do ta ftojë edhe kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmeti, që të diskutojnë për t’u marrë vesh për veprime të përbashkëta.

E bashkëpartiaku i Mustafës, njëherësh Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, tha të dielën për Express se secili deputet, pa e ndarë gjininë dhe etninë, që e përkrah mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë e ka derën çelur.

Një deklaratë të tillë Beqiri e tha kur u pyet se a do t’i pranojnë votat e Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

“Nuk po flas as për etni as për gjini të deputetëve, sekush që ka gatishmërinë me e përkrah mocionin, derën e ka të hapur. Pa nda etni, nëse një Qeveri mund të formohet me votat e çdokujt që është deputet, atëherë pse duhet me qenë pengesë opsioni për rrëzimin e Qeverisë nga kushdo qoftë”, ka thënë Beqiri.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, ka thënë se opozita nuk i ka votat për rrëzimin e Qeverisë, por ato do t’i kërkojnë edhe brenda koalicionit qeverisës.

“Subjektet politike opozitare vetvetiu i kanë të deponuara votat e tyre për me rrëzu qeverinë, duke qenë se nuk janë të mjaftueshme atëherë fokusi duhet të jetë te votat tjera brenda koalicionit eventualisht. Vetëvendosjes nuk i ka munguar gatishmëria asnjëherë e as votat për të shkuar drejt zgjedhjeve”, ka thënë Selimi.

Mirëpo, përpjekja e opozitës për ta çuar Qeverinë Haradinaj në shtëpi, po i duket e kotë deputetit të AAK-së, Muharrem Nitaj.

Ai ka thënë se opozita po i kërkon votat edhe nga pozita, por fillimisht duhet të sigurohen se a i kanë të gjitha votat edhe në opozitë, pasi, sipas tij, nuk do duhej të ishin aq të sigurt për këtë.

“Ka më shumë se një vit që e dëgjojmë këtë historinë se si opozita do ta rrezojë Qeverinë dhe kësaj pune i ka dalë edhe boja. Kemi dëgjuar lloj lloj margaritarësh se si do ta kryejnë këtë operacion. Po kërkojnë vota edhe nga pozita, veç kurrë nuk e kanë kuptuar nëse mund të llogarisin, qoftë edhe në të gjitha votat, që formalisht janë në taborin e tyre. Unë nuk do te isha aq i sigurt”, ka thënë Nitaj.

Nitaj shton se opozita duket të jetë në krizë për veprime, e gjithë përpjekjen për rrëzim të Qeverisë e quan si formë të mbajtjes së elektoratit nga ana e tyre.

“Populli thotë se fjalët e tepërta janë fukarallëk. Ata qe e kane fuqinë e numrat, nuk flasin hiç por veprojnë! Por, duket se janë në krizë për ide e veprime, prandaj dhe po provojnë ta mbajnë elektoratin e vet me këtë historinë e rrëzimit të Qeverisë”, thotë Nitaj.

Ai, po ashtu, ka përmendur edhe sfidat e Qeverisë, duke thënë se kanë qenë të mëdha e të rënda.

“Veç përballja me Serbinë dhe aleatet e saj, në këtë fazë, ka qenë një detyrë e vështirë, që ka kërkuar edhe mençuri edhe guxim, diçka që duket të mos ketë qenë e mjaftueshme në qeverisjet e shkuara. Dhe ketë e di edhe opozita, por ia ka qejfi të mos e pranojë, sepse në këtë vend, suksesin nuk ta bëjnë hallall”, ka thënë Nitaj.

Për rrëzimin e Qeverisë duhet të sigurohen të paktën 61 vota, e partitë opozitare deri më tani kanë qenë kundër opsionit të rrëzimit të Qeverisë me votat e Listës Serbe, por kjo tashmë nuk po përjashtohet nga LDK’ja e Isa Mustafës.

Aktualisht, as Qeveria s’e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës pasi Lista Serbe është larguar nga koalicioni. Mirëpo, Ekzekutivi po funksionon me 12 votat e partisë së Shpend Ahmetit, i cili i ka përkrahur buxhetin e dialogun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat