Thaçi e akuzoi Berishën për korrupsion në Rrugën e Kombit, harron sa i kushtuan Kosovës autostradat

Aktuale

Thaçi e akuzoi Berishën për korrupsion në Rrugën e Kombit, harron sa i kushtuan Kosovës autostradat

Më: 21 maj 2019 Në ora: 11:38
Berisha dhe Thaçi

Ideja e ndarjes së Kosovës, i ka vendosur në dy pole të kundërta ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ish-kryeministrin e Kosovës, tashmë president, Hashim Thaçin.

Kundërshtimi që Sali Berisha ia bënë vazhdimisht një ideje të tillë të Thaçit, e ka nxehur jashtëzakonisht shumë këtë të fundit, i cili nuk lë emision televiziv pa akuzuar e ofenduar atë.

Përveç cilësimeve si ‘argat i Serbisë’ e ‘gërmadhe politike’, Thaçi ka filluar t’i drejtojë Berishës edhe akuza për keqpërdorime e korrupsion në projektin e ndërtimit të Rrugës së Kombit.

Megjithatë gjatë kohës sa Hashim Thaçi ka qenë kryeministër, në Kosovë është ndërtuar një nga autostradat më të shtrenjta në Ballkan, e cila ka kushtuar më shumë se 1 miliardë euro, e për të cilën është bërë mjaft zhurmë.

Një kilometër i autostradës ‘Ibrahim Rugova’, sipas përllogaritjeve ka kushtuar 12 milionë euro.

E shuma e parave që janë paguar për shpronësime, në  mënyrë që të ndërtohej autostrada ‘Ibrahim Rugova’, janë paguar 124 milionë euro.

Ndërkohë në momentin kur janë bashkuar këto dy rrugë, Thaçi me Berishën kanë bërë bashkë hapjen e tunelit në ‘Kalimash’, gjë që dëshmon se ata dikur kishin qenë edhe miq të mirë.

Këto polemika mes dy ish-kryeministrave kanë filluar në momentin kur Sali Berisha e ka akuzuar Thaçin se me idenë e korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve po e ‘valëvitë flamurin e Serbisë së Madhe’.

Sipas Berishës, Thaçi bashkë me Edi Ramën duke shtyrë përpara këtë ide, po i bënin argatin e Serbisë.

E ndaj këtyre deklaratave nuk ka qëndruar pa reaguar as presidenti Thaçi, duke thënë se vetë Berisha ka qenë argat i Millosheviqit, dhe një njeri që e ka dashur gjithmonë Kosovën nën autonominë e Serbisë.

Përveç këtyre Thaçi ka filluar të ofendojë Berishën, duke e cilësuar si gërmadhe politike dhe si një njeri që ka nevojë për trajtim mjekësor.

Këto deklarime presidenti Thaçi i ka bërë të hënën në një emision në Top Channel, duke nxitur kështu edhe reagime të panelsitëve.

Njëri nga pjesëmarrësit në emision ka thënë se këto deklarata të Thaçit janë akuza personale, dhe se nuk mund të jenë qëndrime të presidencës së Republikës së Kosovës.

Analisti shqiptar Neritan Sejamini, madje i ka kujtuar Thaçit faktin se po dialogun me ish-ministrin e Sllobodan Millosheviqit, për të ardhmen e Republikës së Kosovës./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat