I qëllimshëm apo naivitet, skandali i Flora Brovinës?

Aktuale

I qëllimshëm apo naivitet, skandali i Flora Brovinës?

Nga: N.Sh Më: 21 maj 2019 Në ora: 12:03
Kadri Veseli dhe Flora Brovina

Kryetar i Republikanëve të Kosovës, REK, prof. Faton Kurti, e ka komentuar skandalin e deputetes së PDK-së, Flora Brovinës, e cila e publikoi një fotografi, kinse të dhunimeve serbe gjatë luftës në Kosovë, por që doli të jetë fotografi e marrë nga sajtet pornografike iraniane.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës për themelimin e një Tribunali ndërkombëtar për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë, Brovina publikoi fotografinë, ku dyshohej se kriminelët serb, kryenin dhunime të tmerrshme ndaj në grua shqiptare, shkruan gazeta “Bota sot”.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, pyet se a ishte i qëllimshëm apo naivitet ky skandal?

“Pse, zonja deputete Flora Brovina nga partia PDK, fillon aktakuzën në Kuvendin e Kosovës, para opinionit publik me një fotografi fallso me sfond pornografik i siguruar nga interneti për ta dokumentuar Gjenocidin serb ndaj Shqiptarëve, kur ne kemi me mijëra foto, materiale, video inçizime si dhe dhjetëra mijëra dëshmitarë të gjallë?!”, pyet Kurti.

Ja reagimi i plotë:

Image

I QËLLIMSHËM APO NAIVITET POLITIK? – SKANDALI GJATË SEANCËS PARLAMENTARE PËR THEMELIMIN E NJË TRIBUNALI NDËRKOMBËTAR.

Çuditërisht, pikërisht në kohën kur Gjykata Speciale në Hagë po fillon me aktakuzat dhe intervistimet e para ndaj disa qeveritarëve tanë – Kryetarit i Kuvendit, Kadri Veseli dhe partia e tij PDK, nisi iniciativën për formimin e një Tribunali Ndërkombëtar për të gjykuar dhe ndëshkuar Gjenocidin Serb ndaj Shqiptarëve të Kosovës.

Të njëjtët qeveritarë heshtën për 20 vite dhe nuk kërkuan përgjegjësi nga Serbia për krimet e luftës, por përkundrazi, Serbisë iu dha mundësia të përfitojë nga bisedimet si në aspektin politik ashtu edhe ai ekonomik

Vetë kjo iniciativë filloi me një skandal, deri më tani të paparë, amatoresk, naiv apo ndoshta më mirë, duhet të themi të qëllimshëm për ta degraduar këtë “iniciativë” e cila ka të bëjë me historinë më të rëndë të popullit tonë! Pse, zonja deputete Flora Brovina nga partia PDK, fillon aktakuzën në Kuvendin e Kosovës, para opinionit publik me një fotografi fallso me sfond pornografik i siguruar nga interneti për ta dokumentuar Gjenocidin serb ndaj Shqiptarëve, kur ne kemi me mijëra foto, materiale, video inçizime si dhe dhjetëra mijëra dëshmitarë të gjallë?!

Në çdo situatë tjetër, përgjegjësia nuk do të mbetej vetëm individuale por do duhej që ky subjekt politik që është në qeverisje, të jepte llogari për këtë përçudnim të kauzës së shqiptarëve të vrarë, të dhunuar, të masakruar dhe të pagjetur, për të cilët ende sot pas 20 vitesh nuk ka ende drejtësi. Zonja Brovina, është vetëm dora, por kush është mendja diabolike pas këtij publikimi që i bën atentat dhe e çon në kufijtë e delegjitimimit, gjenocidin mizor të serbëve ndaj popullatës civile shqiptare? Këtu, fshihet qëllimi i paketuar me naivitetin personal të një deputeteje të nderuar e cila ka vuajtur në lëkurë mizorinë e represionit serb.

Sipas mendimit tim, përveç kërkesës për krijimin e një TRIBUNALI NDËRKOMBTAR për GJENOCIDIN SERB ndaj Shqiptarëve në Kosovë - duhet kërkuar edhe themelimi i një GJYKATE SPECIALE kundër "GJENOCIDIT" Ekonomik, Korrupsionit Politik dhe Nepotizmit të cilat e kanë sjellë popullin e Kosovës në një varfëri të skajshme dhe në një papunësi kronike, si dhe largimin masiv nga Kosova si kurrë më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat