Çfarë lidhje ka Presidenti Thaçi me të arrestuarin për fajde?

Aktuale

Çfarë lidhje ka Presidenti Thaçi me të arrestuarin për fajde?

Më: 21 maj 2019 Në ora: 16:32
Hashim Thaçi

Jo më larg se pak muaj më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me Isni Kilajn, zëvendësministër i PDK-së, i kishin shkuar në konak, të arrestuarit për fajde e detyrim, Adil Thaçi, që po del të jetë një nga bashkëpunëtorët e afërt të Ismet Osmanit –Currit që u arrestua dje.

Të ulur në odë të burrave, fotografinë e kishte publikuar në rrjete sociale vetë zëvendësministri i Drejtësisë, Kilaj, me mbishkrimin “Në odën e Adil Thaqit me presidentin Thaqi”.

Nuk është bërë ende e qartë se çfarë lidhshmërie mund të ketë presidenti Thaçi me të dyshuarin për përfshirje në fajde, por, që lidhja e tij me Partinë Demokratike të Kosovës, e me njerëz të saj shihet edhe përmes fotove. Bizneset milionëshe në anën tjetër figurojnë të regjistruara në ARBK.

Vetëm në Agjencinë e Regjistrimit të bizneseve në Kosovë, Thaçi figuron si pronarë në katër prej tyre, të gjitha këto mirë të njohura në vend. Kapitali i këtyre bizneseve arrin shifra milionëshe.

Image

Kjo nuk përfundon me kaq, Adil Thaçi, njihet mirë nga drejtësia vendore edhe për disa raste të tjera. Momentalisht është duke u hetuar për mashtrim si një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Currit, e për këtë prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se kanë prova materiale, shkresa dhe CD me incizime, foto-dokumentacion, të gjitha këto që iu janë bashkëngjitur kallëzimit penal.

Mediat  kanë konfirmuar nga organizata e veteranëve të luftës, se Thaçi kishte qenë pjesë e ushtrisë.

Hysni Gucati madje ka bërë të ditur se e njeh personalisht, atë, e kjo mund të shihet edhe në disa fotografi që këta të fundit kanë së bashku.

Kryetari i OVL-UCK, tha  se ai kishte qenë pjesë e luftës, e që tash zëvendësministri Kilaj ishte komandant i tij.

Ai po shton se Thaçi ka rënë vetëm pre e një grupi të cilën e ka quajtur grup të matrapazëve, pasi që shton se të njëjtin e njeh si njeri human, e jo që merret me biznese të tilla. Ky i fundit ka dijeni edhe për fotografinë në të cilën shihet i dyshuari për përfshirje me fajde së bashku me presidentin Hashim Thaçi.

Image

Kush është Adil Thaçi?

Një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të krye mafiozit Curri, Adil Thaçi, përveç lidhjeve të tij me njerëz të politikës, ka qenë edhe i dënuar nga drejtësia vendore.

Siç ka mësuar Express, Adil Thaçi u dënua me 16 muaj burgim efektiv dhe me 2 mijë euro gjobë për veprën penale, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë. Dy të akuzuar tjerë të përfshirë në rast, ndërkaq, u dënuan me nga 500 euro gjobë, si bashkëkryerës të  moslajmërimit të veprave penale apo kryerësve të tyre.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Adil Thaçi së bashku me Fatmir Kilaj në datën 11 mars të vitit 2014-të, rreth orës 00:20 minuta pas mesnatës në restorantin   ‘’Sharri’’ në Prizren, kanë përdorur armët e zjarrit në kundërshtim me ligjin mbi armët. Kilaj është vëlla i zëvendësministrit të Bujqësisë i cili kishte publikuar fotografinë me presidentin e të dyshuarin për fajde.

Atë natë në atë restorant kanë shkaktuar rrezikun e përgjithshëm duke dëmtuardhe bërë të papërdorshme pasurinë e personit tjetër, të dëmtuarit  J.H.  pronarit të Restorantit ‘’Sharri’’.

Thaçi kishte qenë i përfshirë edhe në një rast tjetër.

Gjykata Themelore e Pejës e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 13 vjet burgim Shaip Zukajn vitin e kaluar, i akuzuar për vrasjen e Zymer Dervishajt dhe vënien në rrezik të jetës se Adil Thaçit në vitin 2011, në Tregun e Gjelbër të Deçanit.

Ndërkaq, Thaçi, sipas kërkesës që Prokuroria Themelore e ka bërë për caktim të paraburgimit, thotë se në janar të vitit 2018, kishte qenë ndërjmjetësues, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete e mashtron të dëmtuarin Faton Dalladaku se kinse ai është pronar i ligjshëm i shtëpisë në “Pejton”, edhe pse nga transaksionet financiare shihet se nuk kishte të holla 260.000.00 euro për pagesën e kryer  për Sami Nikën. E me këtë veprim pretendohet se ka kryer veprën penale “mashtrim”.

Në kërkesë për caktimin e paraburgimit thuhet se dyshimi i bazuar se të pandehurit Ismet Osmani, Ilir Bojku, Adil Thaqi, Mentor Maqani e Rrahim Hashimi kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen vërtetohet nga provat materiale, shkresat dhe CD me incizime, foto-dokumentacion, i cili është bashkangjitur kallëzimit penal.

Ndryshe, këtë të martë pritet të mbahet seanca dëgjimore ku do të shqyrtohet kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj pesë personave, të cilët një ditë më parë ishin arrestuar si të dyshuar për fajde, detyrim dhe mashtrim.

Pronari i disa bastoreve dhe kazinove, Ismet Osmani, i njohur si “Curri” nga Mitrovica, biznesmeni Rrahim Hashimi dhe tre të tjerë ishin arrestuar të hënën nga Policia e Kosovës, me dyshimin se kanë kryer veprën penale të fajdesë, të detyrimit dhe të mashtrimit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur tashmë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për pesë të dyshuarit. Në kërkesë shpjegohen edhe shumat milionëshe me të cilat ky grup kishte shantazhuar disa persona.

Në kërkesë për caktimin e paraburgimit thuhet se dyshimi i bazuar se të pandehurit Ismet Osmani, Ilir Bojku, Adil Thaqi, Mentor Maqani e Rrahim Hashimi kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen vërtetohet nga provat materiale, shkresat dhe CD me incizime, foto-dokumentacion, i cili është bashkangjitur kallëzimit penal.

Propozimin për caktim të paraburgimit, në kërkesë, prokurori Hamiti thotë se prokuroria e bën për shkak se nëse lejohen të mbrohen në liri, ka arsye për të besuar se të njëjtit do të asgjësojnë, fshehin provat e veprës penale, e po ashtu duke e ditur të kaluarën kriminale tregojnë se të pandehurit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në të dëmtuarin e dëshmitarët.

Ismet Osmani, Ilir Bojku, Mentor Maqani, Rrahim Hashim e Adil Thaçi janë pesë personat e arrestuar për këto dyshime. Në arrati ndërkaq janë Zekë Jasiqi e Ekrem Lika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat