MZHE pagoi 92 mijë euro për punëtorët serbë, që nuk shkuan asnjë ditë në punë - Bota Sot
MZHE pagoi 92 mijë euro për punëtorët serbë, që nuk shkuan asnjë ditë në punë

Aktuale

MZHE pagoi 92 mijë euro për punëtorët serbë, që nuk shkuan asnjë ditë në punë

Më: 21 maj 2019 Në ora: 18:30
Ministri i MZHE

MZHE ka paguar 18 punonjës, të cilët nuk kanë shkuar asnjë ditë në punë.

Fiks 92 mijë e 336 euro janë shpenzuar për 18 zyrtarë të komunitetit serb pa shkuar asnjë ditë në punë. Pagesa është bërë nga MZHE-ja gjatë vitit 2018.

Sipas vendimit të Qeverisë nr.06/39 i datës 22.07.2015, të bazuar në marrëveshjen e Brukselit, për shuarjen e të ashtuquajturës “mbrojtja civile” në veriun e Mitrovicës, ministria ka qenë e obliguar t’i sistemoi 18 punëtorë të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës.

Marrëdhënia e punës për tetëmbëdhjete zyrtarët është formalizuar në vitin 2016, në departamentin për integrime evropiane, si zyrtarë për monitorim të zhvillimit ekonomik në nivel lokal. Ndërkohë, pagesa për ta është bërë në vitit e kaluar, ndonëse të njëjtit nuk janë paraqitur në punë. Këto fakte i ka publikuar Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e Auditimit për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2018, shkruan lajmi.net.

“Ne nuk kemi asnjë dëshmi për realizimin/kryerjen e punëve në përputhje me përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive që janë ngarkuar në MZHE. Këta punonjës, gjatë vitit 2018, nuk ishin paraqitur në vendin e punës dhe nuk kishin kryer detyrat e përcaktuara me kontratë, ndërsa për pagat e tyre janë paguar 92,336 euro. Kjo gjendje ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të kontratës në mënyrë të njëanshme nga ana e punëtorëve dhe përpjekjeve të pamjaftueshme të ministrisë për t’i angazhuar”, thuhet në raportin e ZKA-së për MZHE-në.

Auditori ka shfaqur rrezikun se, pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë, shkakton dëmtim buxheti si dhe mos arritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës.

Andaj, lidhur më këtë problematikë, Auditori i ka rekomanduar ministrisë që duhet të shqyrtojë arsyet e mosvijimit në punë të këtyre punëtorëve, të zgjidhë problemin e angazhimit të tyre të rregullt në punë, ose në të kundërtën, të ndërpres pagesat e pagave të tyre të parregullta. Për shkak të kompleksitetit të këtij problemi, ministrit i rekomandohet çështjen e mëtejme të këtyre pagesave ta adresojë edhe në Qeveri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...