Zbulohen detaje nga takimi Mustafa-Kurti, ja kur synojnë të rrëzojnë Qeverinë Haradinaj

Aktuale

Zbulohen detaje nga takimi Mustafa-Kurti, ja kur synojnë të rrëzojnë Qeverinë Haradinaj

Nga: A.Zh Më: 22 maj 2019 Në ora: 12:23
Pamje nga takimi Mustafa-Kurti

Dy liderët e partive opozitare, ai i LDK-së Isa Mustafa dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, janë takuar sot për të diskutuar për organizimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së koalicionit PAN.

LDK-ja, përmes një komunikate për media, ka thënë se në takim, Mustafa ka thënë se Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional dhe se Qeveria e koalicionit qeverisës nuk përfaqëson shumicën në Kuvend, përcjell Bota sot.

Mustafa dhe Kurti kanë vlerësuar se situata në Kosovë po përkeqësohet. Andaj, sipas tyre, në ditët në vijim, grupet parlamentare do të veprojnë në organizimin e mocionit.

Komunikata e plotë e lëshuar nga LDK-ja:

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në mëngjesin e sotëm u takua me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. Dy liderët e partive opozitare në Kosovë, diskutuan për organizimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së koalicionit PAN.

LDK, në nëntor të vitit të kaluar, kishte aprovuar Platformën Zgjedhore duke konstatuar se institucionet e dala nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 nuk po e bëjnë punën e tyre në interes të vendit dhe të forcimit e të konsolidimit të shtetit të Kosovës, se Kuvendi i Republikës së Kosovës është bërë jofunksional dhe se Qeveria e koalicionit qeverisës nuk përfaqëson shumicën në Kuvend.

Rrjedhimisht, LDK vlerësoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje përmes votës së mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale ose përmes shpërndarjes së Kuvendit duke kërkuar nga të gjitha organet e LDK-së angazhim të plotë dhe të gjithanshëm për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.

z. Mustafa dhe z. Kurti vlerësuan se edhe përkundër faktit që grupet parlamentare të LDK-së dhe të LVV-së bashkërenditën aktivitetin opozitar kundër qeverisjes së dëmshme dhe një mori skandaleve të kësaj qeverie dhe të këtij koalicioni, situata në Kosovë po përkeqësohet. Korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme.

Në ditët në vijim, grupet parlamentare do të veprojnë në organizimin e mocionit.

Image
Pamje nga takimi Mustafa-Kurti
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat