Zbulohen lidhjet biznesore të Nasim Haradinajt me Rrahim Hashimin

Aktuale

Zbulohen lidhjet biznesore të Nasim Haradinajt me Rrahim Hashimin

Më: 23 maj 2019 Në ora: 16:55
Nasim Haradinaj dhe Rrahim Hashimi

Rrahim Hashimi, i dyshuar për fajde e mashtrim, ka lidhje të shumta me zyrtarë shtetërorë. Përveç tyre, mësohet se Hashimi ka një biznes privat me nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të UCK’së, Nasim Haradinajn. Ky thotë se nuk i pengon aspak që ortaku i tij po hetohet për fajde, mashtrim dhe detyrim.

U arrestua nën dyshimet se ishte marrë me fajde, mashtrim dhe detyrim. Por Rrahim Hashimi u lirua vetëm pak orë pas arrestimit të tij i cili u bë në Vushtrri në mesditën e 20 majit. Ai dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të udhëhequr prej  “Currit” nga Mitrovica. Grup të cilit deri më tani dyshohet se i përkasin 7 persona, 4 janë në paraburgim, dy në arrati, si dhe Hashimi i cili u lirua më 21 maj.

Biznesmeni që po akuzohet për kërkim të 100 mijë eurove, Rrahim Hashimi, për ta mbyllur një hetim në polici dhe që është pjesë e skandalit me fajde ku po përmendet edhe Kryeparlamentari Veseli, duket se së shpejti do të jetë pjesë edhe e një biznesi ndërtimor me përmasa të mëdha i cili së shpejti do të fillojë të ndërtohet në disa qendra të Kosovës.

Bashkë me Hashimin, në biznes është edhe Nasim Haradinaj, Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në pasqyrën financiare të kompanisë e cila gjendet në ARBK, Rrahim Hashimi del të jetë njëri nga personat i cili ka aksione më së shumti në kompaninë të cilës ende nuk i është vënë emri e që udhëhiqet nga një kosovar që jeton në Zvicër.

Rreth 15 mijë e 500 euro është kapitali të cilin e ka deklaruar Hashimi në ARBK e që përbën kapital prej 30,1 për qind.

Se janë pjesë e së njëjtit biznes me Hashimin, e ka konfirmuar vet për Express, Haradinaj i cili në pasqyrë figuron si person që ka kapital rreth 15 mijë euro, në kapital prej 30 për qind. Bashkë me këta dy janë edhe dy persona të tjerë.

E firma e cila do të ndërtojë qendra për pleq udhëhiqet nga Shkelzen Mulaj, biznesmen që jeton në Zvicër.

Image

Nasim Haradinaj ka pranuar se është pjesë e një projekti bashkë me Rrahim Hashimin. Thotë se e ka bashkë-luftëtar dhe se nuk i pengon që edhe në biznes ta ketë ortak.

“Kryesori është Shkelzen Mulaj, i Zvicrës është. Unë kam qenë në dijeni që jam me Rrahimin këtu.  Është kompani që hala s’po funksion mirë, është në ngritje e sipër. Jemi në përgatitje”, ka deklaruar Haradinaj,

Ai ka shpjeguar se kompania ende nuk është emëruar.

“Është për pleq kompani me ndërtua ndërtesa. Pronari është i Kosovës, por jeton jashtë Kosovës.”.

Haradinaj u shpreh se beson në pafajësinë e ortakut të tij në biznes, Rrahim Hashimit.

“Nuk më pengon fakti që jam në kompani me Rrahmon Hashmin. Rrahim Hashim e njohë edhe si bashkëluftëtarë. E kemi përciellë edhe kur ka qenë në Hagë. Akuzat tash i vërteton gjyqi. Unë nuk jam i implikuar me të për këtë çështje. Unë jap përgjegjësi nëse veç për kompani diçka jam i implikuar”, ka deklaruar nënkryetari i OVL’UÇK’së, Nasim Haradinaj.

E në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, kompania ku Haradinaj punon me Hashimin figuron si e regjistruar dhe ka kapital të deklaruar në shumën prej 50 mijë eurove.

E ortaku i Nasim Haradinajt, i cili tash merret me biznes, ka disa vite që është nën llupën e organeve të hetuesisë kosovare.

Dy vite më parë, Rrahim Hashimi u arrestua nën dyshimet se kishte marrë 100 mijë euro për të zgjidhur një lëndë e cila po hetohej nga krimet ekonomike në Policinë e Kosovës.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Hashimi dyshohet se ka kërkuar nga të dëmtuarit V.H dhe F.B., kundër të cilëve kishte filluar një procedurë penale, një shumë parash prej 100 mijë euro me qëllim që atyre t’u minimizohet rasti apo të përmbyllet.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, i pandehuri nga familjarët e të dëmtuarve kishte marrë fillimisht 50 mijë euro, ndërkaq falë këtij ryshfeti të dëmtuarit kanë përfituar masa më të lehta të sigurisë. Tutje, prokuroria pretendon se për të vazhduar tutje me ndihmën rreth procedurës, të dëmtuarve u kërkuan edhe 50 mijë euro të tjera.

Hashimi po hetohet së bashku me ish-shefin e Drejtorisë të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, ndërkaq Gjykata Themelore ka refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës ndaj tyre.

Gjykata e Apelit e kishte liruar nga aktakuza, ndërkaq rastin e Rrahim Hashimit e kishte kthyer për shqyrtim në Gjykatën Themelore.

Hashimi akuzohej nga Prokuroria e Shtetit edhe për ndikimin që kishte pasur në Ambasadën e Hungarisë nga viti 2009 deri në vitin 2017, duke ua mundësuar qytetarëve marrjen e vizës pa u paraqitur fare në Ambasadë.

Video e tij nga zyra duke numëruar një shumë të madhe të parave ishte bërë kohë më parë publike, por Hashimi nga burgu ishte arsyetuar se nuk ishte sekser e kishte marrë paratë e tij.

Ish-luftëtari i “Forcave Komando Delta”, në profilin e tij në Facebook shpreh haptazi simpatinë ndaj Izraelit, ka publikuar fotografi nga parlamenti i atij vendi, e në zyrën e tij mban dy flamuj të shtetit.

Në njërin nga publikimet e tij në Facebook, Hashimi ndërkaq shan popullin turk dhe shtetet arabe, duke i quajtur kafshë primitive, ashtu si e quan edhe presidentin Tayyip Erdogan.

Rrahim Hashimi që thuhet të ketë lidhje të afërta me presidentin e vendit Hashim Thaçi, madje pati edhe pretendime për t’i dalë si kundërkandidat Kadri Veselit për të parin e PDK-së. Hashimi ndërkaq muaj më parë bëri të ditur se është ftuar nga Gjykata Speciale si i dyshuar për shkelje të disiplinës ushtarake apo tejkalim të autorizimeve ushtarake. Në Hagë nga Specialja, Rrahim Hashimi u intervistua për tre ditë rresht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat