Hoxhaj: PDK para 5 vitesh ka denoncuar në Polici Rrahim Hashimin

Aktuale

Hoxhaj: PDK para 5 vitesh ka denoncuar në Polici Rrahim Hashimin

Më: 23 maj 2019 Në ora: 17:09
Enver Hoxhaj

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka mbrojtur shefin e tij partiak duke u shprehur se ai nuk ka pasur asnjë lidhje me njerëzit që janë shfaqur në videot ku përmendet emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli për marrjen e 200 mijë eurove.

Sipas tij ky rast do të duhej të mbyllej shumë me herët, por është penguar qëllimisht nga akterë të caktuar.

Përmes një konference të jashtëzakonshme për media, Hoxhaj u shpreh se partia që ai përfaqëson gjithmonë i ka denoncuar ata që kanë vepruar ilegalisht, duke përmendur se para pesë viteve e kanë denoncuar në polici Rrahim Hashimin.

Hoxhaj: Ai nuk ka pasur asgjë me njerëzit që janë shfaqur në videot

“Ai nuk ka pasur asgjë me njerëzit që janë shfaqur në video të tilla as me temat që janë folur aty dhe me asnjë aktivitet i cili bie në desh me sundimin e ligjit. Qoftë në cilësinë e tij si kryetari i Kuvendit, qoftë në cilësinë e tij si kryetar i PDK-së. Apo në rrafsh personal”, tha Hoxhaj.

Ndërkohë, nënkryetari Hoxhaj tha se ky rast është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet të anashkalohet deri sa të merr një epilog.

Hoxhaj: Është penguar qëllimisht nga ana e akterëve të caktuar

“Rasti në fjalë është shumë i rëndësishëm. Ne kërkojmë që mos të anashkalohet dhe të merr epilog të plotë që e vërteta të del e plotë në shesh. Për më shumë kjo ngjarje tregon që si PDK që jemi të interesuar për sundim të ligjit t’i shtrojmë disa çështje. Rasti për  të cilin flet kjo video që është subjekt është mbyllur pa përfunduar hetimet dhe është mbyllur pa u vënë para përgjegjësisë askush nga këta akterët e krimit. Natyrisht kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së provave, sepse provat janë të bollshme aty. As për shkak të mungesës së resurseve institucioneve, por duket se është penguar qëllimisht nga ana e akterëve të caktuar”, tha nënkryetari Hoxhaj.

Mes tjerash, ai tha se dhe më herët i kanë denoncuar njerëzit të cilët po pretendohet që i kanë përmendur emrin kryetarit të Kuvendi.

Hoxhaj: Para 5 vite PDK-ja e ka denoncuar Rrahim Hashimin në Polici të Kosovës

“Ne si PDK me një traditë të gjatë shtet formuese, nuk duam të heshtim për këtë ngjarje, por nuk kemi heshtur as në të kaluarën. Më lejoni t’iu them se para 5 vite PDK-ja e ka denoncuar Rrahim Hashimin në polici të Kosovës. Po ashtu në vitin 2014 Xhavit Haliti si nënkryetari i PDK-së dhe Kuvendit ka bërë një denoncim në polici dhe ka dhënë dëshmi në Prokurori. Prandaj si çdo pjesë e shoqërisë dhe ne kërkojmë që kjo të merr epilog të plotë dhe të kemi një shpjegim për një ngjarje të tillë”, tha Hoxhaj.

Në fillim të javës, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion ku ka arrestuar një grup kriminal të ndërlidhur me veprën penale “fajde”. Në mesin e tyre ka qenë edhe Rrahim Hashimi, i cili në shumë fotografi shihet së bashku me zyrtarë të lartë të PDK-së. Hashimi u lirua ndërsa 4 tjerë u dërguan në paraburgim.

Dje në media u shfaq një video në të cilën shihen disa njerëz duke deklaruar se në emër të fajdes 200 mijë euro i janë dhënë kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli.

Ky i fundit sot në një konferencë për media ka premtuar se nëse del diqka e vërtetë nga ai rast do të japë dorëheqje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat